ATV

Albanese e fiton sërish mandatin si kryeministër i Australisë

Written by

in

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka siguruar një tjetër mandat trevjeçar, duke hyrë në histori si lideri i parë në 20 vitet e fundit që fiton dy zgjedhje të njëpasnjëshme. Votimet e përgjithshme që u mbajtën të shtunën u zhvilluan nën hijen e krizës së kostos së jetesës, por rezultuan në një triumf të qartë për të majtët.

Partia Laburiste, e udhëhequr nga Albanese, pritet të ketë një shumicë të fortë në parlamentin federal, ndërsa rivali i tij konservator, Peter Dutton nga Partia Liberale, ka pranuar humbjen.

Në fjalimin që mbajti para mbështetësve në Sydney, Albanese u shpreh se Australia do të udhëhiqet me unitet dhe vendosmëri përballë sfidave ndërkombëtare.

“Australianët kanë zgjedhur të përballen me sfidat globale në mënyrën australiane – duke u kujdesur për njëri-tjetrin ndërsa ndërtojnë për të ardhmen. Ne nuk kemi nevojë të lypim, të marrim hua apo të kopjojmë nga të tjerët. Frymëzimin tonë e gjejmë te vlerat tona dhe te njerëzit tanë”, tha ai me entuziazëm.

Ai theksoi gjithashtu se rezultati ishte një votë për vlerat thelbësore të shoqërisë australiane, si drejtësia dhe barazia e mundësive.

“Në këtë kohë pasigurie globale, australianët kanë zgjedhur optimizmin dhe vendosmërinë”, u shpreh Albanese, teksa përfundoi fjalimin nën brohoritjet e përkrahësve.

Kjo fitore konsiderohet si konfirmim i mbështetjes së qytetarëve për politikat sociale dhe ekonomike të Albaneses, në një periudhë me sfida të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *