ATV

“PLANI I RRITJES”, Situata në Kuvend sjell rrezik për vonesa

Written by

in

Përgatiti: Fatlum Jashari

Derisa marrëveshja e parë nga dy sish, në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, është nënshkruar e është miratuar nga Qeveria, dhe po pret ratifikimin në Kuvend, tjetra nuk është firmosur ende.

Pa dhënë detaje kohore, në Qeveri thanë se marrëveshja e dytë, ajo për kredi, e cila duhet të nënshkruhet me Komisionin Evropian, është duke u finalizuar.

“Hapat e nevojshëm nga ana e qeverisë janë përmbushur tashmë dhe për të vijuar tutje presim finalizimin e Marrëveshjes për Hua nga ana e Komisionit Evropian, për të vazhduar me dorëzimin dhe ratifikimin e të dyjave në Kuvendin e Republikës, çka do të mundësojë më tej edhe marrjen e fondeve për Kosovën”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim.
Por, ratifikimi në Kuvend, i cili është parakusht për përfitimin e fondeve, rrezikon të vonohet për disa muaj.

Kjo pasi, seanca e pasmesnatës në Kuvend javën e kaluar, në të cilët pushteti, pa opozitën, miratoi një mori ligjesh, u konsiderua mbase e fundit e kësaj legjislature.

Derisa krahas Planit të Rritjes, një mori marrëveshjesh të tjera ndërkombëtare mbesin të paratifikuara, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se një seancë e re varet nga vullneti politik i të gjitha partive.

Në një përgjigje për ATV-në, ajo tha se do të përpiqen të thërrasin një seancë për marrëveshjet ndërkombëtare.

Në anën tjetër, partitë opozitare në Tetor thanë se do të mbështesin ratifikimin e dy ujdive nga Plani i Rritjes.

Sidoqoftë, dështimi eventual për ratifikim para zgjedhjeve të 9 Shkurtit rrezikon të vonojë nisjen e projekteve, për të cilat mund të fitohet financimi, deri në vjeshtën e 2025-tës.
Kjo pasi, procedurat dhe afatet e prokurimit marrin kohë.

Praktikat, sipas Ilazit, tregojnë se ankesat dhe shqyrtimi i tyre janë element shtesë në vonesa.

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro në formë grantesh dhe kredish – nëse do të ketë vonesa ose jo, varet kryekëput nga veprimet e të zgjedhurve të popullit në Kuvend.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *