Ish-presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë në Gjykatën Speciale në Hagë duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduar të luftës.
“Gjithë jetën time kam punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, me vizionin për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian me raport special të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaçi në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor”, tha Thaçi.
Edhe njëherë, Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.
“Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi, për mbarëvajtjen e rregullt kushtetues dhe ligjor që duhet të ndodh, ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.
Në vazhdimin e kësaj seance, gjykatësja Marjorie Masselot tregoi procedurat që duhet ndjekur për nxjerrjen e materialeve.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, që sjell paraqitjen e dytë të Thaçit në rastin e ri ndaj tij – akuzat për ndërhyrje në dëshmitarë – ai u paraqit përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Sheveningen të Hagës.
Më 6 dhjetor, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.
Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.
Kilaj, Kuçi dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, ndërkaq Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar ende.
Sipas gjykatës, ata kanë afat deri më 7 janar të që bëjnë deklarimin e tyre.
Aktakuza vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.
Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes./KP

Leave a Reply