Në fshatin Banjskë të Mitrovicës, njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm.
Siç njofton raporti i policisë, nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti është nën hetime.
“Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin policor.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth ngjarjes së djeshme ku përmes video-xhirimeve u panë duke u përleshur disa udhëtarë dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit policor, sulmi kishte filluar kur disa persona e kishin tejkaluar kolonën, duke mos iz batuar urdhrat e zyrtar të policisë.
Në raportin 24-orësh thuhet se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.
“Podujevë / 04.01.2024 – 10:20. Njësitet policore kanë ndaluar dy vetura të cilat kishin tejkaluar kolonën derisa prisnin për të kaluar kufirin. Pas intervenimit të policisë, për parandalim të tejkalimit dhe kërkesës për kthim në kolonë, tre persona të dyshuar nuk kanë zbatuar udhëzimet zyrtare dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë. Lidhur me rastin situata është vënë nën kontroll, dhe personat e dyshuar dy kosovarë dhe një shtetas i Shqipërisë janë shoqëruar në stacionin policor. Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.
Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar të shtunën para qeverisë.
NjSI-ja dhe Sindikata janë duke protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera. Protesta e parë e NjSI është mbajtur më 1 nëntor para objektit të Qeverisë së Kosovës. Përndryshe në protestën e parë, policët elitarë kishin paralajmëruar se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre.
Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.
Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se sot rreth orës 04:50 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim në Tregun e Kafshëve në Prizren.
Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin.
Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka zhvilluar një aksion në katër lokacione në komunat veriore të Kosovës në mëngjesin e së shtunës.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se ata kanë asistuar Doganën dhe se janë bastisur katër lokacione. Sipas tij, gjithçka ka shkuar në rregull, derisa lidhur me atë se a ka të arrestuar, ka thënë se do të deklarohet Dogana.
“Ne kemi asistu Doganën gjatë bastisjeve në veri të Mitrovicës. Për më shumë se sa janë arrestuar, ata prononcohen. Katër lokacione janë bastisur, çdo gjë ka shkuar në rregull. Kanë përfunduar bastisjet”, ka thënë Elshani.
Inspektorati i Tregut, në kuadër të MINT-it, ka mbyllur përkohësisht nëntë qendra masazhi, të cilat ushtronin veprimtari ilegale.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë realizuar inspektime në 17 lokacione në Prishtinë.
“Sot, gjatë orëve të mbrëmjes, Inspektoriati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz) dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë realizuar inspektime të përbashkëta në 17 lokacione në Prishtinë, ku cak ishin qendrat e masazhit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre”, thuhet në njoftim.
“Si rezultat i këtyre inspektimeve, Inspektorati i Tregut ka bërë mbylljen e përkohshme të 9 lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e masazhave”, vijon njoftimi.
Ndaj këtyre operatorëve ekonomikë, pritet t’u shqiptohen masa ndëshkuese.
Pronarët e bizneseve janë të obliguar të paraqiten në Inspektorat.
Një burrë është arrestuar dje në Prishtinë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Prishtinë 06.11.2023 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Njësia speciale intervenuese e Policisë nuk do të zmbrapset nga kërkesat e saj.
Kjo njësi elitare të martën do të protestojë përsëri para qeverisë me kërkesa të njëjta.
Veçse kësaj here, ajo ka thirrur edhe njësitet e tjera për t’iu bashkuar, ndonëse nuk dihet nëse thirrjes së saj do t’i përgjigjen edhe të tjerët.
Sidoqoftë, që kërkesat e saj të plotësohen, do të duhet medoemos që të ndryshohet ligji për paga në sektorin publik me gjithë shtojcën përcjellëse.
“Është shtojca d.t.th., ku bëhet kategorizimi i pozitave te zyrtarët publikë, por edhe te të gjitha pozitat që marrin pagë nga buxheti i shtetit, është pjesë përbërëse e vetë ligjit për pagat, kështu që në mënyrë që kjo shtojcë të plotësohet apo të ndryshohet, atëherë do të nënkuptonte që duhet të plotësohet dhe ndryshohet edhe vetë ligji”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Kërkesa bazë e kësaj njësie është kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve, që rrjedhimisht do ta kishte koeficientin e pagës më të lartë.
“Janë një kategori e pozitave ekspertë nëpër institucione të ndryshme si në OSHP, prokurori speciale e pozita të tjera, të cilat kanë trajtim më të mirë dhe koeficienti i të cilëve kalon prej 9”, tha Miftaraj.
Me një koeficient të tillë prej 9.4, i bie që një zyrtar policor i kësaj njësie të merrte 987 euro pagë bazë. E nëse do t’i paguhej edhe rrezikshmëria siç po kërkon njësia, prej 50 për qind e pagës bazë, i bie që një zyrtar policor i njësisë speciale të merrte pagë 1480 euro.
Mirëpo, me ligjin e ri shtesa për kushte specifike ku hyn edhe rrezikshmëria, nuk mund të jetë më e lartë se 1% e fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore, për pagën bazë të zyrtarëve publikë të organizatës buxhetore në të njëjtin vit financiar. Kësisoj i bie që nga buxheti prej rreth 84 milionë eurosh për policinë e Kosovës, vetëm 840 mijë euro të jenë për shtesa për kushte specifike të punës.
Megjithatë, Qeveria, të paktën në një javë nga protesta e parë, nuk i mori parasysh kërkesat e kësaj njësie policore.
Kryeministri Albin Kurti tha se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.
Për këtë kategori ai tha se duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi.
Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet.
Madje nga Shtimja ku morri pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe, lavdëroi punën e Policisë së Kosovës.
“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me prioritet. Duhet të kemi klasifikim që mos të krijojmë pabarazi. Na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që të shkaktojmë zhgënjime e pengesa”.
“Edhe Ligji i Pagave na pati marrë kohë, por koha shtesë i’a ka vlejtur ngase i kemi minimizuar defektet”.
“Ju sigurojmë që po bëjmë krejt çka mundem e di. Polica është në nivel të detyrë dhe padyshim që e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime”.
Çfarë kërkon Policia?
5 mijë e 623 policë të Policsë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.
Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:
1. Ligji i pagave;
2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;
3. Shtesa për punë të veçantë;
4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;
5. Shujta mujore;
6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;
7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;
8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në shtatë lokacione në veri të vendit që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku janë gjendur armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake.
Në njoftim thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.
Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.
Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:
87 copë eksploziv të tipit TM 100
3 granata hedhës dore (zola)
1 armë automatike AK-47
1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
14 karikatorë
Municion të kalibrave të ndryshëm
63 detonatorë elektrik
23 detonatorë mekanik
1 orë për aktivizim
1 granatë dore M79
3 tuba fitila ndezës
Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.