Përgatiti: Nora Luta
Rruga nëpër të cilën kaluan mijëra civilë shqiptarë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre, 23 vjet pas ka marrë tjetër pamje. Por, për Musli Ukën nga Vushtrria sa herë kalon në Studime përjetimet janë të njëjta.
Përveç rrugëve të këtij fshati, Uka dyshon se Ilija Elezoviq bashkë me disa serbë të tjerë, u prinë e u treguan rrugët paramilitarëve serbë, në ofensivën ku kishin mbetur të vrarë qindra civilë shqiptarë të kësaj komune.
E nën dyshimet për krime lufte pikërisht në territorin e kësaj Komune, Elezoviq që është emër i njohur edhe për banorët e tjerë, bashkë me Dragan Milloviq, dhe Zoran Kostiqin, do të qëndrojnë në burg të paktën për një muaj.
Ata një ditë pasi u arrestuan u sollën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të marrë pjesë në seancën për caktimin e masës së paraburgimit.
Por, dolën të pakënaqur me vendimin, e të indinjuar u panë edhe familjarët që qëndruan në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, më shumë se katër orë.
“Për fat të keq, gjykatësi pranoi një kërkesë të pabazuar mirë për caktimin e masës së paraburgimit dhe më duhet të them se për fat të keq prokuroria speciale as nuk ka fuqi e ndoshta as dëshirë, që këto raste t’i kryejë në përputhje me ligjin”, tha Ljubomir Pantoviq, avokat i Ilija Elezoviqit.
Megjithatë, në dosjen e Prokurorisë Speciale të siguruar nga ATV-ja, tre të arrestuarit dyshohet se morën pjesë në dëbimin me forcë të rreth 50 mijë civilëve, në Komunën e Vushtrrisë, gjatë muajit maj të vitit 1999.
“Pasi i urdhëruan të ulen, me mjete të forta i goditën nëpër trup dhe kokë. Më pas i ndanë burrat nga pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i vendosën në kamionë. Fillimisht i dërguan në sallën e sporteve në Vushtrri ku u urdhëruan të dorëzojnë gjithçka që kishin, me premtimin se do të liroheshin. Ata të cilët dorëzuan gjësendet që i posedonin nuk janë liruar, por janë rrahur në mënyrë çnjerëzore e më pas u vendosën në burgun e Smrekonicës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas dosjes, Zoran Kostiq ishte përgjegjës edhe për masakrën ndaj familjes Ujkani, ndërsa Ilija Elezoviq dyshohet se në Nadakoc kishte plagosur një person.
“Më 24 shkurt 1999, i akuzuari Illija Ellezoviq, i uniformuar, bashkë me disa persona të tjerë të paidentifikuar, në rrugën nga Vushtrria deri në fshatin Nadakoc, rreth orës 18, me veturë të bardhë të llojit Opel, i armatosur me armën snajper, qëlloi viktimën Sabit Ferizi, duke e plagosur në këmbë të majtë. Në mars të vitit 1999, në fshatin Reznik, në shtëpinë e Shaip Zenelit, ishte i stacionuar një grup i policëve dhe paramilitarëve serbë. Këtë grup e udhëhiqte Zoran Kostiq, i cili ishte komandant i tyre dhe secilin aksion të forcave serbe të organizuar në shtëpinë e Shaip Zenelit e udhëhoqi Zoran Kostiq, siç ishte masakra ndaj familjes Ujkani”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria tutje ka kërkuar që të dyshuarit të mbahen në burg, pasi ka theksuar se të arrestuarit posedojnë pasaporta të shtetit serb dhe mund të arratisen.
Tre të akuzuarit, të gjithë ishin pjesëtarë të MUP-it serb, ndërkaq, Dragan Milloviq ishte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga viti 2013.

Leave a Reply