Përgatiti: Driton Sadiku
Për 109 ditë, kryetari i komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga objekti i komunës.
Ai qëndroi brenda edhe kur asamblistët e Kuvendit Komunal u mblodhën larg objektit të komunës në fshatin e tij të lindjes, për të diskutuar rreth një pike të rëndësishme të rendit të ditës.
Brenda objektit të shkollës fillore në Bistricë, asamblistët e kuvendit të Leposaviqit votuan për anëtarësimin e kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Ndonëse, pozita e obligonte ta ftonte këtë grumbullim të Kuvendit Komunal, kryesuesi i Kuvendit të Leposaviqit nga komuniteti serb, abstenoi gjatë votimit.
Përveç Leposaviqit, më 14 shtator edhe komuna e Zubin Potokut votoi që edhe kjo komunë t’iu bashkohet të tjerave të Kosovës brenda Asociacionit.
Vendimi i të dyja kuvendeve komunale tashmë do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për shqyrtim.
Njëkohësisht partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka kundërshtuar veprimet e komunave Leposaviq e Zubin Potok, duke thënë se nuk janë në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë.
Nga katër komunat veriore tashmë ka mbetur vetëm edhe ajo e Zveçanit që ende nuk ka bërë kërkesë të anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Leave a Reply