ATV

Në raportin vjetor të KE-së, Kosova shënoi regres në arsim

Written by

in

Përgatiti: Kastriot Tahiri

Pak para se të vinte në pushtet, premtimet ishin me bollëk për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje premtoi se, për një vit qeverisje, do të trajnohen 5 mijë mësimdhënës dhe do të licencohen 9 mijë të tjerë në bazë të vlerësimit të performancës. Por, as pas këtyre viteve, vlerësim formal të mësimdhënësve nuk pati, e as përmirësim në cilësinë e arsimit, për çka u kritikua edhe në raportin e progresit nga BE-ja.

Dukagjin Pupovci, ish-ministri i Arsimit, thotë se kjo nuk u bë e mundur për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.

“Për numrin janë 21 prej 23 inspektorë, pse nuk po rekrutohen sepse po dështojnë konkurset një nga një për arsye administrative. Cilësia e arsimit është çështje më komplekse se kaq; duhet të bëhet përpjekje për përmirësim të mësimdhënies,” tha Pupovci.

Për njohësin e arsimit, Egzon Gashi, inspektorët e arsimit nuk janë kompetentë për vlerësim të mësimdhënësve. Ai thotë se ata duhet të jenë auditorë të procesit.

“Vlerësimi duhet të bëhet nga nxënësit, nga drejtori, ministria i ka inspektorët që bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve. Për mendimin tim nuk është mekanizmi më i duhuri; janë larg procesit të edukimit çdo ditë në shkollë dhe nuk kanë kompetencë për t’i vlerësuar. Ajo duhet t’i kalojë drejtorit dhe ata duhet të jenë auditorë të procesit për të parë nëse po bëhet vlerësimi,” tha Gashi.

Në raport u tha se Kosova nuk pati progres as në përfshirjen e fëmijëve nga komunitetet ashkali, rom dhe egjiptas në shkollim, për çka rekomanduan Ministrinë që të koordinohet me DKAtë për përfshirjen e tyre në shkolla.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *