ATV

Tag: Qeveria e Kosovës

  • Qeveria e Kosovës sot mban mbledhje

    Qeveria e Kosovës sot mban mbledhje

    Qeveria e Kosovës të martën do të mbajë mbledhje ku në rend dite janë një sërë pikash për shqyrtim e miratim.

    Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30.

    Në mesin e tyre është edhe shqyrtimi i ratifikimi të marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Ekzekutivi do të shqyrtojë Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komunitetit pakicë në katër komunat veriore, e disa pika të tjera.

  • Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës Albin Kurti numëroi sukseset e qeverisë së tij, derisa shënoi 3 vjet në pushtet.

    Në vazhdën e sukseseve të arritura, kryeministri Kurti numëroi edhe ndërtimin, rinovimin dhe adoptimin e çerdheve duke rrumbullakuar numrin në 34. Por premtimin, që për çdo vit të qeverisjes të ndërtohen nga 40 çerdhe nuk ndodhi ngase që nga 2021-ta, u ndërtuan vetëm 4 nga 160 sa u tha.

    Njëra nga komunat që do ta kishte një çerdhe, nëse gjithçka do të shkonte, sipas planit, do të ishte komuna e Deçanit, e cila ende nuk e ka asnjë çerdhe publike.

    “Në komunën e Deçanit nuk e kemi asnjë çerdhe publike, edhe pse kemi bërë kërkesë për ndërtim të çerdheve ende s’kemi marrë asnjë përgjigje. E kemi dëgjua ministren që ka thanë që komunat nuk kanë qenë të gatshme, por ne komuna e Deçanit jemi kanë të gatshëm dhe të gjitha dokumentet i kemi përcjellë për në ministri, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria as pro e as kundër”, deklaroi Besnik Hulaj nga drejtoria e Arsimit në Deçan.

    Deklarimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat janë fajtore për mosndërtimin e çerdheve, po e kundërshton nënkryetari i Asociacionit të Komunave.

    “Përgjegjësia duhet të bartet në komuna e jo të jetë nën përgjegjësinë e nivelit qendror. Nëse niveli qendror mendon që të bartë këtë përgjegjësinë në nivelin lokal, atëherë komunat do të jenë më të përgjegjshme, por derisa kjo mundësi ekziston vetëm në nivelin qendror nuk mund të fajësohet niveli lokal”, tha Sazan Ibrahimi, nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Krejt ky mosrealizim i premtimeve për çerdhet po shihet me shqetësim edhe nga njohësit e arsimit.

    “Fusha e arsimit ka nevojë të madhe për investime që të përmirësohet gjendja, fatkeqësisht në bazë të parametrave qeverisja aktuale nuk ka përmbushë aspak premtimet. Premtimet, fjalët kanë qenë shumë të bukura, por jo punët sepse ka çaluar në realizimin e tyre, këto investime kanë qenë shumë të vogla më tepër kanë qenë sa për sy e faqe, Kryeministri mundohet që adaptimin e objekteve të vjetra mundohet me paraqitë si rezultat”, u përgjigj njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëntë komuna nuk kanë asnjë çerdhe publike, 18 prej tyre e kanë vetëm nga një, ndërsa 7 komuna kanë nga dy e më shumë.

    Sipas një raporti për Kosovën nga BE-ja, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor mbetet e ulët, në 6,7% nën mesataren në rajon./atvlive.tv/

  • Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, në mbledhjen elektronike që ka zhvilluar mbrëmë.

    “Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e treqind e katër dhjetë euro e gjashtëdhjetë e dy cent (68,994,340.62€) për zbatimin e Masës 3.5 – Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë dhe Masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.

    Vendimi për ndarjen e këtyre shtesave është marrë më 13 dhjetor.

