ATV

Tag: Qeveria e Kosovës

  • Borxhi publik shënon rritje, mjetet po shpenzohen për zhvillim ekonomik

    Borxhi publik shënon rritje, mjetet po shpenzohen për zhvillim ekonomik

    Për mbi 22 milionë euro është rritur borxhi ndërkombëtar i Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar.

    Nga janari deri në qershor të 2023-s, borxhi i jashtëm kap vlerën e mbi 663 milionë eurove. Ndërsa, borxhi i brendshëm, nga 1 miliard e 112 milionë euro sa ishte më 2022, në gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte 1 miliard e 9 milionë euro.

    Sipas Ministrisë së Financave, tërheqjet në shumat më të larta janë realizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

    Por si janë shfrytëzuar këto para tregoi Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë për RTK-në.

    “Mjetet nga borxhi janë duke u shfrytëzuar për projekte të ndryshme infrastrukturore, për projekte të efiçiencës së energjisë dhe projekte për mbështetje në reforma strukturore për vendin. Të gjitha projektet janë në lidhje me programin qeverisës dhe prioritetet e ministrive përkatëse, qëllimi përfundimtar i të cilave është zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve”.

    Sipas auditorit, qeveria duhet të sigurojë që para se të merren vendimet për financimin e projekteve me huamarrje, të jenë bërë analiza të hollësishme me qëllim të shfrytëzimit sa më efikas të këtyre fondeve. Ndërkohë profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, tregon se sa ka ndikuar në zhvillimin ekonomik rritja e borxheve.

    “Dy vite për të bërë transformime për të bërë kthesa në zhvillim është një periudhë e shumë e vogël., prandaj të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur janë rezultat i ndikimit të përhershëm. Por në dy vitet e fundit kanë munguar investimet publike, të cilat janë në nivel tejet të ulët dhe ato janë faktorë tejet të rëndësishëm të krijimit të bruto-produktit të vendit”, tha profesor Sadiku.

    Do theksuar se borxhi publik i Kosovës ndër vite ka shënuar rritje.

  • Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Kështu ka bërë të ditur Zyra për Informim e kryeministrit Kurti.

    Mbledhja është njoftuar të fillojë në ora 11:00.

    Rendi i ditës për këtë mbledhje nuk është bërë akoma i ditur.

  • ​Qeveria tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

    ​Qeveria tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

    Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve në media për numrin e këshilltareve të kryeministrit Albin Kurti.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë ashtu siç është raportuar.

    Kryeziu ka shkruar në Facebook se numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

    Ai tha se numri 38 i raportuar mbrëmë (e hënë) përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët

    “Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë. Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit. Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33”, ka shkruar Kryeziu.

    Ai më tej ka thënë se kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm.

    “Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, ka shkruar në Facebook Kryeziu.

  • Mbrojta e të akuzuarit për krime lufte i kërkoi Albin Kurtit të dëshmojë, reagon Qeveria

    Mbrojta e të akuzuarit për krime lufte i kërkoi Albin Kurtit të dëshmojë, reagon Qeveria

    Mbrojtja e Dragisha Millenkoviqit, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit ka dorëzuar një kërkesë në Qeverinë e Kosovës.

    Avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes të intervistohet për këtë rast.
    Duke përmendur faktin se Kurti, në kohën kur i dyshuari Millenkoviq ka punuar në burgun e Prishtinës, ka qenë i arrestuar, Vasiq thotë që dëshmia e kryeministrit është shumë e rëndësishme për klientin e tij.

    ATV-ja ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për media, për një qëndrim rreth kërkesës së Vasiq. Qeveria përmes një përgjigje me shkrim, ka mohuar se kryeministri Kurti ka pranuar ndonjë ftesë nga institucionet e drejtësisë.

    “Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Gjykatat për t’u paraqitur në ndonjë cilësi. Nuk besoj që e ka marrë malli për to. As për këtë rast ai nuk pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga institucionet e drejtësisë. Nëse gjykatat kanë ndonjë kërkesë ndaj tij, atë le ta bëjnë zyrtarisht dhe për të do të marrin përgjigje”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim në Qeverinë e Kosovës.

    ATV dje ka raportuar se avokati Dejan Vasiq ka paraqitur kërkesën e tij që Kurti të jetë i fituar si dëshmitar i mbrojtjes edhe Prokurorisë Speciale.

    Rasti ende është në fazën e hetimeve.

    Millenkoviq u arrestua në qershor të këtij viti, e pakënaqësitë për arrestimin e tij i shprehën banorët e Graçanicës përmes protestave disa ditë me radhë./atvlive.tv

  • PSD-ja me aksion para Qeverisë në mbrojtje të gazetarëve

    PSD-ja me aksion para Qeverisë në mbrojtje të gazetarëve

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur të enjten aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, duke i vendosur kamera e mikrofon në kafaz, që simbolizon mbështetje për gazetarët, raporton Ekonomia Online.

    Sipas PSD-së kryemisnitri Albin Kurti i do mediet e mbyllura, të kufizuara, të disiplinuara, të varura dhe pa imagjinatë.

    “Sulmi ndaj mediave është me paramendim. Caku që pushteti aktual ka vënë merr me vete krejt çka i del përpara, deri në mbërritje. Të paktën këtë e dëshiron. E kësaj nuk i shpëtojnë dot as mediat, siç nuk i shpëtuan as mësimdhënësit, as sindikatat, as tregimi për UÇK-në. E gjithë shoqëria është në shënjestër. Një vetëdije e re po tentohet të mbjellët, dhe kjo përmes falsifikimeve”.

    “Tutje, antikorrupsioni është lidhur me antikombëtarizimin. Se kjo dhezë, apo jo? Ta ushqejmë nacionalizmin, siç bëri me veriun e vendit. Pushteti na bëri sinonime, sepse propaganda nuk guxon të ketë hapësira të pambuluara shpjegimi. Ka përgjigje për çdo gjë. Ajo thotë: ata që nuk e duan vendin, na e vodhën, sepse veç një antikombëtar vjedh. Ky moral i hekurt është grusht për këdo që analizon e kritikon”.

    “Prandaj sulmohen mediat. Dhe nuk ka nisur dje. Fillimisht duke abstenuar në emisione, tutje përzgjodhi RTK-në, të cilës ia kontrollon bordin (por doli veprim i paligjshëm shkarkimi i bordit të kaluar), deri tek mbyllja që filloi me Klan Kosovën. Në një rend autoritar çështjet teknike janë çdo here edhe politike. Pyetja shtrohet: çka iu duhen mediat? E po, propaganda nuk është vetëm transmetim lajmesh, ajo interpreton ato sipas versionit zyrtar. Dhe me këtë vdes pluraliteti”.

  • Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e reja në lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – por, vetëm përmes iniciativës së qytetarëve dhe pas votimit për shkarkim të kryetarëve aktualë.

    Pa dhënë detaje se çfarë saktësisht është duke u bërë, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet do të sigurohen që baza ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të jetë gati sa më shpejtë të jetë e mundur.

    Meqë asnjëherë më parë nuk janë shkaktuar zgjedhje referuar Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryeministri Kurti tha se nuk e di sa kohë merr plotësimi i bazës ligjore e procedurale dhe procesi zgjedhor.

    “Ne çfarë po punojmë në këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajve të gushtit, kur është pushim në institucione, është që të sigurohemi që kjo përvojë e re që do të kemi, me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për ne, të jetë aq i sigurt sa që i pasfidueshëm në kuptim legal dhe juridik”, tha Kurti.

    Detaje nuk dha as ministri Elbert Krasniqi, i cili iu referua vetëm legjislacionit ekzistues.

    “Baza ligjore, e cila del dhe buron nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, për të cilën unë kam kompetencë të flasë, tjerat pastaj janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

    Pasi theksoi se shkaktimi i zgjedhjeve të reja përmes iniciativës qytetare, votimit për shkarkim të kryetarëve merr kohë, Selatin Kllokoqi nga D+, thekson se KQZ-ja duhet të plotësojë disa akte të brendshme para se të shkohet me këtë formë.

