Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Një 65-vjeçar vdiq të hënën në rrethana të dyshimta në qendër të qytetit të Pejës.
Trupi i të ndjerit u gjet nga disa kalimtarë rreth orës 7 e 25, të cilët njoftuan organet e rendit.
Policia konstatoi se viktima është Enver Musa. Atë po e kërkonin familjarët që nga ora 4 e mëngjesit.
Dyshohet se në atë kohë ai kishte dalë nga shtëpia pa lajmëruar familjarët, madje pa këpucë.
Me rastin tashmë po merret Prokuroria Themelore e Pejës dhe rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.
“Menjëherë kemi dalë në vendngjarje, e kemi lokalizuar zonën për t’i parë rrethanat, ende nuk dihen shkaktarët…”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Pas ekzaminimeve të nevojshme, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Viktima u bë e ditur nga familjarët e tij dhe është dërguar në IML për procedurat e mëtejme…”, tha Nikçi.
Siç kupton ATV-ja, viktima kishte çrregullime mendore dhe në të kaluarën kishte pasur edhe probleme familjare.

Leave a Reply