    “Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me kod 201 ndahet shuma prej 28,000,000 euro në nën-programet me kod 00100, 00200, 00400, 01100, 01200, 01400, 02700, 02900, 03000, 03100, 00600, 00300, 02500 në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr. 43/178 i datës 13.12.2023. Shumat përkatëse për secilin nën-program sipas kësaj pike precizohen dhe shpërndahen nëpër këto nën-programe sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet tutje në vendim.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha atë ditë se synojnë që vitin e ardhshëm të avancojnë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

    Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

    Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.

    Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

    Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

    Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.

  • Vendos Qeveria – qytetarët mund të pajisen me letërnjoftime nga lindja

    Vendos Qeveria – qytetarët mund të pajisen me letërnjoftime nga lindja

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjit për Letërnjoftim. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me miratimin e këtij projektligji, tash qytetarët e Kosovës mund të pajisen me letërnjoftim qysh nga lindja.

    Mirëpo kjo sipas Sveçlës nuk është obligative, raporton Ekonomia Online.

    “Ky projektligj përcakton kushtet, procedurat, organin kompetent për lëshimin, kushte për përdorimin e letërnjoftimin dhe detyrimet e shtetasit lidhur me përdorimin e tij. Si risi e këtij projektligji është krijimi i mundësisë që shtetasi i Kosovës, nga linjda deri në moshën 16 vjeçare do mund të pajiset me letërnjoftim por pa qenë i detyruar. Kjo do të ju mundësojë qytetarëve të kësaj moshe që të lëvizin jashtë Republikës së Kosovës vetëm me letërnjoftim në ato vende që ka marrëveshje Republika e Kosovës”.

    “Projektligji po ashtu rregullon shfrytëzimin e të dhënave elektronike nga letërnjoftimi, formën dhe përmbajtjen, afatin e vlefshmërisë së tij, si dhe rregullat në rast të dëmtimit, humbjes apo vjedhjes së letërnjoftimit”.

  • Kurti thotë se OJQ-të e bizneset mund të regjistrohen si ndërmarrje sociale: Mundësohet punësimi e mirëqenia për grupet e cenueshme

    Kurti thotë se OJQ-të e bizneset mund të regjistrohen si ndërmarrje sociale: Mundësohet punësimi e mirëqenia për grupet e cenueshme

    Kryeministri i Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë takuar me përfaqësues të organizatave jo-qeveritare dhe bizneset, raporton Ekonomia Online.

    Kurti, ka njoftuar se nga tani këto dy të fundit do të mund të marrin statusin e ndërmarrjeve sociale. Sipas tij, ky vendim mundëson punësimin dhe sigurimin e mirëqenies për grupet e cenueshme.

    “Vizionin për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë e kemi shprehu kaherë, ndërsa punën dhe vullnetin për ta bërë atë vizion realitet e kemi dëshmuar mes hartimit dhe zbatimit të politikave për një ekonomi sa më gjithëpërfshirëse. Politikat e orientuara për personat me aftësi të kufizuara lehonat dhe fëmijët të moshuarit dhe familjet me asnjë të punësuar kanë siguruar që qytetarët dhe shteti do të jenë bashkë për të vepruar për të gjithë pa lënë asnjëri mbrapa. Punësimi dhe drejtësia barazia dhe zhvillimit ekonomik janë baza e së cilit hap të rrugëtimit tonë. Sot pranë jush në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju paraqes edhe një arritje tjetër në këtë drejtim, për herë të parë në Kosovë Qeveria jonë ofron mundësin që organizatat joqeveritare dhe bizneset të regjistrohen dhe të marrin statusin e ndërmarrjes sociale, pra në vendin tonë kem ndërmarrje publike kemi ndërmarrje private po kemi edhe ndërmarrje sociale. Kornizën ligjore e cila ka qenë ekzistuese në fund po e zbatojmë ashtu që të adresojmë nevojat e grupit cenueshme të shoqërisë përmes zhvillimit të sektorit ndërmarresisë sociale”.

