ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • Kërkesa e Macron e Scholz për zgjedhje në Veri, Osmani: Ekziston mundësia kushtetuese për zgjedhje të reja

    Kërkesa e Macron e Scholz për zgjedhje në Veri, Osmani: Ekziston mundësia kushtetuese për zgjedhje të reja

    “Ekziston mundësia për zgjedhje të reja në Veri”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, teksa po qëndron në Moldavi, ku është takuar edhe me presidentin francez, Emmanul Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    Më tutje, Osmani ka thënë se ka qenë kërkesë e qartë edhe e Gjermanisë dhe Francës, që kurdo që organizohen zgjedhjet të ketë participim, mos t’u ndalohet serbëve dhe të mos ketë presion mbi ta që ata të participojnë në zgjedhje. Por, sipas presidentes as në këtë kërkesë Vuçiq nuk kishte përgjigje.

    Ajo ka thënë se brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja, mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë në to, ta shfrytëzojnë participimin.

    “Pra ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që dëshirojnë dhe të sigurohen për respektimin e të drejtave të tyre nëpërmjet përfaqësuesve që ata i zgjedhin”, është shprehur Osmani, duke mos e përjashtuar këtë veprim si zgjidhje për shtensionimin e situatës.

    “Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka një përqindje të caktuar të qytetarëve që janë në listën e votimeve e iniciojnë një procedurë të tillë. Pra nëse ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë”, ka nënvizuar Osmani.

  • Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Josep Borrell, zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka treguar për takimin të cilin e ka ndërmjetësuar në mes të presidentes, Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell përmes një deklarimi në Twitter e ka cilësuar si të rrezikshme situatën në Veri të Kosovës.

    Shefi i BE-së për politikë të jashtme nuk ka treguar më shumë për përmbajtjen e bisedës, po që nuk ka treguar që të ketë pasur zgjidhje – duke nënkuptuar se Osmani e Vuçiq nuk janë pajtuar.

    Takimi mes Osmanit dhe Vuçiqit ka ndodhur në Moldavi, në një samit të liderëve evropianë.

    Për situatën në Veriun e Kosovës, presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar vendime konkrete gjatë javës së ardhshme.

    Situata në Veri është e tensionuar që nga e premja e javës së kaluar, kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë u penguan të hynin në objektet e tri komunave veriore të Kosovës.

    Ndërkaq, të hënën situata eskaloi, ku protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR’it, duke u lënduar disa prej tyre.

  • Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiqin, Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

    Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiqin, Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka thënë se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin e Ballkanit dhe ka tendenca për të destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

    “Ne si rajon dhe në veçanti si Kosovë, jemi përballë sfidave. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë, duke tentuar vazhdimisht për ta destabilizuar Kosovën, por edhe shtetet e tjera të rajonit. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese”, tha ajo.

    Osmani vlerësoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i interesuar të përdorë bandat e tij kriminale për të destabilizuar Kosovën.

    Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se nuk ka planifikuar të takohet sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, për të forcuar situatën dhe për të parandaluar destabilizimin e rajonit.

    Presidentja Osmani ka njoftuar se do të zhvillojë takime me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me liderët e tjerë evropianë gjatë samitit.

  • Osmani pranon ftesën për ceremoninë e inaugurimit të Erdoganit

    Osmani pranon ftesën për ceremoninë e inaugurimit të Erdoganit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar ftesën e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

    Osmani është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij më 3 qershor.

    Erdogan fitoi zgjedhjet të dielën që shkojë përballë rivalit Kemal Kılıçdaroğlu.

    Erdogan, kandidati presidencial i Aleancës Popullore fitoi zgjedhjet, duke marrë 52 % të votave. Deri më tani janë numëruar mbi 98 % e votave, ndërsa mbështetësit e liderit turk kanë nisur festën.

  • Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tensioneve të sotme në veri të Kosovë, ku pati përplasje të serbëve me personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës si dhe ndodhën sulme ndaj gazetarëve që po raportojnë nga vendi i ngjarjes.

    Shefja e shtetit shkroi në Twitter se strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Ajo tha se këto akte të dhunës duhet të dënohen nga të gjithë, transmeton Paparaci.

