Mbi 200 mijë euro mallra dhe më shumë se 22 automjete janë sekuestruar gjatë aksioneve kundër kontrabandës në veri të Kosovës, përfshirë operacionin e zhvilluar këtë të enjte.
Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, sekuestrimet janë rezultat i hetimeve disamujore, gjatë të cilave është zbuluar mënyra se si mallrat dyshohet se futeshin ilegalisht nga Serbia, përmes rrugëve malore, duke shmangur kontrollin doganor.
Në mesin e mallrave të sekuestruara ka produkte ushqimore, pije, cigare, barna dhe tekstil.
Prokuroria ka njoftuar se janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari, ndërsa hetimet për kontrabandë dhe tregti të ndaluar janë në fazën përfundimtare.
