ATV

Tag: Liberalizimi i vizave

  • Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Parlamenti Europian sot ka miratuar dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Eurodeputeti holandez Thjis Reuten, i cili është raportues për vizat e Kosovës në PE, pas këtij miratimi tha se më në fund e realizuan një premtim të vonuar për Kosovën.

    “Parlamenti Europian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën. Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Europës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët europiane”.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshill të Evropës. Votimi për Liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit./atvlive.tv

  • Krasniqi: Procesi i vizave është dashur të përfundojë në vitet 2015-2016, partia në pushtet ia humbi këtë momentum Kosovës

    Krasniqi: Procesi i vizave është dashur të përfundojë në vitet 2015-2016, partia në pushtet ia humbi këtë momentum Kosovës

    Sot pas 10 vite negociata, Parlamenti Evropian pritet të votojë dhe të japë vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Pas këtij vendimi, do të mund të lëvizin qytetarët e Kosovës lirshëm për në vendet e Bashkimit Evropian.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, njëherësh deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për ATV-në, tha se procesi i liberalizimit të vizave është dashur të përfundojë qysh në vitet 2015-2016, mirëpo sipas saj, partia që sot është në pushtet ia ka humbur Kosovës këtë momentum.

    “Kosova ka humbur një momentum historik në vitet 2015-2016, ku partia e cila sot është në pushtet nuk e ka votuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku ka pasur protesta të dhunshme, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës në seanca. Partia në pushtet e ka humbu momentumin për liberalizimin e vizave sepse Kosova ka qenë në paku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën lidhur me këtë proces që të përfundojë në vitet 2015-2016”, tha Krasniqi.

    Ajo tha se tani është optimiste që sot Parlamenti Evropian do t’i japë fund vonesës së padrejtë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

    “Është një proces i stërzgjatur për qytetarët e vendit, mirëpo kanë qenë disa faktorë të cilat kanë ndikuar në këtë proces. Jemi vendi i vetëm në rajon ndaj të cilit është i vonuar ky proces dhe është kërkuar kushte shtesë më shumë se ndaj të gjitha vendeve të tjera në rajon”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

  • “E treta e vërteta”, zëdhënësja e BE-së për ATV-në, optimiste që sot do të votohet pro liberalizimit të vizave për Kosovën

    “E treta e vërteta”, zëdhënësja e BE-së për ATV-në, optimiste që sot do të votohet pro liberalizimit të vizave për Kosovën

    Bruksel, 18 prill – Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian në bisede me korrespodentin e ATV-së, Nefail Maliqin.

    Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian në përbërje prej 27 vendeve të BE-së, në mars ka dhënë “dritën e gjelbër” liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Parlamenti Evropian sot do votoje tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe shtetasit e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Zëdhënësja e BE-së për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Anitta Hipper për ATV-në ka thënë se Parlamenti Evropian sot pritet të votoj tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe kosovarët të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Zyrtaret e BE-së znj. Anita Hiper sikur edhe z. Peter Stano për ATV-në janë deklaruar optimist se ky votim do të kaloj pa pengesa dhe do t’i paraprije liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024.

    Zëdhënësja e BE-së për çështjen vizave: Para 1 janarit 2024, Kosova ka edhe një procedurë për të arritur deri tek liberalizimi final i vizave

    “Këshilli i BE-së vendimi është marrë në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel ku ministrat e BE-së e miratuan këtë vendim në lexim të parë, pa diskutime, pasi për këtë, kishte pasur pajtueshmëri në takimin e mëhershëm të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare. Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së”, thotë ajo.

    Ajo tha se rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të pasaportave të Kosovës udhëtimin në BE pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve.
    BE-ja ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

    “Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur nga Këshilli [më 9 mars] për heqjen e vizave për Kosovën. Propozimi duhet ende të miratohet nga Parlamenti Evropian për t’u bërë përfundimtar. Marrëveshja e arritur parasheh që liberalizimi i regjimit të vizave për Kosovën të hyjë në fuqi nga data e hyrjes në shërbim të ETIAS. Nëse ETIAS ka vonesa, data e fillimit nuk duhet të jetë më vonë se 1 janar 2024”, ka deklaruar znj.Anitta Hipper zëdhënëse e BE-së për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian.

