Përgatiti: Armand Hoti
Trainkos së fundmi ka kuptuar se i janë vjedhur afro 19 mijë euro.
Të dyshuarit kryesorë për menaxhmentin, janë konduktorët që punojnë në vagonët e udhëtarëve.
ATV-ja ka kuptuar se ndërmarrja ka porositur edhe inspektimin e disa pajisjeve fiskale.
Referuar vlerësimeve të kompanisë private të angazhuar për analizën e pajisjeve fiskale, dëmtimet mes tjerash ndërlidhen me dëmtim të bllombave dhe manipulim të të dhënave.
“Gjatë periudhës së kontrollit, janë dorëzuar gjithsej 17 pajisje fiskale për të përcaktuar nëse ka ndonjë manipulim nga ana e punonjësve të “Trainkos” Sh.A. Pas analizës dhe kontrollit të
detajuar, u konstatuan shkelje në disa pajisje, duke përfshirë: dëmtime të bllombave, dështime të memorieve fiskale, dëmtime të memorieve fiskale, manipulim i të dhënave, pajisje me gabime në të dhëna dhe pajisje të dëmtuara fizikisht”, thuhet në përgjigjen nga ENTERNET.
Kryeshefi i ndërmarrjes, Agron Statovci, konfirmon dyshimet për hajni.
Ai thotë se për rastin është njoftuar edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë.
“Dëmi i mundshëm mund të arrijë shifra të larta, duke përfshirë një gamë të gjerë rastesh, përkatësisht deri në 15 raste të dyshuara. Me datën 30.11.2024, kemi raportin zyrtar nga ENTERNET nga 17 arkat e dërguar për kontroll 15 nga këto nuk kanë bllomba, ndërsa 3 nga këto arka është konstatuar dhe dëmi kap shumën 18,908.32 €. Në ditët në vazhdim, do t’i pranojmë edhe raportet
përfundimtare, pasi edhe ato janë të manipuluara”, tha Statovci.
Për tre rastet ku keqpërdorimi u evidentua, punëtorët janë ndëshkuar.
Këto raste, janë adresuar edhe në njësitin për krime ekonomike të Policisë së Kosovës.
“Duhet të presim raportin përfundimtar, por këto manipulime duken se janë bërë për një periudhë prej afër 8-9 vitesh ose që nga koha e fiskalizimit 2015-2016. Për tre rastet për të cilat kemi raportet përfundimtare, janë në procedurë disiplinore në bazë të rregullores së brendshme. Po respektojmë çdo procedurë pa nguti, dhe me pranimin e raporteve të tjera do të merren masa konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi për secilin rast veç e veç”, tha Statovci.
Ndërmarrja posedon 25 arka fiskale në total. Inspektimi i tetë të tjerave pritet të bëhet së shpejti.
Sidoqoftë, që nga themelimi i “Trainkosit” si ndërmarrje publike, afarizmi me udhëtarë nuk ka prodhuar profit për kompaninë.

Leave a Reply