ATV

Tag: Qeveria e Kosovës

  • Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Vendimi i Kurtit për shpronësime në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Lista Serbe

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.

    Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.

    “Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.

    Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.

    “Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.

  • Qeveria miraton shpronësimet në veri, njofton rritje buxheti për komunat

    Qeveria miraton shpronësimet në veri, njofton rritje buxheti për komunat

    Me lavde për rritjen e buxhetit për komunat për vitin e ardhshëm dhe akuza për opozitarizëm nga to, kryeministri Albin Kurti nisi mbledhjen e Qeverisë.

    Kryeministri tha se buxheti i përgjithshëm komunal më 2024 do të jetë më i larti ndonjëherë – 742 milionë euro apo rritje prej 35%, sikurse edhe granti komunal me 284 milionë euro.

    Pasi tha se ka rritje të granteve specifike për arsim e shëndetësi, për 18 dhe 16 për qind, kryeministri njoftoi se javën tjetër do të takojë kryetarët e komunave.
    “Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta të mbështetjes dhe gatishmërisë së Qeverisë për bashkëpunim të afërt me komunat. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë nivelit qendror, gabim ka qenë atëherë, gabim tash”, tha Kurti.

    Ekzekutivi i dha vlerësim pozitiv Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mes tjerash rregullon organizimin e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Kosovës – përfshirë mënyrën e votimit të mërgatës.

    Pas disa muajsh bllokade të punimeve për rrugën dhe stacionin e Policisë në fshatin Dren të Leposaviqit, pas dëgjimeve publike me banorët, Qeveria miratoi vendimin preliminar për shpronësime për projektet infrastrukturore në këtë komunë dhe zonave të tjera me interes publik në Zubin Potok.

    “Zonat kadastrale, Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshtovë, komuna Leposaviq dhe zonat kadastrale Bërnjak, Zubin Potok, Bregu i Madh, Banjë, Jasenovik, komuna Zubin Potok… Departamenti i shpronësimit ka konstatuar se janë përmbushur në tërësi dispozitat ligjore dhe vendos që të procedojë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, propozimin preliminar me të cilin miratohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik”, tha zëvendësministri i MMPHI-së, Avni Zogiani.

    Po ashtu, u mor vendimi preliminar për shpronësime në zonat përkatëse në Obiliq dhe Fushë-Kosovë për realizimin e projektit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik nga KEK-u, me kapacitet rreth 100 megavat orë energji.

    Ekzekutivi i dha mbështetje nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Gjermanisë, në vlerë të përgjithshme rreth 28 milionë euro, për promovimin e sipërmarrjes.

    Qeveria miratoi një pako të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në përputhje me përditësimin e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja, në raport me zhvillimet në Ukrainë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria e lumtur me miratimin e raportit të KE-së për Kosovën

    Qeveria e lumtur me miratimin e raportit të KE-së për Kosovën

    Qeveria Kosovës ka përshëndetur miratimin e sotëm nga Parlamenti Europian të raportit për Kosovën, i cili, siç thotë Qeveria, evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

    “Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport”.

    Zyra e Kryeministrit në komunikatën për media ka përmendur disa nga pjesët e këtij raporti ku lavdërohet Kosova, përfshirë edhe paragrafët përmes të cilëve PE kërkon që të mbështetet Kosova në rrugën e saj integruese.

    Komunikata e plotë:

    Qeveria e Republikës së Kosovës, përshëndet miratimin e sotëm nga Parlamenti Evropian të raportit për Kosovën, i cili evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

    Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport.

    Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL.

    Lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

    Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021.

    Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme.

    Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht përformancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura.

    Në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive. Ndërkohë, dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në raport evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

  • 22 vendime në mbledhjen e 140 të të Qeverisë

    22 vendime në mbledhjen e 140 të të Qeverisë

    Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave dhe ai fillestar në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas kryeministrit Albin Kurti, i ka bërë kosovarët të ndihen më shumë evropianë.