    “Lehtësirat të cilat do të i ofrojnë ndërmarrjes sociale në njërën anë e inkuadrojnë aktivizimin në tregun e punës të personave nga grupet të cenueshme ndërkaq në anën tjetër sigurojnë rishpërndarjen e të hyrave për të i shërbyer pikërisht këtyre grupeve, edhe të rritet punësimi po njëkohësisht edhe mirëqenia. Punësimi në fillim përmes inkuadrimit ndërkaq mirëqenia në fund përmes rishpërndarjes së fitimit. Ju si biznese dhe si organizata jo qeveritare tashmë keni punë me personat nga grupet e cenueshëm Ne po ua prezantojmë procesin e regjistrimit të ndërmarrjes sociale dhe po u informojnë rreth fitimeve që lehtësojnë punën tuaj në shërbim të tyre grupeve të shoqërisë. Nëse aktivitetin tuaj e keni strukturuar në atë mënyrë që ofroni shërbime për grupe të cenueshme apo keni punësuar së paku 30% të stafit nga grupet e cenueshme, ju mund të aplikoni për të marrë certifikatën e ndërmarrjes sociale të shënoheni në regjistrin e ndërmarrjes sociale dhe të operoni si të tilla në tregun në Kosovë”.

    “Si Qeveri mbetemi të përkushtuar që të gjithë ta ndjejnë dorën e Shtetit dhe synojmë të bëjmë këtë duke garantuar qasje të barabartë në mundësi për avancimin ekomomik. Andaj ju konsiderojmë pikërisht juve këtu të ftuar si dhe të gjithë organizatat qeveritar edhe biznese që punojnë në shërbim të grupeve të cenueshme si partnerët kyç në këtë rrugëtim tonë të përbashkët”.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se kompanitë ku 30% e punëtorëve janë nga grupet e cënueshme, mund të aplikojnë si ndërmarrje sociale.

    Sipas tij, përfitimet janë që kompanitë ose OJQ-të lirohen nga tatimi në fitim.

    “Si Qeveri pra në vazhdimësi në mënyrë të vazhdueshme jemi munduar të zbatojmë politikat të cilat adresojnë pabarazinë si në tregun e punës po ashtu edhe nivelin e të hyrave për familje. Kemi pasur sit ju kujtohet masën 1.8 të pakos ringjalljes ekonomike nga e cila mbi 2200 familje pra janë mbështetur për punësim që nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar. Po ashtu përmes masës 3.5 jemi përkujdesur që të mbështesim deri më tani mbi 46 mijë gra lehona të cilat po ashtu si të pa puna nuk kanë pasur burime të ardhurave mirëpo dora e Shtetit më në fund ka arritur të i mbështes edhe këtë kategori”.

    “Gjithsesi kemi pasur edhe masën 1.6 për punësimin për persona me aftësi të kufizuar të cilët ishin jashtë tregut të punës. E ku nga 160 përfitues që kemi pasur fillimisht kanë kryer trajnimet në punë në vendin e punës e pastaj e kanë vazhduar punësimin shumica prej tyre. Ky është një varg masash ku disa prej tyre janë shndërruar në skena të përhershme e cila kanë për qëllim përkrahjen e grupeve të cenueshme në shoqëri po të njëjtin qellim sot po e prezantojmë edhe fillimin e procesit të regjistrimit të ndërmarrjeve sociale, ndërmarrje këto që karakterizohen nga iniciativa e lirë përkrahja për grupe të cenueshme si dhe vullnetarizmi, ndryshe nga bizneset tradicionale e cila kanë për qëllim maksimizimin e fitimit ndërmarrjet sociale përdorin fondet e tyre për të avancuar misionin shoqëror, e në përkrahje të këtij mision ato po pranojnë edhe lehtësira gjatë operimit të tyre, për të kualifikuar për regjistrim të ndërmarrjes sociale ju mund të jeni biznese apo organizata qeveritare që ofroni shërbime të ndryshme për grupet e cenueshme përfshirë këtu edhe shërbime shëndetësore rezidenciale psiko-sociale dhe të aftësimit profesional. Gjithashtu përveç ofrimit të shërbimeve edhe kompanitë apo OJQ-të që punësojnë së paku 30% të punonjësve nga grupet e cenueshme dhe bëjnë prodhimin apo përpunimin e produkteve mund të aplikojnë për të marr statusin e ndërmarrjeve sociale”.

