ATV

Furnizimi me dru, protestojnë banorët e dy fshatarave të Lipjanit

Written by

in

Përgatiti: Donisa Fazliu

4 muaj më parë, Agjencia Pyjore e Kosovës hapi aplikimin për shitjen në trung të masës drusore për qytetarët e Kosovës, në parkun me Rëndësi të Veçantë në Blinajë.

Por përzgjedhja e fituesve, nuk po u pëlqen banorëve të fshatrave Vërshec e Magure të Lipjanit, të cilët për gati 3 orë, protestuan para portës së parkut të Blinajës.

“Ne kemi dalë këtu për shkak të masës drusore dhe po mendojmë që po na bëhet e padrejtë, ne kemi aplikuar në një aplikacion që e ka hapur Agjencia Pyjore e Kosovës. Kemi aplikuar, aplikacionet na janë pranuar, por drutë nuk po na japin”, tha Kujtim Qadraku, banor i fshatit Vërshevc.

“Ne kemi dëshirë kërkesën me na plotësu e me na mundësu të marrim dru, sepse nuk jemi kundër askujt, kemi të drejtë të gjithë të marrim dru, ka disa që marrin dru çdo ditë, e na veç po i shohim, kjo nuk është në rregull”, thotë një banor tjetër.

Për më tepër, ata paralajmëruan edhe protesta të tjera deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do të organizojmë protestë më masive, sot ka qenë ditë pune dhe shumë banorë, nuk kishin mundësi të ishin pjesë e kësaj proteste, kështu që protesta tjetër që do të jetë gjatë kësaj jave do të jetë më masive, pasi që është ditë pushimi dhe të gjithë do të marrin pjesë”, tha Florim Nishori, banor i fshatit Vërshevc.

Derisa, nga Agjencia Pyjore e Kosovës thanë se pretendimet e banorëve nuk janë të vërteta.

“Nuk qëndron fakti se aplikimi ka zgjatë vetëm disa orë, por aplikimi ka zgjatë 5 ditë, nga data 15.05 prej orës 9:00 deri më 19.05.2023, në orën 15:00. Lidhur me ankesën e qytetarëve të Fshatit Vërshec, Komuna e Lipjanit, Gjatë analizës së ankesës janë verifikuar të gjithë nënshkruesit e ankesës dhe kemi konstatuar se 41 persona nuk kanë aplikuar fare, 37 persona kanë aplikuar pas orës 9:30, dmth janë në radhë para tyre mbi njëmijë aplikacione të tjera, si dhe dy persona kanë aplikuar deri në orën 9:30 dhe kur të vijë radha do të ftohen për nënshkrim kontrate dhe do të furnizohen me masë drusore”, tha Xhavit Statovci nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, për furnizimin me masë drusore për vitin 2023 kanë aplikuar 3552 persona, prej tyre 712 ishin fitues.

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *