Përgatiti: Sara Shehu
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën, nëpërmjet një statusi në Facebook, u krenua se Ministria që ai udhëheq do të bëjë shpërndarjen e 22 veturave për vizita mjekësore nëpër shtëpi, për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve.
Por ajo që Ministri harroi të nënvizojë në këtë njoftim është se këto vetura janë siguruar nëpërmjet një huamarrje, që ministria e ka marrë nga Banka Botërore, që arrin shifrën e afro 750 mijë eurove.
Megjithatë, me to stafi i Qendrave të Mjekësisë Familjare do të mund të bëjë vizita shëndetësore shtëpiake për shëndetin e nënave dhe fëmijëve deri në 3 vjeç, edhe në zonat më të thella të vendit.
Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se ato do të shpërndahen në 30 komuna të vendit.
“Kostoja financiare për blerjen e 22 veturave është 748,000 Euro. Vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë ofrohen nga Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Deri më tani, këto vizita realizohen te këto kategori (nënë dhe fëmijë deri në moshën 3 vjeçe) në 30 komuna. Veturat janë siguruar në bazë të nevojave nga komunat që janë duke i realizuar këto vizita”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Sipas Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, kjo ka qenë një nevojë e kamotshme. Besim Kodra nga kjo shoqatë, thotë se marrja e shërbimeve shëndetësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare të fshatrave, është më e vështirë për shkak të mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimit të pamjaftueshëm me barna nga lista esenciale.
Ndryshe, programi i vizitave nëpër shtëpi për shëndetin dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve, ka filluar të zbatohet në Kosovë në vitin 2014. Ky program është i integruar në kujdesin parësor shëndetësor.

Leave a Reply