    Në nisje të mbledhjes së Qeverisë, ai tha se krahas pasaportës po forcohet shteti.

    “Këto dy vendime të rëndësishme konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane dhe se jemi në rrugën e duhur”, tha Kurti.

    Një ditë para Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukur.

    “Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare, e cila do të vazhdojë të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente”, tha Kurti.

    Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Rrezarta Bajrami, Besim Demolli, Vjollca Kadolli, dhe Naim Bardiqi u emëruan anëtarë në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës.

    Qeveria shfuqizoi vendimin e marrë në kohën kur kryeministër ishte Avdullah Hoti, për ndalimin e procedurave për blerjen e veturave nga ministritë dhe agjencitë vartëse.

    “Ministria e Financave propozon shfuqizimin e këtij vendimi, bazuar në disa faktorë, përfshirë kërkesat e shumta të marra nga autoritetet kontraktuese, si dhe kufizimin që këto vendime kanë bërë në zhvillimin e aktiviteteve operative të disa prej autoriteteve kontraktuese”, tha ministri Hekuran Murati.

    Dhjetë milionë euro qeveria i ndau për programin për efiçiencë të Energjisë, ndërsa 9 milionë të tjera të ndara më herët për subvencionimin e kursimit të energjisë i zëvendësoi me mjetet e marra nga BE-ja.

    Ekzekutivi miratoi tri marrëveshje me Slloveninë, për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, ekstradim dhe ndihmë juridike, të cilat do të dërgohen për ratifikim në Kuvend. /atvlive.tv

  • Këto janë të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

    Këto janë të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje janë marrë një sër vendimesh.

    Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria në mbledhje:

    Projekt-rregulloren për Zëvendësimin apo Mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil. Kjo Rregullore përcakton rregullat dhe procedurat për plotësimin e pozitës në rast të nevojës të zëvendësimit apo mungesës së përkohshme nga puna, të një nëpunësi civil.

    Udhëzimin Administrativ për Shitjen e të Dhënave Statistikore. Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohet mënyra dhe kushtet e shitjes së të dhënave statistikore, kryerja e shërbimeve të veçanta për shfrytëzues të ndryshëm, llogaritja e shpenzimeve (profesionale dhe operative) për kryerjen e tyre, si dhe mënyra e përdorimit të të hyrave të fituara me shitjen e të dhënave statistikore nga ASK dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare.

    Udhëzimin Administrativ për Mbrojtjen e të Dhënave Statistikore dhe Qasjen në të Dhëna Mikro. Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ përcaktohen masat për mbrojtjen e të dhënave statistikore si dhe kushtet dhe të drejtat e përdoruesve për lejimin e shfrytëzimit të të dhënave të fshehta statistikore.

    Vendimin për lehtësimin e qasjes së personave të verbër në aktet nënligjore të Qeverisë dhe ministrive të publikuara në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Një ndryshim i këtillë në kuptimin teknik ndikon drejtpërdrejtë në informim më të saktë dhe punë më cilësore, por mbi të gjitha ndihmon personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë të drejta të barabarta, ashtu siç u takon.

    Vendimin për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë sipas Planit të Zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike. Për këtë qëllim janë ndarë mjetet në vlerë prej dhjetë milionë euro. Mjetet e ndara transferohen te Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe do të përdorën për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.

    Vendimin për plotësimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit, të aprovuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 06/ 27 të datës 30 prill 2020. Vendimit i është bashkangjitur edhe Lista me artikujt dhe shërbimet që janë pjesë e prokurimeve të përbashkëta.

    Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e pikës 1.1 të Vendimit të Qeverisë Nr.31/99, në kuadër të Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Nëntë milionë euro janë ndarë për zbatimin e vendimit për mbështetjen e tejkalimit të krizës energjetike në kuadër të pakos së Ringjalljes ekonomike. Vendimi gjithashtu aprovon bartjen e shpenzimeve aktuale të realizuara deri në fund të muajit shkurt 2023 në vlerën prej tetë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e dy mijë eurove.

