Që nga tre maji, deputetët e Kuvendit nuk janë mbledhur më në seanca plenare.
Kësisoj edhe mbi 30 projektligje, raporte e diskutime të tjera, përfshirë edhe nga seanca të vitit të kaluar, kanë mbetur pa përfunduar.
E për këto vonesa, pozitë e opozitë fajësojnë njëra-tjetrën.
“Po unë mendoj që vërtet Kuvendin po e vështirëson edhe kjo qasja tash e fundit e opozitës, që të mos marrin pjesë fare në votim”, tha kryeparlamentari Konjufca.
“Opozita nuk është ajo që i bën numrat në Kuvend, sepse po t’i kishim numrat ne do të ishim pozitë. Ne nuk e bëjmë shumicën, le ta kenë të qartë të gjithë, shumicën e përbën lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj të koalicionit”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Bllokimi i Kuvendit nuk është për fajin e opozitës. Zhbllokimi i Kuvendit mund të ndodhë vetëm në qoftë se qasja popullsitë e qeverisë, respektivisht ministrisë së financave një raport me të hyrat vetanake të komunave të ndodh dhe ajo duhet të ndodh këtë javë”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
Sidoqoftë, me mungesa nga të dyja palët, Kryesia e Kuvendit nuk pati kuorum as sot, kështu që edhe këtë javë nuk do të ketë seancë të re.
Edhe pse është mjaft prapa agjenda legjislative, kreu i Kuvendit beson se për dy seanca do të përfundohen të gjitha pikat.
“Do të ishte mirë që me një punë dyditore të arrijmë t’i përfundojmë të gjitha këto pika. Mendoj që nuk kemi më shumë punë se sa dy ditë të plota, që ta pastrojmë agjendën legjislative”, tha kryetar i kuvendit, Glauk Konjufca.
Një pjesë e tyre do të mund të shqyrtohen në mes të javës, pasi deputetët, për këtë çështje do mblidhen të mërkurën. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

Leave a Reply