ATV

Mijëra armë pa leje në duart e qytetarëve, pak konfiskime nga policia

Written by

in

Përgatiti: Driton Sadiku

Rreth 250 mijë konsiderohet të jetë numri i armëve ilegale në Kosovë, por fare pak nga to janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Në 6 muajt e parë të këtij viti, policia ka konfiskuar vetëm 636 armë, derisa nga qershori e deri në shtator, as policia e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk treguan se edhe sa të tjera janë marrë nga shteti.

Megjithatë, nga njohës të sigurisë vlerësohet se duhet rritur kontrollet në çdo cep të vendit.

“Sa i përket asaj se si qëndron çështja e sigurisë publike mund të themi se këtu duhet të kemi një angazhim më të madh të policisë përmes kontrollimeve dhe bastisjeve në lokacione të caktuara, ku dyshohet se mund të ketë armë pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Edhe masat ndëshkimore në rast të armëmbajtjeve pa leje, konsiderohet të jenë të lehta, ndonëse kodi penal parasheh dënime të ndryshme.

“Politika ndëshkimore nuk është e keqe në raport me masat ndëshkimore, apo dënimeve që u shqiptohen kryesve të veprave penale, por natyrisht se dallon edhe nga sasia e armëve të cilën posedojnë kryesit e mundshëm. Dënimi për një armëmbajtje pa leje, në bazë të nenit 366 të Kodit Penal, është dënim me gjobë deri në 7500 euro, ose me burg deri në 5 vjet dhe zakonisht në praktikë kemi shqiptim të dënimeve me gjobë”, tha Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Por jo vetëm dënime, edhe amnistia, sipas hoxhës, do të ishte një opsion i mirë për zvogëlimin e numrit të armëve ilegale që janë në duart e qytetarëve.

“Planifikimi i një amnistie të përgjithshme për një kohë të caktuar me qëllim të mbledhjes së armëve dhe krijimit të një sigurie më të madhe publike, sepse njerëzit edhe nga frika e dënimit mund të mos i dorëzojnë, prandaj duhet dhënë shanse atyre që t’i dorëzojnë vullnetarisht dhe të mos ndiqen penalisht”, tha Hoxha.

Vetëm në dhjetëditëshin e fundit në Kosovë u kryen 2 vrasje me armë zjarri, teksa për një muaj ndodhën 5.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *