ATV

Dështimi i shtetit për mbrojtjen e grave dhe për ndëshkimin e vrasësve

Written by

in

Përgatiti: Fatlum Jashari

Dështimi i institucioneve shtetërore në zbatimin e përpiktë të legjislacionit ndëshkues në raport me kryerësit veprave penale, dhe atij mbrojtës në raport me viktimat, në më pak se një javë rezultoi me vrasjen e dy grave nga bashkëshortët.

Në të dyja rastet, në Ferizaj dhe në Pejë, vrasësit kanë të kaluar kriminale për veprime të dhunshme, në dhe jashtë familjes, për të cilat kanë marrë dënime të lehta, kryesisht gjoba dhe burgim me kusht.

Duke përmendur faktin se në të shumtën e rasteve të vrasjeve të grave, viktimat, paraprakisht kishin denoncuar dhunën ose kërcënimet, në Institutin e Kosovës për Drejtësi theksuan përgjegjësinë e shtetit në nxitjen e vrasësve potencialë.

“Praktikisht ka dështuar komplet zinxhiri institucional në trajtimin e këtij rasti, sepse nëse rasti është raportuar më herët dhe përkundër mënyrës se si ka shkuar, i bie edhe që dënimi i marrë në atë rast nuk ka qenë meritor, sepse kryerësi ka qenë i lirë dhe në të njëjtën kohë nuk është përçuar mesazhi i duhur tek ai dhe kryerësit e tjerë potencialë, me rastin e shqiptimit të një politike aq të butë ndëshkimore”, tha Arrita Rezqini, hulumtuese nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Edhe pse vlerësoi se legjislacioni është i mirë, Arrita Rezniqi nga ky institut, theksoi nevojën e veprimeve parandaluese menjëherë pas denoncimit.

“Është shumë e rëndësishme që institucionet, në momentin që pranojnë raportime për raste të dhunës në familje, të ndërmarrin hapa për atë që është i njohur si vlerësim i rrezikut. Pra, të merret për bazë i gjithë bashkëpunimi institucional, mes hallkave të institucioneve shtetërore, duke filluar nga Policia, Qendrave për Punë Sociale, Prokuroria, për të trajtuar një rast në mënyrë profesionale dhe për të parë nëse ekziston një rrezik konkret në forma të mëtejme për viktimën”, tha Rezqini.

Pasi vlerësoi se ka mjaftueshëm ligje, masa e veprime juridike, si dhe mekanizma institucionalë, profesori Fatmir Çollaku theksin e vuri te mos-zbatimi i tyre.

“Veç duhet të veprohet me përpikëri dhe përgjegjësi, si organet e Policisë, në këtë rast hetuesia, Prokuroria, Gjykata dhe mekanizmat tjerë siç janë strehimoret, kur përmbushen kushtet juridike, kur bëhet e pamundur jeta apo rrezikohet jeta e gruas në familje, atëherë janë edhe institucionet tjera alternative, siç janë strehimoret e ndryshme… Ka mjaft dispozita, përkatësisht bazë juridike, ka mjaft institucione, veç duhet të respektohen në përpikëri dhe masat ndëshkimore të jenë më të ashpra, gjithnjë në pajtim me ligjin”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

Që nga fillimi i vitit 2023, janë raportuar gjashtë raste të vrasjes së grave, përfshirë dy të fundit.

Në asnjërin nga katër rastet nga viti i kaluar nuk ka verdikt final nga gjykatat.

Në rreth 1800 nga rreth 2200 denoncimet e dhunës në familje më 2023, viktima kanë qenë gratë.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *