Përgatiti: Arian Hajdaraj
Në lëvizjen vetëvendosje ende janë në pritje të shqytrimit të ankesës që dorëzuan në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kufizim të votuesve në ambasada dhe konsulata.
Këta, shprehen të bindur se KQZ-ja bëri shkelje kur e kufizoi numrin e votuesve në 47 mijë, meqë presin të dalin shumë më shumë.
“KQZ e ka kufizuar numrin e votuesve në 47 mijë, ndërsa sipas MPJD-së mund të votojnë mbi 300.000. Psh në Cyrih I ka caktuar 2000, sipas MPJD-së, mund të votojnë deri në 30 mijë”, tha Alim Rama, sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, PZAP-së ende i duhet kohë që të vendosë.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa/PZAP, ka pranuar ankesën e subjektit politik LVV lidhur me vendimin e KQZ-së për Miratimin e Listes së Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, Numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal te votuesve. PZAP-i brenda afatit ligjor të paraparë me Ligjin Nr. 08/L-228 Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, do të shqyrtojë dhe vendosë lidhur me ankesën e parashtruar nga LVV”, thuhet në përgjigjen e PZAP.
Sipas sekretarit organizativ të lëvizjes vetëvendosje, caktimi I numrit të votuesve duhet të bëhet pas përfundimit të regjistrimit të votuesve.
Televizioni merr vesh se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në raport me ankesën e lëvizjes vetëvendosje do merret më së largu të enjten.

Leave a Reply