Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Ndonëse projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor që e mundëson procedurën e IVF-it nuk është votuar në Kuvend, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, të martën u përurua ky shërbim.
Kjo procedurë mjekësore, e cila u jep shpresë atyre që duan të bëhen prindë do të mundësohet nën Udhëzimin Administrativ të vitit 2013.
Ndërsa kostoja e aparaturës arrin në mbi 2 milionë euro.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, i cili qe i pranishëm në përurim, për dy herët e para të IVF-të, shërbimi do të ofrohet falas, ndërsa për herën e tretë kostoja do të jetë 670 euro.
“Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë gjysma prej ShSKUK. Vetëm aparaturë e laboratorit embriologjisë është mbi 1 milion euro dhe përveç kësaj ishin edhe dy ultrazë të ri si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histroskopisë dhe llaparaskopisë”, tha Kurti.
Ndërsa, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Zef Ndrejaj, tha se tashmë ka filluar mbledhja identifikimi i pacientëve që kanë këso nevojash.
“Jemi në fazën fillestare ku puna me pacientë vetëm ka filluar. Ka filluar mbledhja e pacientëve që kanë nevojë, klasifikimi i tyre, formimi i listave që shkohet në bazë të procedurave”, tha Ndrejaj.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ndau detaje më shumë, veçse falënderoi stafin për angazhimin.
“Shfrytëzoj rastin vetëm t’i falënderoj për punën e shkëlqyer gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën që po e bëjnë”, tha Vitia.
Deri më tani Fertilizimi IN VITRO në Kosovë ofrohej vetëm në klinika private me çmim që fillon nga 4 mijë euro.

Leave a Reply