Përgatiti: Fatlum Jashari
Miratimi i Projektligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte pikë e parë në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën.
Krahas konstatimit se procesi është i pakthyeshëm, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, listoi disa prej çështjeve që përfshin projektligji.
“Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcaktohen rregullat për listën e barnave të rimbursueshme, që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët, e veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështja e grumbullimit të kontributeve për fondin e sigurimeve”, tha Vitia.
Derisa tregoi se projektligji parasheh pagesë mujore në vlerë 7% të pagës, 3,5% punëtori dhe po aq punëdhënësi, ministri nuk e ndërlidhi Projektligjin me fundin e mandatit të Qeverisë.
“Duke qenë interes i të gjithë qytetarëve, duke qenë në interes edhe të deputetëve, besoj shumë që ky ligj do të miratohet sa më shpejt”, tha Vitia.
Shpresat te Kuvendi, ministri i ka edhe për marrëveshjen me Bankën Botërore për financimin e Planit të Veprimit për Sistemin Informativ Shëndetësor, që është parakusht për funksionalizimin e sigurimeve, për të cilat ka një ligj në fuqi që nga viti 2014.
Në mbledhjen e 218-të, Qeveria miratoi edhe vendimin për vazhdimin e afatit për regjistrimin elektronik të mërgatës deri më 31 Dhjetor 2024.
Pushteti ekzekutiv i dha dritën e gjelbër dhënies në shfrytëzim të ngastrave kadastrale me qëllim ndërtimin e Qendrës Rezidenciale të Kosovës për Autizëm, Sindromë Down dhe Aftësi të Kufizuar.
Mirëpo, Qeveria nuk i dha përkrahje nismës legjislative për heqjen e kufizimit të moshës për import në Ligjin për Automjete, me arsyetimin se paralelisht është duke u përgatitur projektligji i ri.

Leave a Reply