Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur se tashmë është e qartë se sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës ku rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe zyrtari policor Alban Rashiti, u plagos, ishte sulm terrorist.
Sipas saj, sulmi i sotëm kishte për qëllim vrasjen e policëve dhe nxitjen e konflikteve ndëretnike në Kosovë.
“Tashmë është e qartë për këdo, sulmi i sotëm është sulm terrorist, i planifikuar dhe me objektivë të qartë: vrasjen e policëve, cënimin e rendit kushtetues dhe nxitjen e konflikteve ndëretnike në Kosovë”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo tha se nuk e beson që Serbia është e vetmuar në këtë skenar.
“Tani institucionet tona të rendit duhet të koordinjojnë hapat me aleatët tanë. Grupet kriminale duhet të sillen para drejtësisë. E diplomacia jonë duhet të jetë shumë aktive. Serbia do të mundohet ta përmbysë të vërtetën, si gjithmonë”, ka thënë ish-ambasadorja kosovare në ShBA.
Paraprakisht, ajo i ka shprehur ngushëllime familjes Bunjaku për vdekjen e pjesëtarit të tyre, Afrim Bunjaku, i cili ishte në detyrë kur u vra mëngjesin e sotëm në veri.
“Ditë e trishtë dhe plot dhimbje. Ngushëllime familjes së Afrim Bunjakut, policit të rënë në krye të detyrës. Vrasja e policit në krye të detyrës është sulm mbi institucionin, rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit”, tha Çitaku.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për maturi, qetësi dhe bashkërendim, për të pamundësuar skenaret destabilizuese dhe ogurzeza që tash e sa kohë përgaditen nga kundërshtarët e Kosovës”.

Leave a Reply