    “Para se të aplikojnë bizneset apo OJQ-të do të definojnë qartë fushëveprimtarinë e tyre klasifikimin se cilën kategori janë A apo B si dhe mënyrën e shpërndarjes së fitimit duke pasur parasysh se deri më 30% e fitimit mund të shpërndahet për paga ndërsa pjesa tjetër shkon për zgjerim apo investim në veprimtarinë e tyre. Pas aplikimit për të fituar statusin e ndërmarrjes sociale OJQ-të apo bizneset dërgojnë dokumentet e nevojshme për aplikim të divizioneve për ndërmarrje sociale në Ministri dhe pas aplikimit Komisioni për vlerësim të statusit ndërmarrjes sociale pajis organizatën që kualifikohet me certifikatën e ndërmarrjes sociale, gjithashtu ndërmarrjet sociale të regjistruara lirohen edhe nga tatimi në fitim që ato gjenerojnë gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre si dhe ju nënshtrohen vlerës 0 të tatimit mbi vlerën e shtuar kur importojnë lëndën e parë linjat e prodhimit dhe makineritë apo pajisjet e procesit të prodhimit apo ofrimit të shërbimit. Përkushtimi i Qeverisë zhvillimin e sektorit të ndërmarrësisë sociale mbetet i vazhdueshëm dhe fillimi i regjistrimit në këtë ndërmarrjeve është bërë vetëm hapi i parë”.

  • Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pasi Lista Serbe, në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndryshoi qëndrim dhe kërkoi mbajtje të zgjedhjeve në veri, duke premtuar pjesëmarrje, Qeveria e Kosovës insiston se mbajtja e tyre, do të bëhet vetëm përmes udhëzimit administrativ.

    Duke ofruar mbështetje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ekzekutivi shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve serb të katër komunat veriore është jashtëzakonisht e rëndësishme.

    “Ne kemi ofruar kornizën ligjore që mundëson zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit. Udhëzimi administrativ është edhe rezultat i zotimeve tona për deeskalim të situatës por edhe reflektim i bindjes sonë se zgjedhjet e reja atje duhet të nxiten nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit, në krye më deri atëherë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq na ka rikujtuar rëndësinë jetike të ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
    Në rast se kryetarët e tanishëm nuk japin dorëheqje duke pritur inicim të peticionit nga qytetarët, për opinionistin Bekim Kabashi, mbajtja e zgjedhjeve është larg.

    Sidoqoftë, pjesëmarrja eventuale e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, pas sulmit të 24 shtatorit, për të cilin mori përgjegjësinë ish-nënkryetari i këtij subjekti, Milan Radojiçiq, po shihet me sy kritik.

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale me 23 prill.
    Qytetarët serb kundërshtuan hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve në ndërtesat komunale, duke sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

  • Ndahen 50 mijë euro për familjen e rreshterit të vrarë

    Ndahen 50 mijë euro për familjen e rreshterit të vrarë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë i vrarë nga grupi terrorist serb, filloi mbledhja e Qeverisë të mërkurën.

    Andaj, edhe fjalimin hyrës kryeministri Albin Kurti ia dedikoi ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kurti kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, për menaxhim të kufirit me Serbinë.

    “Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar”, tha Kurti.

    Për ta mbështetur familjen e policit të vrarë, Qeveria ndau 50 mijë euro.

    “Ne si shtet do të jemi gjithmonë krah familjes që na dha një dëshmor, andaj për ta mbështetur familjen e tij, propozoj të aprovohet ndarja e shumës buxhetore në vlerë prej 50 mijë eurove”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati

    Pavarësisht pse Qeveria ndau këto mjete financiare për rreshterin e vrarë, kolegët e tij pjesëtarë të Policisë, ka 9 muaj që nuk i marrin shtesat për rrezikshmëri në punë. E për ekzekutimin e pagesave, ministri i Financave as nuk dha ndonjë datë.

    “Tani jemi në proces të dakordimit dhe në proces të definimit apo përcaktimit të të gjitha këtyre shtesave, por edhe të kompetencave apo përgjegjësive që parashihen dhe plotësohen me ligj. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave, në mënyrë që të sigurohemi që çdo gjë vjen në vendin e vet ashtu siç e parasheh ligji. Një gjë dua t’i siguroj qytetarët se shteti gjithmonë do t’iu qëndrojë pranë të gjithë atyre që shërbejnë për shtetin”, tha Murati.

    Paraprakisht në mbledhjen e 162-të, Qeveria ndau 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, 6 milionë euro shtesë për projektin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Podujevë dhe 1 milion euro për kompensim të dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna.

    Mes tjerash, Qeveria mori vendim për rindërtimin dhe rinovimin e shtëpive individuale që janë dëmtuar gjatë viteve 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë.

  • Kërkohet riformatimi i qeverisë

    Kërkohet riformatimi i qeverisë

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak para se të fillojë viti i ri shkollor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministren e Arsimit, Evis Kushi.

    Për shkak të performancës jo të mirë dhe siç deklaroi Rama telasheve me drejtësinë, të hënën shkarkoi edhe pesë kolegë të tjerë të Kushit.

    Lëvizja FOL, e cila ka monitoruar punën e Qeverisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, po e sugjeron një veprim të tillë edhe në Kosovë.

    Sipas “FOL” një riformatim i Qeverisë është i nevojshëm, sidomos në Ministrinë e Arsimit dhe në atë të Shëndetësisë.

    Sipas Bunjakut, gjatë kësaj periudhe ekzekutivi nuk arriti të përmbushë planin kombëtar të zhvillimit.

    Njohës të punës së Qeverisë thonë se rezultatet gjatë këtij viti kanë munguar në shumë fusha, sidomos në atë arsimit dhe të industrisë e tregtisë.

    Bekim Kabashi, duke përmendur edhe rrëzimin e ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, thekson se riformatimi është i domosdoshëm.

    Megjithatë, sipas tij, problemi në mungesën e rezultateve nuk qëndron vetëm të ministrat, por te kreu i Qeverisë.

    Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer një përgjigje nëse Kurti po e shqyrton një riformatim, por ka thënë se për performancën e kabinetit qeveritar kryeministri mban takime të rregullta.

    “Performanca e punës së kabinetit qeveritar është subjekt i vlerësimeve të rregullta të brendshme. Në fund të muajit të kaluar, Kryeministri Kurti kishte zhvilluar një takim intern me kabinetin qeveritar në të cilin ishte diskutuar mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Deri tash nga kabineti qeveritar nuk u shkarkuan, por dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj, dhe ai i shëndetësisë Rifat Latifi.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria do t’ua subvencionojë përsëri rrymën familjeve me të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar

    Qeveria do t’ua subvencionojë përsëri rrymën familjeve me të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar

    Sot është prezantuar në Qeveri Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike, i cili do t’i ndihmojë familjet e cenueshme duke ua subvencionuar faturat e energjisë.

    Ky program është i dizajnuar për familjet kosovare me të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar, ndërsa subvencionimi do të bëhet përmes formës së aplikimit në Ministrinë e Financave.

    Kryeministri Albin Kurti tha se programi, i cili do të zgjasë një vit, do të jetë shumë i rëndësishëm për këto familje.

    Fokus të veçantë në këtë program, siç tha ai, do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar, prindërit vetë-ushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

    “Sot jemi mbedhur këtu që ta prezantojmë edhe një program të rëndësishëm, atë të Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm. Programi që po e prezantojmë sot, që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka në fokus subvencionim e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilat kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë elektrike”.