    “Mirëpo edhe këtu është një pengesë, sepse parashihet që kjo proceduralisht të rregullohet me rregullore nga KQZ-ja, e cila nuk është e rregulluar. Pra, hipotetikisht nëse do të ndodhte që kryetarët të mos japin dorëheqje, procedura e shkarkimit do të kërkonte kohë… Dhe, pjesa tjetër është edhe KQZ-ja duhet të aktivizohej që të aprovonte rregulloret e caktuara, të cilat e rregullojnë këtë çështje”, tha Kllokoqi.

    Si hap për deeskalim, Qeveria mbështetë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – por vetëm në pajtim me kuadrin ligjor dhe kushtetues, jo përmes dorëheqjes së kryetarëve të zgjedhur më 23 Prill.

    Qeveria, po ashtu, e lidhë procesin e ri zgjedhor me heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kryeministri Albin Kurti iu ka kërkuar gazetarëve që të marrin përgjigje nga Këshilli Prokurorial për lirimin e të arrestuarve në veri.

    Kurti tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se nuk është i kënaqur me Prokurorinë dhe se nuk i di detajet e lirimeve të fundit.

    “Unë nuk i kam parasysh hollësitë e lëndëve të veçanta dhe as detajet se qysh është marrë vendimi i tillë. Natyrisht, ju e dini se në përgjithësi me Prokurorinë nuk jam i kënaqur. Besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant”, tha Kurti.

    Kryeministri përmendi se institucionet i kanë ofruar “numër të madh të informacioneve” organeve të ndjekjes.

    “Ata do të duhej të japin përgjigje se si bëhet që dikush qëndron në paraburgim për muaj të tërë, e dikush as një muaj ose as tre muaj, siç zakonisht bëhet vazhdimi i paraburgimi”, tha Kurti.

    “Edhe unë nuk jam i bindur për korrektësinë”, theksoi ai.

  • ​Mbledhja e qeverisë, adresimi i Kurtit u dedikohet Adem Demaçit dhe Enver Zymberit

    ​Mbledhja e qeverisë, adresimi i Kurtit u dedikohet Adem Demaçit dhe Enver Zymberit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës e ka nisur duke nderuar dhe kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçin dhe heroin, Enver Zymberi i cili ka rënë në krye të detyrës. Për këtë të fundit ai tha se drejtësia dhe dënimi për vrasësit e tij janë domosdoshmëri.

    Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se për Demaçin jeta dhe liria ishin një, ndërsa u zotua se do t’i qëndrojnë besnik mësimeve dhe trashëgimisë që la pas.

    “I kaloi 28 vite nëpër burgje e mbeti i pathyeshëm përherë përballë pushteteve shtypëse jugosllave e serbe mbi shqiptarët, për asnjë moment nuk pranoi kompromise me lirinë edhe atëherë kurë iu mohua liria e iu kërcënua jeta sepse për bacën Adem liria dhe jeta ishin një, jetën për liri e liri deri në vdekje. Përkulemi para veprës së tij me zotimin për t’iu qëndruar besnik mësimeve dhe trashëgimisë që la pas”, theksoi Kurti.

    Kryeministri, Albin Kurti po ashtu në hyrje të kësaj mbledhjeje përkujtoi edhe rënien e zyrtarit policor, Enver Zymberi, 12 vite më parë në krye të detyrës, për çka tha se drejtësia dhe dënimi për vrasësisit e tij janë domosdoshmëri.

    Gjatë kësaj mbledhje kreu i ekzekutivit kosovar ka kujtuar dhe nderuar edhe rënien në detyrë të 22 zyrtarëve të tjerë policorë.

    “Kjo datë përkon me përvjetorin e rënies së zyrtarit policor, heroit, Enver Zymberi. 12 vjet më parë ai u vra nga strukturat kriminale të Serbisë gjatë një aksioni që po zhvillonte Policia e Kosovës në veri e vendit tonë. Enver Zymberi do të mbetet simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe ligjshmërisë në Kosovë. Drejtësia dhe dënimi për vrasësit e tij është domosdoshmëri, ndërsa vijimësia e angazhimit të kolegëve të tij në çdo cep të Republikës sonë është shembulli më i mirë që kemi mes nesh”, u shpreh ai.

