ATV

Tag: Policia e Kosovës

  • Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia e Kosovës, ka vlerësuar si të qeta dhe pa asnjë incident, zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore.

    Kështu është deklaruar nga PK’ja përmes një komunikate për media, ku është shtuar edhe se, PK’ja ka realizuar me sukses planin e saj operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

    Po ashtu, në komunikatë shtohet se, plani operativ ka paraparë edhe inicimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale dhe penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit.

    Megjithatë, siç njofton PK’ja, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.

    Komunikata e plotë:

    Zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore, në aspektin e sigurisë vlerësohen të qeta dhe pa asnjë incident

    Prishtinë, 23 prill 2021

    Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident

    Përveç ofrimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor, plani operativ ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.​

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përcjelljen e materialit sensitiv e deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

  • Sërish konkurs për policë në veri të Kosovës

    Sërish konkurs për policë në veri të Kosovës

    Boshllëkun që lanë 500 policët e dorëhequr në Stacionin e Mitrovicës së Veriut, Policia e Kosovës ende nuk e ka mbushur.

    Për t’i zëvendësuar, Policia të martën mbrëma hapi një konkurs, i cili vlen vetëm për minoritetet, nga mosha 18 deri në 30 vjeç.

    Por, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka treguar se sa është numri i zyrtarëve policorë që do të pranohen. Megjithatë, shprehet e sigurt se momentalisht ka mjaftueshëm kapacitete.

    “PK-ja ka kapacitete policore dhe në vazhdimësi veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform zhvillimeve dhe vlerësimeve operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Angazhimin e policëve të rinj po e konsiderojnë të nevojshëm edhe njohësit e çështjeve të sigurisë. Por, sipas tyre, zëvendësimi i plotë i policëve të dorëhequr, shihet i vështirë pa ndonjë marrëveshje mes palëve.

    “Dihet që largimi i policëve të Kosovës është bërë me një marrëveshje politike. Është e qartë se zëvendësimi i tyre nuk mund të bëhet pa ndonjë marrëveshje politike”, tha Avni Islami, doktor i shkencave të sigurisë.
    Zëvendësimin e tyre e shohin të nevojshëm edhe politologë që jetojnë në Mitrovicë.

    “Mungesa e policëve në atë pjesë paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Mitrovicën e veriut”, tha Abdullah Sadiku, politolog.

    Në fakt, Policia e kishte hapur edhe një konkurs në muajin shkurt, por për të aplikuan vetëm 136 syresh. Ata, në mesin e muajit mars iu nënshtruan testimeve fizike, por nuk dihet se sa prej tyre kanë arritur të pranohen. /atvlive.tv

  • Bastisjen e Policisë në zyrat korporatës e konfirmon edhe KEK-u

    Bastisjen e Policisë në zyrat korporatës e konfirmon edhe KEK-u

    Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

    Këtë bastisje e ka konfirmuar edhe KEK-u, ku përmes një komunikate thotë se ende nuk kanë ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe. Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në komunikatën e KEK-ut. /atvlive.tv

  • 59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    Mëngjesin e sotëm, në fshatin Randobravë të Prizrenit, një person i dyshuar (N.H. 59-vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij, ka nxjerr armën e zjarrit- pistoletën dhe ka shtënë tri here në drejtim të vajzës së tij (A.H. 31-vjeçe).

    Djali i të dyshuarit ka arrit që me forcë të ia merr armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.

    I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar policin se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e din a e ka vrarë apo jo dhe në ndërkohe është vetë dorëzuar në Stacionin Policor Prizren.

    Patrullat policore bashkë me emergjencën janë nis menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes.

    Por në ndërkohë në Stacioni Policor Prizren veri kanë arrit dy viktimat (motër e vëlla) të cilët e kanë dorëzuar armë gjithashtu. Asnjë person nuk ishte vrarë apo lënduar.

    Nga Policia është bërë këqyrja e vendi të ngjarjes, mbledhje e provave dhe dëshmive dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë./IndeksOnline/

  • I ofroi ryshfet Policisë së Kosovës, arrestohet shtetasi i Serbisë

    I ofroi ryshfet Policisë së Kosovës, arrestohet shtetasi i Serbisë

    Është arrestuar një shtetas i Serbisë, pasi i njëjti pas ndalimit nga njësiti policor, u ka ofruar 20 euro ryshfet.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se paratë janë konfiskuar, derisa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Magj. Gjilan-Prishtinë 12.04.2023-13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti pasi ishte ndalur nga njësiti policor, gjatë kontrollimit të dokumente, u ka ofruar 20 € ryshfet. Paratë janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

  • Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.

    Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, ku një njësi policore që po patrullonte, ka ndalur për kontroll një veturë.

    Gjatë kontrollit është vërejtur se brenda veturës janë shtatë persona, ku dy nga ta, përfshirë viktimën, ishin të shtrira në bagazhin e veturës.

    Shtatë personat që ndodheshin brenda automjetit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. 15-vjeçarja që ndodhej në bagazh ka deklaruar para hetuesve policorë që ka kryer marrëdhënie seksuale me njërin prej të dyshuarve.

    Bazuar në dëshminë e saj, ngjarja ka ndodhur në një motel në dalje të Prishtinës. Në kuadër të veprimeve hetimore, viktima është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.

    Ndërkohë është intervistuar edhe 22-vjeçari, i cili ka pranuar se ka qëndruar në motel me vajzën e mitur.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

  • Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Një person është arrestuar dje në Klinë, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

    “Klinë 12.04.2023-00:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./atvlive.tv./

    LEXONI EDHE:

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Policia e Kosovës njoftoi se dje rreth orës 09:30 është raportuar se në objektin e Komunës së Prishtinës, një burrë është gjetur pa shenja jete.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion./atvlive.tv.

     

  • Plagosja në veri, Policia e Kosovës: Dyshohet se një zyrtar policor u përfshi në këtë rast

    Plagosja në veri, Policia e Kosovës: Dyshohet se një zyrtar policor u përfshi në këtë rast

    Mbrëmë u raportua për një rast të një personi të plagosur nga përfshirja me armë zjarri në veri të Mitrovicës, rast ky, për të cilin pati reagime të shumta, ndër to kur në mediat serbe u tha se në këtë rast ishte përfshirë një zyrtar policor i Kosovës.

    Lidhur me këtë, Policia e Kosovës përgënjeshtroi mediat serbe, duke deklaruar se nuk ka plagosur asnjëri.

    Mirëpo pasditen e sotme Policia e Kosovës ka reaguar përsëri.

    Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës, njoftoi se pas hetimeve të pandërprera dhe angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, dyshohet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri, shkruan atvlive.tv.

    “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu, bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

    Tutje, Policia njoftoi se për këtë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, për procedura të mëtejme penale.

    “Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi. Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, përfundon komunikata./atvlive.tv/