    Tutje, ai ka treguar se programi parasheh subvencionimin e faturave të energjisë për familjet të cilat kanë të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar të familjes, ndërsa do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

    “Fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar, prindërit vetë-ushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm. Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm është program një vjeçar i cili fokusohet në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm, të hyrat mesatare mujore të të cilëve janë nënë 150 euro për anëtar të familjes”, tha ai.

    Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se megjithëse tanimë është hapur forma e aplikimit, dhe se së shpejti ministria do të dalë me njoftime se si të plotësohet ky formular.

    “Programi parasheh t’i ndihmojë të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 të ardhura mujore për anëtar të familjes. Pra, nëse një familje ka katër anëtar parashihet që nëse ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare mund të kualifikohet për programin dhe shuma e subvencionimit pastaj do të varët varësisht më pak sesa pragu i nevojshëm që merr”.

    “Për këtë do të hapet edhe forma e aplikimit që është gati, por që gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime si Ministri për formularin e aplikimit, ku të gjithë do ta kenë mundësinë që të aplikojnë”, ka thënë Murati.

    Në prezantimin e programit mori pjesë edhe shefi i bashkëpunimit në zyrën e BE-së, Alessandro Bianciardi, i cili tha se BE-ja është e zotuar se do ta ndihmojë Kosovën për energjinë. Deri tani, siç bëri të ditur ai, 200 mijë shtëpi kanë përfituar nga subvencionimi për konsumimin e energjisë.

    “Ju e dini qe BE është e zotuar që t’i ndihmojë qytetarët në Ballkanin Perëndimor që ta përballojnë krizën me energjinë. 200 mijë shtëpi kanë përfituar nga subvencionimi për konsumimin e energjisë”.

    “BE mbetet e zotuar që ta ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë. Presim me padurim që të kemi një përkrahje dhe të kemi energjinë më të kapshme”, tha ai.

    Edhe menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, tha se do ta përkrahin Kosovën, jo vetëm për energji, por në të gjitha fushat.

    Ai tha se pret që nga ky program të fitojnë ata që nuk mund ta përballojnë inflacionin.

    “Energjia e shtrydh buxhetin e Kosovës meqenëse situata është shumë e keqe për ata që jetojnë në varfëri sepse shpenzojnë shumë për ushqime e gjera të tjera. Presim që nga programi i lansuar sot të përfitojnë ata që nuk mund ta përballojnë inflacionin”.

    “Masat e subvencionimit duhet që të analizohen shumë mirë. S’ka dyshim që do të përfitojnë më së shumti ata që kanë nevojë. Këto masa kërkojnë resurse të mjaftueshëm dhe duhet të menaxhohen në mënyrë efikase. Banka Botërorë i përkrah të gjitha reformat në Kosovë. Banka Botërore do ta përkrahë Kosovën në shumë fusha dhe të ketë”, tha ai.

  • Prezantohet programi për subvencionimin e rrymës për konsumatorët e cenueshëm

    Prezantohet programi për subvencionimin e rrymës për konsumatorët e cenueshëm

    Është prezantuar Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike, i cili parasheh t’i ndihmojë më së shumti personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes e pensionistët.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky është program një vjeçar i cili fokusohet në subvencionim e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm të ardhurat mesatare mujore të të cilëve janë nën 150 euro për anëtar të familjes.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, tregoi cilat familje mund të kualifikohen në këtë program.

    Murati tha se shpejtë do të dalin edhe me njoftime lidhur me procedurën e aplikimit.

    “Programi parasheh qe të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 euro të ardhura mujore për anëtar të familjes. Pra, nëse një familje ka katër anëtar parashihet që nëse ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare mund të kualifikohet për programin dhe shuma e subvencionimit pastaj do të varët varësisht më pak sesa pragu i nevojshëm që merr. Për këtë do të hapet edhe forma e aplikimit që është gati por që gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime si Ministri për formularin e aplikimit, ku të gjithë do ta kenë mundësinë që të aplikojnë”, tha Murati.

    Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, u shpreh se nga ky program presin që të përfitojnë më së shumti familjet që janë në gjendje të rëndë ekonomike.