Përgatiti: Arton Hamiti
Borut Pahor ia ka vënë syrin kësaj karrige, ku tash ulet Miroslav Lajcak.
Ish-presidenti i Sllovenisë synon të emërohet ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, pasi Lajcak do ta lirojë këtë pozitë më 31 gusht. Pahor vlerëson se ka ngecje në dialog, por tani për tani nuk tregon çfarë planesh ka.
“Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, ka thënë Pahor.
Lehtësuesi aktual i BE-së në këtë proce, Lajcak, tha fjalë të mira për Pahorin, si pasardhës i mundshëm i tij.
“Me Pahorin jemi takuar dhe kemi diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor në disa raste, e di se ai është shumë i interesuar në rajon dhe ka njohuri për rajonin. Sigurisht se ky është një faktor i rëndësishëm”, ka thënë Lajcak.
Ardhja potenciale e sllovenit në postin e lehtësuesit po mirëpritet nga ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.
“Mendoj qe kishte me qenë zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin. Ketë po e them për arsye se kam pasur shumë biseda me zotin Borut Pahor është shume i sinqertë shume dashamires i Kosovës dhe një element tjetër është se shteti slloven është pro Kosovës dhe sigurisht e ka ma lehte ai me veprua”, tha Kastrati.
Pahor njihet edhe si mik i shtetit të Kosovës. Kur e vizitoi Prishtinën si president, në shtator të 2022-ës, homologia e tij, Vjosa Osmani, ia kërkoi ndihmën e Lublanës për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Gjatë kësaj vizite, Pahor e kishte përmendur çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për çka kishte kërkuar zgjidhje për marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Kastrati thotë se mënyra e punës së ish-presidentit slloven i përshtatet edhe vetë Josep Borrelit, përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri.
Ish-ambasadori beson se procesi i dialogut nën udhëheqjen e Pahorit do të jetë më dinamik, meqë sipas tij, Miroslav Lajçak shpesh nuk ishte në krye të detyrës. Megjithatë, Kastrati nuk pret marrëveshje finale se shpejti.
“Zotëri Lajçak e ka pasur një problem që ka ardhur prej një shteti i cili nuk na njeh dhe ai sigurisht ka pasur për obligim me u sjell në kornizat e kërkesës së shtetit të vet pavarësisht qe ka përfaqësuar Bashkimin Evropian kurse Pahori do te ishte në një pozitë krejt tjetër dhe besoj se procesi i dialogut do të jetë më dinamik. Por varet prej palëve nëse dëshirojnë marrëveshje ose jo.. sepse kam bindje qe nuk dëshirojnë”, tha Kastrati.
Borut Pahor, tani 60 vjeçar, ishte President i Sllovenisë nga viti 2012 deri në vitin 2022, pasi shërbeu si Kryeministër nga 2008 deri më 2012. Kurse paraprakisht, për katër vjet, ishte anëtar në Parlamenti Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply