ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • Osmani shpreh keqardhjen që partitë e tjera opozitare refuzuan takimin

    Osmani shpreh keqardhjen që partitë e tjera opozitare refuzuan takimin

    Presidentja Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional, ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

    Përveç takimeve të vazhdueshme me krerët e institucioneve të vendit: Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministren, Ministren e Punëve të Jashtme si dhe ministrat e dikastereve të tjera, Presidentja e ka parë të nevojshme që të mbajë komunikim të rregullt edhe me partitë opozitare, nëpërmjet ftesave të vazhdueshme për takime e ngjarje të ndryshme, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Presidentes.

    “Në këtë kuadër, pas letrës së Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj dhe diskutimeve me krerët e institucioneve, Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”.

    Në letrën e saj, Presidentja ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE.

    Presidentja Osmani, sot paradite ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin ka biseduar për koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional.

    Ndërkaq pasdite, Presidentja Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

    Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.

    Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.

  • Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, aktualisht është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Berlin.

    Ajo tha se në kuadër të margjinave të “SOWG Berlin, 2023”, ka takuar edhe presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

    Me homologun e saj, Osmani tha se pati rastin që të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, transmeton Paparaci.

    “Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Gjermani, konfirmuam gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar ajo në Twitter.

  • Situata në veri, eurodeputetja Burkhard mbështet Kosovën: ShBA dhe KE të ndryshojnë rrugën

    Situata në veri, eurodeputetja Burkhard mbështet Kosovën: ShBA dhe KE të ndryshojnë rrugën

    Zëvendëskryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën, Delara Burkhardt është takuar dje në Francë me presidenten Vjosa Osmanin, me ç’rast kanë biseduar për situatën në Kosovë.

    Burkhard ka mbështetur Qeverinë e Kosovës lidhur me veprimet e fundit në veri të Kosovës, derisa ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar me qasjen karshi Kosovës.

    “Ne socialistët dhe demokratët në Parlamentin Evropian qëndrojmë fuqishëm në anën e Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit. SHBA-të, si dhe Komisioni Evropian po marrin rrugën e gabuar në konfliktin Kosovë-Serbi, në mënyrë që ta lidhin Serbinë më ngushtë me kampin euroatlantik. Kjo politikë injoron rolin destabilizues të regjimit të Vuçiqit, i cili instrumentalizon rregullisht pakicat serbe në rajon për të vepruar kundër qeverive kombëtare në Ballkanin Perëndimor dhe shtetit të Kosovës. Kjo është dritëshkurtër.”, është shprehur ajo.

    Eurodeputetja e SPD-së, Burkhard ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Evropian duhet ta ndryshojnë rrugën e tyre. Ajo e ka konsideruar të mirë planin pesë-pikësh të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin në veri.

    “SHBA dhe Komisioni Evropian duhet të ndryshojnë rrugën e tyre. Ne duhet të emërtojmë dhe të kundërveprojmë politikën e jashtme destabilizuese të Serbisë në mënyrë që të mbështesim Republikën Demokratike të Kosovës të drejtuar nga vlerat e BE-së. Plani 5-pikësh i qeverisë Kurti është një pikënisje e mirë.”, ka shtuar tutje ajo.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

    Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve./KosovaPress

  • ​Rrëmbimi i policëve, Osmani kërkon reagim të ashpër nga ndërkombëtarët

    ​Rrëmbimi i policëve, Osmani kërkon reagim të ashpër nga ndërkombëtarët

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër dhe të veprojnë të unifikuar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Ajo ka thënë se tre zyrtarët policor të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

    Osmani ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka thënë se zyrtarët policor duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

    “Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht. Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shkruar Osmani.

  • Osmani kërkon mbështetjen e PE-së: Evropën e kemi destinacion, qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

    Osmani kërkon mbështetjen e PE-së: Evropën e kemi destinacion, qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

    Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin në Parlamentin Evropian ka kërkuar mbështetje në rrugën evropiane të Kosovës.

    Ajo shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni i Kosovës. Osmani madje kërkoi mbështetje siç tha në këtë moment kritik.

    “Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për të i’u bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”.

    “Jam këtu për ta shfaqur suportin e popullit kosovar. Nuk jemi thjesht pjesë e gjeografisë së Evropës, por vlerat evropiane janë ato qe na bëjnë evropianë. Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Shteti jonë është themeluar mbi vlerat evropiane”.

    “Jemi të vendosur që t’i bashkohemi familjes së BE-së. Integrimi euro-atlantik mbetet destinacioni jonë kryesor. Jam e sigurt se është e ardhmja jonë”.

    Ajo ka folur edhe për luftën në Ukrainë, me ç’rast tha se Evropa ka treguar një bashkim të jashtëzakonshëm e se kur flitet për këtë luftë nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje përveç fjalës paqe, raporton EO.

    “Ky moment kërkon që liderët të bëhen bashkë dhe të marrin vendime të vështira. Nuk do të jetë e lehtë. Njerëzit e Kosovës nuk kanë nevojë ta imagjinojnë vuajtjen e Ukrainës, sepse ne i kemi përjetuar ato. Nuk kemi nevojë të imagjinojnë për humbjet e tyre sepse na mungojnë familjarë tanë dhe miqtë tanë çdo ditë”.

    “Kur themi se jemi përkrah Ukrainës, nuk e themi vetëm por e ndjejmë me çdo qelizë. Kosova ndoshta është një shtet i vogël por do të bëjmë çfarë të mundemi për Ukrainën. Jemi të parët në rajon që kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

  • “Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në Parlamentin Evropian

    “Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në Parlamentin Evropian

    Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

    Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

    “Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar Presidentja Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

    Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

    “Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

    “Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Osmani.

    Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

  • Vjosa Osmani pritet në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

    Vjosa Osmani pritet në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, raporton Ekonomia Online.

    Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian.

    Osmani ka bërë të ditur se në këtë adresim do ta përçojë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.

    Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.

    Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

    Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

    Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

  • Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

    Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, shkruan KosovaPress.

    Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.

    Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

    Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

    Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

    Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

  • Presidentja Osmani reagon me një foto, pas paralajmërimeve për sanksione ndaj Kosovës

    Presidentja Osmani reagon me një foto, pas paralajmërimeve për sanksione ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka bërë një reagim të shkurtër, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

    Së fundmi, REL ka raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

    Prandaj, pas këtyre raportimeve, shefja e shtetit ka publikuar një fotografi në rrjete sociale duke shkruar se “Evropa është shtëpia jonë”.

    Rreth tensioneve në veri të Kosovës është deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke paralajmëruar “pasoja të mëdha” për Kosovën nga shtetet perëndimore.

    Rama tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

    “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

  • ​Osmani në Strasburg theksoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    ​Osmani në Strasburg theksoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Strasburg ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić. Në këtë takim, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut.

    Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin e të drejtave të njeriut përmes mekanizmave që i ofron Këshilli.

    “Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa shprehu domosdoshmërinë për anëtarësimin e Kosovës, duke nënvizuar progresin që ka shënuar Kosova në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me konventa ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.

    Osmani ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare, si dhe ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike për ta avancuar tutje këtë proces.