    Ajo ka shtuar ne vazhdim se “Vlerësimi i Komisionit ishte i qartë që nga korriku 2018. Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kosova ka punuar shumë për të përmbushur të gjitha standardet dhe vazhdimisht tregon përkushtimin e saj. Ata punojnë pa u lodhur për të siguruar që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza”.

    Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

  • Sot, vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Sot, vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Sot, për herë të fundit, Parlamenti Evropian pritet të votojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Kjo vjen pas vendimit të 9 marsit kur Këshilli Evropian mekanizëm-vendim marrës i Bashkimit Evropian, për herë të parë votoi heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne tha dje se në seancën e së martës plenare të PE-së do të jetë miratimi përfundimtar për liberalizimin e vizave të Kosovës.

    Ojamo Janne shtoi se ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45.

    “Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet të martën më 18 prill, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00 CEST). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14.45”, tha ai.

    Shtetet anëtare që hezitonin më shumë për të hequr izolimin u bindën që Kosova s’duhet të jetë shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përballet me një regjim të tillë. Procesi u zhbllokua nga Këshilli i Ministrave të BE-së, e cila pasoi me hartimin e një teksti për të cilën ranë dakord shtetet anëtare.

    Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.

    Për çështjen e vizave të Kosovës, Parlamenti Europian pati edhe më parë në vitin 2018.

    Pas votës në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:

    – Ambasdorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    – Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    – Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian

    – Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi

    – Liberalizimi i vizave hyn në fuqi

    Që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, vendi i të cilit ishte ndër më skeptikët, u caktua raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Europian. Në një prononcim për Express më herët, Reuten kishte thënë se më nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes dhe se kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024.

    “Kjo do të thotë që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”.

    Për këto zhvillime në BE, qeveritarët në Kosovë morën meritat. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se përmirësimi i sundimit të ligjit nga Qeveria Kurti është arsyeja.

    “Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë”, kishte thënë ai pasi ambasadorët e BE-së e miratuan tekstin për vizat.

    Për vonesën e BE-së kishte ironizuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që pas miratimit nga ambasdorët e uroi edhe BE-në për këtë.

    “Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”.

  • Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Parlamenti evropian të martën do mbajë seancën përfundimtare, mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    E marta sipas analistëve, nënkupton fundin e një epoke mbylljeje për kosovarët.

    “Nesër është faktikisht faza e fundit e vendimmarrjes, dhe duke qenë se deri më tani ka pasur disa faza nesër pritet të jetë një formalizim ose validim i gjithë ati procesi që ka zgjatë për vite të tëra”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “GERMIN”.

    Ani pse Kosova shumë herë dha myzhde për liberalizim, pas seancës së nesërme thuhet se nuk do ketë kthim mbrapa.

    “Nga momenti i votimit nesër nuk ka më kthim mbrapa sepse periudha e mëtejme është vetëm formalitete siç është nënshkrimi i marrëveshjes, publikimi në gazetën zyrtare, d.m.th. nuk ka vendimmarrje pas ditës së nesërme”, tha Krasniqi.

    E qytetarët mezi e presin një vendim të tillë, teksa thonë se lëvizjen pa viza e kanë merituar qysh moti.

    “Është bo tepër ne jemi të diskriminuar në krahasim me krejt popujt, paramendoni ata që kanë bo krime janë shpërblyer me liberalizim ndërsa ne si viktima jo”, tha Xhafer Berisha, qytetar.

    “Mendoj që Kosova moti e ka meritu, kushtet i ka plotësu moti, por tash puna e politikes nuk e di”.

    Por ka edhe nga ata që e shohin pak më ndryshe këtë proces.

    “Duhet me kuptu se një pjesë e madhe po mendon që veç ka me shku me udhëtu në të gjitha vendet e botës, por liberalizimi mundet me qenë 180 ditë ose 3 muaj edhe ato viza munden me qenë që mos me pas të drejtë me punu”, tha Arian Mustafa, qytetar.

    Në rast se parlamenti evropian i jep dritën jeshile liberalizimit, qytetarët e Kosovës pritet që të udhëtojnë lirshëm nga janari i 2024-tës. /atvlive.tv