    Vendimin për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë Nr.05/36 të datës 19 tetor 2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 15/19 të datës 14 korrik 2021 dhe Vendimin Nr. 29/116 të datës 28 dhjetor 2022 (MFPT) Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.05/36 i datës 19.10.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin Nr. 15/19 të datës 14.07.2021 dhe Vendimin Nr. 29/116 të datës 28.12.2022. Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.10.2020 ka nxjerrë Vendimin Nr. 05/36 me anë të të cilit ka ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre përmes procedurave të prokurimit publik.

    Qeveria ka aprovuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes plotësuese të Grantit në vlerë 13.2 milionë euro ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KfË Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina” për Projektin “ Programi i Ujërave të Zeza të Kosovës II”. Negocimi i kësaj marrëveshjeje do të bëhet konform dispozitave të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.

    Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për “Forcimin e Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve”. Marrëveshja e Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtarë për Zhvillimin e projektit “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve është përmbyllur me sukses dhe kjo marrëveshje do t’i mundësojë Qeverisë që të përmirësojë cilësinë e një numri të shërbimeve administrative publike dhe do të zvogëlojë barrën administrative përmes avancimit dhe sigurimit të ndërveprueshmërisë se sistemeve të përzgjedhura.

    Kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e Projektit “Sistemi i monitorimit elektronik”, për vitin 2023. 600 mijë euro janë ndarë për këtë qëllim.

    Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 15 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës me qëllim të Promovimit të Republikës së Kosovës, dhe bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Forumit Ekonomik të Vjenës dhe Qeverisë së Kosovës/Zyrës së Kryeministrit të Kosovës të datës 12 janar 2023.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Zbatimin e Ndërsjellë të Aktgjykimeve në Çështjet Penale.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Ekstradimin.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale.

    Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës. Në shërbim të kësaj, po iniciojmë aderimin e Republikës së Kosovës në ICMP. Kjo nismë shton mundësitë për rritje të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë. Po ashtu, i shërben rritjes së kapaciteteve të mjekëve ligjorë dhe specialistëve të tjerë të fushës së antropologjisë dhe arkeologjisë forenzike në institucionet tona.

    Vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me Nr. 689 të datës 20 prill 2023 jep mendim lidhur me Nismën Legjislative “Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”. Qeveria ka vlerësuar nismën dhe ka rekomanduar miratimin e tij, Ky Ligj ka për qëllim që të përcaktojë rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë edhe rregullat e përgatitjes, zhvillimit, administrimit, mbikëqyrjes, dhe shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Është informuar për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II) gjatë periudhës tetor – dhjetor 2022 (ZKM). Për zbatimin e këtyre prioriteteve, institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kanë hartuar Planin e Veprimit (PV ERA II), i cili është miratuar nga Qeveria, më 11 gusht 2021, dhe nga Kuvendi, më 4 tetor 2021. Prioritetet e ERA II, përmes këtij plani të veprimit, do të zbatohen brenda një periudhe dyvjeçare, deri në mesin e vitit 2023.

    Vendimin për ndarjen e mjetet financiare në vlerë prej 157 mijë euro për bashkëfinancim të projektit për përmirësimin e sistemit të qeverisjes digjitale,

    Vendimin për ndarjen e mjeteve për zbatimin e Pakos për Ringjallje Ekonomike, për masat e mbështetjes së punësimit të grave, likuiditetin familjar.

    Plotësim ndryshimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe me masën për mbështetjen e punësimit të punëkërkuesve nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

    Vendimin për zbatimin e masës së re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, mbështetja e punësimit të punëkërkuesve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, janë ndarë fillimisht tre (3) milion euro.

    Vendimin për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinikë, Universitar të Kosovës përbërjen si në vijim:

    Dr.Dren Boshnjaku, si përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës;

    Dr.Tetore Olloni, si përfaqësuese nga Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;

    Dr.Rrezarta Bajrami, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik;

    Dr.Besim Demolli, nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;

    Dr.Vjollca Kadolli, nga Shërbimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor;

    Dr.Naim Bardiqi, si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë;

    Në Bord është edhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor, që zgjidhet përmes konkursit publik.

  • ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lëshuar edhe një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku ka theksuar se fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.

    Qeveria në këtë deklaratë vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në deklaratë.

  • ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai, transmeton KP.

    Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.

    “Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti.

  • Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit ka folur lidhur me nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Para deputetëve, ajo ka thënë se ky proces është zvarritur shumë, ndërsa ka thënë se në dy vitet e fundit shtyrja e liberalizimit u ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dhe pa arsyetime formale liberalizimi i vizave përdorej si shkop I kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut”, është shprehur Kusari-Lila.

    Tutje, ajo ka deklaruar se “serioziteti i Qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për liri të fjalës dhe media të lira, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtja në llogaridhënie e Serbisë në procesin e dialogut, ka pamundësuar shtyrjen e mëtejshme të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”.

    “Askush nga spektri politik nuk e mohoi se kriteret teknike tashmë ishin plotësuar, por gjithashtu është e pakontestuar se vullneti politik I munguar të vendet e Bashkimit Evropian është rikthyer me kredibilitetin e qeverisjes në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

  • “Qeveria u thotë “jo” 45 milionë eurove”, dje shfuqizoi vendimin për dhënien e statusit “investitor strategjik” për një kompani

    “Qeveria u thotë “jo” 45 milionë eurove”, dje shfuqizoi vendimin për dhënien e statusit “investitor strategjik” për një kompani

    Një ditë para se ta merrte përfundimisht statusin e investitorit strategjik, Qeveria e shfuqizoi vendimin që i hap rrugë investimit 45 milionësh të kompanisë ““MOXICO LUMA KOSOVA MINING” në disa fshatra të Vushtrrisë e Mitrovicës.

    Për këtë vendim ndaj kompanisë të cilës fillimisht drita e gjelbër iu dha në qeverisjen e Avdullah Hotit dhe u rikualifikua si investitor strategjik në dhjetor të viti të kaluar, nga Qeveria thonë se në projektin investues kishe të dhëna të pavërteta.

    “Veprimi i Qeverisë është mbështetur në Ligjin Nr. 05/L – 079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës. Ky Ligj i mundëson Qeverisë se në rast se gjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues, ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por veç saj sot në Kuvend deputetët do të duhej të votonin edhe për ligjin e ri për investime strategjike, por në mungesë kuorumi nuk u arrit as të diskutohej.

    “Sot Qeveria e ka sjellë në Kuvend një ligj tjetër, me një emërim tjetër për investime të qëndrueshme që në një farë formë e abrogon komplet metodologjinë e investitorëve strategjikë dhe e centralizon pranë zyrës së kryeministrit dhe e shuan agjencinë KIESA”, tha kryetari i Komisonit për Ekonomi, Ferat Shala.

    Sipas tij, nëse investitorët lënë Kosovën do të jetë dëm i madh për ekonominë e vendit.

    “T’i thuhet “jo” një investitori që sot vjen në këtë krizë ekonomike, të investojë 45 milionë euro në Vushtrri e Mitrovicë, pa asnjë bazë për teke personale, është dëm i madh për Kosovën, dëm ekonomik, dëm politik dhe largim ekstrem i investitorëve ndërkombëtarë”, tha Shala.

    Gjatë dy viteve të Qeverisjes Kurti është vetëm një kompani që e ka marrë statusin si “investitor strategjik” derisa 10 të tjera janë në pritje. /atvlive.tv

  • Vjen reagimi i Qeverisë për vizat

    Vjen reagimi i Qeverisë për vizat

    Qeveria e Kosovës e quajti moment kyç përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët, derisa tha se falë punës së saj, u arrit ky zhbllokim.

    Ajo tha të martën pas përfundimit të votimit në Parlamentin Evropian se vendimi do të nënshkruhet të mërkurën në Strasbourg nga PE-ja dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

    “Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

    Qeveria theksoi se qytetarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i 2024-s.