ATV

Tag: Liberalizimi i vizave

  • ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret vendimin për liberalizimin e vizave

    ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret vendimin për liberalizimin e vizave

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian ku u miratua liberalizimi i vizave për Kosovën.

    Në një komunikatë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh) thuhet se “ky vendim, në të vërtetë i vonuar i Bashkimit Evropian, është një arritje historike e shtetit të Kosovës, institucioneve dhe popullit të saj, që kanë bërë të mundur plotësimin e të gjitha kushteve teknike e politike të vendosura nga Komisioni Evropian”,

    KASh shfrytëzon rastin të përgëzojë të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës të përfshira në këtë proces për punën e tyre të palodhshme dhe profesionale në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara.

    “Një falënderim i veçantë shkon për znj. Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin e BE-së, për punën dhe përkushtimin e palodhur në arritjen e këtij qëllimi, i cili është i rëndësishëm, si për Kosovën ashtu edhe për BE-në”.

    “AAC shpreh besimin se liria e lëvizjes, si e drejtë themelore dhe më se e merituar e qytetarëve të Kosovës, shkëmbimet dhe kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet qytetarëve, njerëzve të biznesit, shkencëtarëve, letrarëve dhe kulturës do t’i shërbejnë konsolidimit socio-ekonomik të Kosovës, promovimi i mëtutjeshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës, imazhit dhe promovimit të Kosovës në Evropë dhe më gjerë. Rrjedhimisht, do t’i shërbente edhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. I urojmë suksese të mëtejshme Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike!”, përfundon shkrimi i KASh-it.

  • S’mund të udhëtojnë nëse nuk e kanë pasaportën kosovare, çfarë thonë serbët e Kosovës për liberalizimin e vizave

    S’mund të udhëtojnë nëse nuk e kanë pasaportën kosovare, çfarë thonë serbët e Kosovës për liberalizimin e vizave

    Serbët e Kosovës nuk do të mundë të udhëtojnë pa viza, pavarësisht liberalizimit.

    Nëse nuk janë të pajisur me pasaporta të Kosovës, pasaportat e tyre të lëshuara nga Serbia nuk u vlejnë.

    Këtë e konfirmoi edhe raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thjis Reuten.

    “Legjislacioni është i qartë – pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë kanë viza. Vendimi është formuluar mjaft me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

    Serbët që jetojnë në Kosovës vazhdimisht kanë refuzuar të pajisen me dokumente të lëshuara nga shteti i Kosovës.

    Megjithatë, e mirëpresin liberalizimin e vizave.

    “I kam bërë disa vjet, andaj nuk konsideroj të udhëtoj. Por për të rinjtë them se kjo ka rëndësi. Për fat të keq, kjo nuk vlen edhe për të rinjtë në veri. Them se njerëzit do të marrin pasaportën e Kosovës, por mua s’më duhet”, thotë një qytetar serb.

    “Mirë që njerëzit mund të udhëtojnë. Unë tashmë kam pasaportë me të cilën mund të udhëtoj, kështu që s’më duhet ndonjë tjetër”, thotë një tjetër qytetar serb.

    Por, ka edhe nga ata që ende e refuzojnë pasaportën kosovare.

    Ndonëse, Serbia ka fituar liberalizimin e vizave në vitin 2009, serbët të cilët jetojnë në Kosovë, janë pajisur me një pasaportë të dorës së dytë, me të cilën u pamundësohet udhëtimi pa viza.

    Për analistin Branslav Kërstiq, e gjithë kjo është rezultat i politikës së Beogradit.

    Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se është duke punuar për liberalizimin e vizave për serbët që jetojnë në Kosovë. Sipas tij, kjo po diskutohet në kuadër të procesit të dialogut. /atvlive.tv

  • Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

    “Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

    Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

    “Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

    Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.

  • Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se ishte i befasuar me kushtin që i ishte vënë Kosovës me sistemin ETIAS.

    Reuten tha ETIAS nuk duket të jetë funksional deri më 1 janar, por ai tha se kushti nëse ETIAS-i është funksional apo jo më herët nuk do të përdoret.

    “Dhe, për këtë ka qenë e rëndësishme që të kishim një datë të fundit në marrëveshje dhe duke i parë zhvillimet për rreth implementimit të ETIAS-it, me gjasë do të presim atë datë”, është shprehur Reuten pas nënshkrimit të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Ai më tej tha se sistemi ETIAS ishte kusht i shtuar pa nevojë në negociata dhe ishte për të shtyrë kohën.

  • Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Thjis Reuten, është pyetur për ata serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

    Ai tha se kjo s’mund të ndodhë meqë ligji është i qartë që në zonën Schengen mund të udhëtojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

    “Legjislacioni është i qartë – është për pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë janë të liruar nga viza. Vendimi është formuluar goxha me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

  • Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Qytetarët e Kosovës, pas 1 janarit 2024, do të mund të lëvizin pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen.

