Përgatiti: Sara Shehu
Të padrejtë dhe të gabuar, e ka vlerësuar veprimin e Ministrit Hajrulla Çeku në lidhje me kallëzimin penal për rrënimin e Kompleksit “Saraji i Vjetër”, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Në një kundërpërgjigje pas pesë ditësh, Totaj mes tjerash tha se ky objekt në bazë të hartave zonale nuk i takon zonës së mbrojtur historike.
“Arsyeja që jemi sot këtu është se MKRS-ja ka mbajtur një konferencë për media, kinse komuna e Prizrenit ka anashkalu dhe nuk ka respektuar të dhënat ligjore për Sarajin e vjetër për ndërtimet. I gjithë plani u udhëheqë nga drejtoria e urbanizmit. Për sqarim të opinionit publik. Ju njoftoj se ky rast ka histori, nuk ka ndodhë shpejt, më 2018 kërkesa e parë ka qenë për ndërtim, komuna e ka refuzar këtë kërkesë, komuna ka shkuar në gjykatë pas disa veprimeve më në fund është konfirmuar se komunës së Prizrenit e ka obligim të zbatojë vendimin e Ministrisë së planifikimit hapësinor, që investitori ta bëj me leje. Komuna ka vazhduar me procedura të dhënies së lejes, pasi komuna e ka hupë rastin në institucionet. MKRS-ja çuditërisht ka tentua që lokacioni të vendoset në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, i cili është i kundërligjshëm. Pa u njoftuar komuna nuk lejohet na nuk kemi pas kurrfarë njoftimi. Në librat kadastralë nuk është si zonë e mbrojtur historike, çka ka mujtë komuna me ba. Vlen të theksohet se me harta zonale është jashtë zonës historike dhe lejohet ndërtimi”, tha Totaj.
Gjatë konferencës, kryetari i Prizrenit tha se Ministri i Kulturës do të ishte më mirë t’i kryejë obligimet që i takojnë dikasterit të tij, e jo të merret me çështjet që iu takojnë gjykatave e komunave.
“MKRS-ja nuk ka iniciuar asnjë në rast në Gjykatë për këtë çështje. Dështimet e MKRS-së për moskryerjen e detyrave të tyre nuk duhet t’i drejtojë në komunën e Prizrenit”, shtoi Totaj.
Kompleksi “Saraji i Vjetër”, ishte rrëzuar nga komuna e Prizrenit, më 27 maj të këtij viti, ndërkaq të mërkurën e kaluar Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa tregoi që ka dorëzuar kallëzim penal për këtë çështje, tha se kompleksi u rrënua dy muaj para se t’i kthehet shtetit kjo pronë.

Leave a Reply