    Sot bëhen pesë vjet prej kur ndërroi jetë veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ndërsa 12 vjet nga rënia e heroit, zyrtarit policor, Enver Zymberi.

    Qysh në mëngjesi Kurti bashkë me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca bënë homazhe tek varri i Demaçit, ndërsa në orën 19:00 nën patronatin e kryeministrisë do të organizohet akademi përkujtimore.

    Ndërsa, po ashtu sot në orën 17:00 në kampin “Belvedere” në Mitrovicë do të organizohet ceremonia ku ky kamp do të marr emrin e heroit, Enver Zymberi. /KP

  • Qeveria miraton projektligjin për skemat pensionale

    Qeveria miraton projektligjin për skemat pensionale

    Imer Ramabaja për 35 vjet me radhë ka punuar në revistën “Rilindja”. Por, përkundër përvojës së gjatë të punës, ai merr një pension prej 100 eurosh si pensionist.

    “Kam punuar 35 vjet në Rilindje, jam mbetë me 100 euro pension, stazhi prej 81-shës deri në 89-tën më është pranuar, ndërsa tjetër stazh nuk kam”, tha Ramabaja.

    Por, me miratimin në Qeveri e më pas në Kuvend të projektligjit për reformat pensionale, ai dhe shumë pensionistë të tjerë do të jenë përfitues të pensionit kontribut pagues.

    “Vendimin e Qeverisë për ndryshim të ligjit e mirëpresim me duar të hapura, kemi mbetur me 100 euro pension dhe është shumë vështirë me jetu e me mbajtë familje me 100 euro pension”, tha Ramabaja.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, thotë se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë persona, derisa dha detaje për ndryshimet që parashihen në këtë projektligj.

    “Si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë persona, shumë punëtorë të cilët kanë kontribuar me 14 vjet e 11 muaj, por për shkak të largimit të dhunshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë kushtin prej 15 vjetësh. E me këtë rast, me këtë ndryshim-plotësim të këtij ligji ne po e zhbëjmë atë diskriminim, sepse do të mundësohet që nga periudha qëkur janë larguar nga puna e deri në 1 janar të vitit 1999, këtu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa lartësia e pensionit pastaj do të caktohet, bazuar në vitet që kanë kontribuar në fondin pensional”, tha Murati.

    Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti tha se nëpërmjet këtij projektligji ofrohet trajtim i barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale.

    “Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po e bëjmë reformën pensionale. Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët. Kjo skemë e zhduk dallimin dhe margjinalizimin, e u garanton qasje të mira sociale të gjithëve. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku”, tha Kurti.

    Përveç projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, Qeveria e Kosovës ka miratuar Kodin Doganor dhe të Akcizave, që paraqet kornizën gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës së Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria: Është hera e parë që një mbledhje e dy qeverive anulohet në mënyrë të njëanshme

    Qeveria: Është hera e parë që një mbledhje e dy qeverive anulohet në mënyrë të njëanshme

    Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja e përbashkët me Shqipërinë është anuluar në mënyrë të njëanshme nga kjo e fundit. Për KosovaPress ka folur zëdhënësi Përparim Kryeziu duke theksuar se nesër në Gjakovë do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja.

    Një ditë para mbledhjes së dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se nuk mund të mbahet një takim i tillë në kohën kur sipas tij “Kosova po digjet në reputacionin ndërkombëtar”.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit Kurti një tjetër format takimi.

    Ndërsa zëdhënësi i ekzekutivit kosovar ka thënë se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.

    “Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë.

    Sipas tij, janë qytetarët ata të që do të humbasin më së shumti nga mosnënshkrimi i marrëveshjeve të parapara.

    “Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të mëdha organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, ka thënë Kryeziu.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka deklaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti duke theksuar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, beson që propozimi i tij për draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.