    Mirëpo pavarësisht liberalizimit të vizave të gjitha që vendosin të vizitojnë shtetet e zonës, para se të hyjnë në kufirin e shtetit të parë të kësaj zone duhet të kenë me vete një serë dokumentesh, pa të cilat hyrja e tyre do të refuzohet.

    Qytetarët e Kosovës, gjatë udhëtimit pa viza në zonën Schengen duhet të plotësojnë disa kushte, të cilat përfshijnë:

    a) Të jetë i pajisur me pasaportë biometrike.

    b) Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.

    Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj.

    Po ashtu duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor) si dhe të ardhurat financiare që ka ai me vete.

    Kur deklarohet se udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.

    Kur deklarohet se udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet.

    Kur deklarohet se udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj.

    Ka vende ku si dokument bindës për autoritetet e kufirit është edhe një ftesë nga familja pritëse e cila mund të jetë e firmosur nga autoritetet komunale. Kjo kërkohet kryesisht në ato raste kur vizitori paraqet dyshime për qëllimin e udhëtimit.

    Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë:

    Sigurimin shëndetësor (për periudhën e qëndrimit)

    Dokumentacionin e nevojshëm të makinës, nëse udhëtohet me makinë (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbërt, sigurimin ndërkombëtar të makinës).

    Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose transitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli.

    Shtetasi nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

    Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.

    Autoritetet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen në zonën Schengen.

  • Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave

    Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave

    Parlamenti Evropian të martën i tha po liberalizimit të vizave të Kosovës, duke e përmbyllur kështu këtë proces të stërzgjatur e të padrejtë për qytetarët e Kosovës.

    Miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian u bë pa votim pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

    E sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërkaq pritet të fillojë në ora 14:45.

    Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja e Parlamentit Evropian, një përfaqësues i presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.

    Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në një njoftim për media bën të ditur se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi udhëton për në Strasburg, për të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    “Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, e organizuar nga Presidentja e Parlamentit Roberta Metsola. Ceremonia do të fillojë në orën 14:45”, thuhet në njoftim.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian së bashku me euro-deputetin dhe Raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15.

  • Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë një reagim pasi Parlamenti Evropian vendosi miratimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    Ai përmes një cicërime në Twitter përmendi masat që Qeveria e Kosovës i ka marrë për te ardhur deri në këtë proces.

    “Rezultat shumë i bukur për qytetarët e Kosovës falë masave të marra nga qeveria e Kosovës”, shkroi ai.

    “Pikërisht në bazë të kësaj pune presidenti Macron njoftoi marrëveshjen tonë verën e kaluar”, shtoi diplomati francez.

    Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët Kosovës mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

  • Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Një delegacion i Kosovës i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ambasadorët Agron Bajrami e Lulzim Hiseni dhe zyrtarët tjerë përcjellës, kanë qëndruar dje në Strasburg.

    Kjo pasi Parlamenti Evropian gjatë seancës së rregullt plenare miratoi me konsensus liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

    Sipas MPJD-së, me këtë hap përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave i cili nënkupton se shtetasit me pasaporta biometrike kosovare mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë në shtetet e Zonës Schengen më së largu nga 1 janari 2024.

    “Aty, ministrja shfrytëzoi rastin të takojë një numër eurodeputetësh të cilët i falënderoi shumë për kontributin e tyre në përmbylljen e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    “Pas miratimit, ministrja gjithashtu organizoi një pritje rasti për eurodeputetët, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare prezente në Parlamentin Evropian”.

  • Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave, Von Cramon: Si një evropiane, ndihem paksa e turpëruar

    Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave, Von Cramon: Si një evropiane, ndihem paksa e turpëruar

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për procesin e zgjatur të liberalizimit të vizave, tha se BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet e veta ndaj Kosovës dhe si një evropiane që ka punuar në këtë drejtim, ndjehet paksa e turpëruar për këtë gjë.

    “Si një evropiane që punon në këtë fushë, ndjehem pak e turpëruar. Nuk besoj se ne i kemi mbajtur premtimet tona. Ky është një proces i bazuar në merita dhe pas plotësimit të kritereve, zotimi ynë ka qenë që të japim edhe liberalizimin e vizave. Kështu që mendoj se është një përpjekje e përbashkët, por nuk ka asnjë person për të akuzuar, sepse ka pasur shumë rezistenca për arsye të brendshme në Këshillin Evropian dhe kanë qenë disa shtete që kanë bërë jetën tuaj më të vështirë”, tha Von Cramon.

    Ajo tha se për këtë që është arritur sot, është përpjekje e përbashkët nga ana e Kosovës dhe disa vendeve anëtare të BE-së, prandaj sipas saj, nuk ka ndonjë person ose qeveri të caktuar që mund të marrë merita për finalizimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. /atvlive.tv