    “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani.

  • ​Osmani thekson shkeljet e Serbisë në marrëveshjet e Brukselit

    ​Osmani thekson shkeljet e Serbisë në marrëveshjet e Brukselit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që aktualisht është në krye të OSBE-së. Në këtë takim, presidentja ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë sa i përket marrëveshjeve të Brukselit.

    E para e shtetit ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka bërë të ditur Presidenca, përmes një komunikate për media.

    Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin e Kosovës me OSBE-në ku presidentja është informuar për prioritetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e këtij misioni.

    “Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndëkombëtarisht”, ka njoftuar Presidenca.

    Ndërsa në temën e raporteve bilaterale me Maqedoninë së Veriut, presidentja ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

  • ​Presidentja priti në takim Bujar Osmanin

    ​Presidentja priti në takim Bujar Osmanin

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Fillimisht Osmani ka takuar homologen e tij, Donika Gërvalla.

    Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së.

    Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në teren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit.

  • Osmani: Drejtësia për masakrën e Dubravës do të jetë triumf i së vërtetës

    Osmani: Drejtësia për masakrën e Dubravës do të jetë triumf i së vërtetës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, ku makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë. Sipas saj, drejtësia për ta do të jetë triumf i së vërtetës.

    Osmani ka thënë se kjo masakër ishte manifestim i egërsisë së Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë, të cilët po mbaheshin në burg si pengje të luftës.

    “Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës. Në këtë përvjetor, kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit. Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”, ka thënë Osmani.

  • Masakra e Stagovës, Osmani: E përhershme përpjekja për t`i sjellë autorët para drejtësisë

    Masakra e Stagovës, Osmani: E përhershme përpjekja për t`i sjellë autorët para drejtësisë

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot 24-vjetorin e masakrës së Stagovës në Kaçanik.

    Ajo ka potencuar se përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë është e përhershme.

    “24-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit dhe dogjën gjysmën e shtëpive. Qëllimet barbare të regjimit kriminal ishin evidente: shfarosja dhe spastrimi etnik. Kujtimi për martirët e Stagovës është i përhershëm, sikurse edhe përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.”, është shprehur Osmani.

    Sot, bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut. Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. 21 maji 1999, pos që ka sjellur dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive./KP

  • Osmani dhe Kurti kërkuan nga BE-ja të ketë qëndrim më të qartë në raport me shkeljet

    Osmani dhe Kurti kërkuan nga BE-ja të ketë qëndrim më të qartë në raport me shkeljet

    Kryeministri Albin Kurti këmbëngul se vetëmenaxhimi i komunitetit serb apo Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk është pika e parë e as e vetmja në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

    Draft-dokumenti i sekuencimit të zbatimit, të cilin ua ka prezantuar Përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajcak, sipas kryeministrit, nuk mund të bëhet marrëveshje nëse ka në fokus vetëm nenin 7.

    “Nuk e përmban neni shtatë marrëveshjen, por marrëveshja nenin shtatë. Këtë gjë zëvendësi im dhe kryenegociatori Bislimi e ka bërë shumë të qartë në takimin e djeshëm që e ka pasur me kryenegociatorin e Serbisë me ndërmjetësimin e zotëri Lajçakut. Ne kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, serioz, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që kemi bërë vetëm në nenin shtatë”, tha Kurti.
    Ai kërkoi që BE-ja të reagojë për shkeljet që Serbia ia ka bërë marrëveshjes.

    “Deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim sa i përket denoncimit tonë për shkeljet e Serbisë. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa”, tha Kurti.

    Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të mos e interpretojë marrëveshjen në atë formë që Asociacioni të vendoset si parakusht për zbatimin e tërësisë së dakorduar.

    “Ne presim që BE-ja të mos kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq, të kërkohet pikërisht ajo që janë pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, tha Osmani.

    Më 11 Maj, gjatë vizitës në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, i prezantoi kryeministrit një draft-dokument për metodologjinë e zbatimit të nenit 7, për vetëmenaxhimin e komunitetit serb.

    Por, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Bruksel tha se nuk mund të ketë draft të metodologjisë, pa pasur plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: