ATV

Zyrtarisht në Fushë Kosovë ka nisur punën Dega e Gjykatës Themelore të Prishtinës

Written by

in

Qytetarët e Fushë-Kosovës dhe ata të Obiliqit tani e tutje më rrallë do të kenë punë në Pallatin e Drejtësisë.

Lëndët e tyre gjyqësore do të trajtohen në Fushë-Kosovë, në degën e re të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Të pranishmit ishin kureshtarë për sallat në të cilat do të ndahet drejtësi.

Kryetari i këshillit gjyqësor, degën e re e konsideron të rëndësisë së veçantë.

“Dega në Fushë-Kosovë për Gjykatën Themelore ka një dimension strategjik për shkak se ndoshta do të jetë dega e fundit. Por, shpresoj që në hartën e re, kjo degë të shndërrohet në gjykatë themelore, meqenëse plotësohen të gjitha kushtet”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Me trupin e ri gjyqësor, rritet shpresa edhe për lëndët e reja.

“Me inaugurimin e kësaj dege, për qytetarët e komunave të Obiliqit e Fushë-Kosovës, është bërë më i lehtë realizimi i të drejtave”, tha nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari.

“Qëllimi ynë është që të zgjidhen këto lëndë më shpejt, qytetarët ta marrin më shpejt të drejtën e vet”, tha u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Kryetarët e Obiliqit e të Fushë-Kosovës, hapjen e degës e quajtën lajm të mirë për qytetarët e tyre.

“Unë i besoj drejtësisë në Kosovë, andaj qytetarët e Fushë-Kosovës do t’i besojnë më shumë…”, tha kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

“Qytetarët do të jenë më afër drejtësisë…”, tha kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.

Nisja e punës pikërisht më 4 korrik, ishte jo pa shkas.

“Pas një dinamike të jashtëzakonshme arritëm që fiks më 4 korrik, që ka simbolikë të veçantë, meqë demokracia më e madhe feston. Prandaj donim që kjo simbolikë të demonstrohet me një simbolikë përpjekje për t’i shërbyer zhvillimit demokratik”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Në muajin maj rezultonin 66 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës, efikasiteti i të cilës llogaritet të jetë rreth 73 për qind. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *