Përgatiti: Besmire Kluna
Gjatë ditës vizitohet nga mijëra qytetarë.
Por, në mbrëmje ka më pak njerëz, ngase Parku i Taukbahçes nuk ka i tëri ndriçim.
“Kishte me qenë mirë që këto dritat mu vendos, kur ka dritë shumë ma ndryshe është, me shumë të tërhek, për shembull kur është terr kështu dimrit sidomos është problem, mirë kishte me qenë Komuna, sepse në mbikëqyrje të komunës është ky park, me vendos qaty dritat por edhe me i vendos do kamera kishte me qenë mirë. Edhe për shkak të qenve është me mirë me pas shumë dritë normal, por në mbrëmje kur po dal po hezitoj për shkak të dritës me shumë”, thotë një qytetare.
“Po sigurisht duhet organet kompetente me u marrë me këtë problem, këtu frekuentohet shumë shtegu për vrapim, për ecje, të moshuarit, të rinjtë, parku ka nevojë për mirëmbajtje pak me të mirë në aspektin teknik, puna e ndriçimit dhe gjëra të tjera, ndriçimi me u rregullu ka nevojë”, thotë një qytetar.
Edhe pse në këtë park, viteve të fundit është investuar shumë, megjithatë sipas opozitës kërkohet më shumë punë në mirëmbajtje.
“Ky park nuk mirëmbahet nga komuna e Prishtinës, për shkak që këtu kemi nevoja të ndryshme, ka mungesë të ndriçimit publik, shpeshherë këtu ndriçimi nuk punon po ashtu përveç ndriçimit publik, do të thotë gjithë ky park që shfrytëzohet prej shumë qytetarëve është vetëm një çezmë, një kru, që aty qytetarët munden të furnizohen me ujë të pijshëm. Po ashtu që këtu kemi probleme edhe me kundërmimin e erës që është si një lloj përroske që mundemi me quajt të vogël, që kundërmon një erë e rëndë për shkak të kanalizimit që derdhet”, tha Besart Krasniqi, asamblist i Vetëvendosjes.
Por, Komuna thotë se ka zgjidhje për të gjitha këto telashe. Sipas zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, drejtoritë përkatëse kanë dalë në terren dhe kanë identifikuar problemet.
Kemi marrë të gjitha ankesat prej qytetarëve direkt në terren, jemi afër nënshkrimit të kontratës për zgjerim të ndriçimit, të mirëmbajtjes veçse ku ka pasur nevojë kemi ndërhy, dhe po shpresoj se brenda muajit nëntor të përmbyllim pjesën e Taukbahçes. Qentë endacakë po kastrohen, sterilizohen, pritet shpejt mu përfundu strehimorja”, tha Lushaku.
Kontrata për zgjerimin e ndriçimit në këtë park pritet të nënshkruhet ditëve në vazhdim.

Leave a Reply