ATV

Tag: Liberalizimi i vizave

  • Qeveria gjermane: Qëndrimi ynë për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshuar

    Qeveria gjermane: Qëndrimi ynë për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshuar

    Qeveria Federale e Gjermanisë që drejtohet nga kancelari, Olaf Scholz, kanë thënë se qëndrimi i Berlinit zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshueshëm.

    Nga Qeveria gjermane kanë thënë se mbështesin vendimet për liberalizim të vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian, e që i garantojnë Kosovës lëvizjen pa viza nga 1 janari 2024.

    “Qëndrimi gjerman mbetet i pandryshuar: Ne mbështesim vendimet për liberalizimin e vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane në pyetjet e Gazetës Express se a do të ndodh liberalizimi më 1 janar 2024 dhe nëse ka gjasa të shtyhet si pasojë e dialogut Kosovë-Serbi.

    Këshilli i Bashkimit Evropian më 9 mars të këtij viti kishte marrë vendim për t’i dhënë dritën jeshile për udhëtim pa viza në Zonën Schengen.

    “Këshilli sot miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian ku 1 janari 2024 përmendet si kohë kur fillon zbatimi i vendimit.

    Qëndrimi i Berlinit zyrtar për liberalizimin e vizave vjen pas paralajmërimit të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se mund të ketë ndryshim sa i përket politikës së vizave në rast se Kosova dhe Serbia tregohen të papërgjegjshme karshi dialogut dhe situatës në veri të Kosovës.

    Kreu i shtetit francez kishte thënë se një qëndrim të tillë e ndajnë bashkë me Gjermaninë dhe se do të qëndrojnë vigjilent sa i përket kësaj çështje dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, kishte deklaruar presidenti i Francës gjatë një adresimi para ambasadorëve francez nëpër botë.

    Ndaj një paralajmërimi të tillë të Macron kishte reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se nëse ndodh shtyrja e liberalizimit, atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte “vdekje” të procesit të dialogut.

    Ndërkohë dje gjatë ditës ka pasur raportime në media se Gjermania s’qëndronë në vijë të njejtë me Macronin për vizat dhe se presidenti francez e kishte thënë një deklaratë të tillë pa konsulta me Gjermaninë.

  • Gjermania nuk ndërron qëndrim për vizat për Kosovën

    Gjermania nuk ndërron qëndrim për vizat për Kosovën

    Presidenti francez Emmanuel Macron bëri bujë javën e kaluar kur sugjeroi që liberalizimi i vizave i Kosovës, i vendosur të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, mund të rishikohet nga Parisi dhe Berlini nëse Prishtina nuk është në linjë lidhur me tensionet e vazhdueshme me Serbinë. Por Euroactiv mëson se Gjermania do t’i përmbahet afatit kohor fillestar, duke sugjeruar një divergjencë në qëndrim midis dyshes franko-gjermane, transmeton KP.

    Kosova ka qenë subjekt i masave të BE-së pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, një rajon i banuar kryesisht nga serbë etnikë. Në nëntor të vitit 2022, serbët dhanë dorëheqje masivisht nga pushteti dhe institucionet lokale për shkak të kërkesës që të gjitha automjetet e Kosovës të vendosin targa të lëshuara nga Prishtina. Kjo do të ndikonte tek disa serbë etnikë në veri me targa të lëshuara nga Beogradi, të cilët jetojnë në Kosovë, por refuzojnë të njohin sovranitetin e saj.

    Zgjedhjet u mbajtën në muajin prill për të zëvendësuar ata që dhanë dorëheqje, por serbët refuzuan të merrnin pjesë ose të votonin, pas thirrjeve për bojkot nga Beogradi.

    Votimi rezultoi në një pjesëmarrje më pak se 4% ku u zgjodhën kryesisht shqiptarë etnikë. Kur ata u përpoqën të hynin në ndërtesat komunale me mbështetjen e policisë së Kosovës, serbët u përgjigjën me protesta që u përshkallëzuan në dhunë dhe lëndime të trupave paqeruajtëse të NATO-s.

    Pas një procesi të gjatë i cili përfshinte mbështetje thelbësore nga dyshja franko-gjermane, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Evropë njësoj si çdo qytetar tjetër evropian, pa pasur nevojë për vizë, nga janari i vitit 2024.

    Franca dhe Gjermania kanë kohë që kanë një qasje të sinkronizuar ndaj Kosovës, duke dalë me qëndrime dhe deklarata të përbashkëta dhe duke u përfshirë shumë në një nga planet më të fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të quajtur joformalisht “plani franko-gjerman”.

    Trupi diplomatik i të dy vendeve është gjithashtu shumë i nderuar në nivel lokal, dhe fjalët e Macron dhe Scholz dhe ish-kancelares Angela Merkel kanë peshë të konsiderueshme.

  • Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Në prill të këtij viti u përmbyll i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën me marrjen e vendimit nga institucionet e Bashkimit Europian dhe me publikimin në gazetën zyrtare. Qytetarët tanimë po presin 1 janarin e vitit të ardhshëm që të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

    Për procesin e pritur gjatë sërish u krijua një drojë se mund të preket. Një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron ktheu prapë në diskurs të opinionit heqjen e mundshme të vizave për shkak të politikave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët”, kishte thënë Macron në një fjalim para ambasadorëve francezë.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues në Parlamentin Europian për liberalizmin e vizave të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se nuk kanë marrë ndonjë sinjal mbi këtë çështje.

    “Kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të regjimit të ardhshëm pa viza për Kosovën nga 1 janari 2024 e tutje, nuk kemi marrë asnjë sinjal se është në rrezik”, tha ai.

    Rastet kur hiqen vizat për një shtet nga BE janë ekstreme dhe aktualisht Kosova nuk është në këto rrethana. Këtë po e thotë edhe Reuten, i cili tha se kjo s’mund të thotë rastësisht.

    “Ne nuk jemi ekspertë për procedurën e heqjes së vizave dhe ndoshta kjo është diçka që duhet të shikohet me Komisionin Europian. Ne e dimë se revokimi i vizave individuale është i mundur vetëm në kushte të caktuara dhe nuk mund të ndodhë rastësisht”, tha eurodeputeti holandez.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani dje paralajmëroi mbi pasojat që mund të ndodhin në rast se ndodh kjo në të vërtetë.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani dje.

    Çfarë tha fjalë për fjalë Macron për Kosovën, Serbinë dhe rishikimin e politikës për vizat?

    Në fjalimin e tij para krerëve të misioneve franceze nëpër botë, presidentit francez kur i ka ardhur radha që të flasë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar se Franca do të vazhdojë të jetë vigjilente sa i përket këtij rajoni.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

  • Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

    Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.

    Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

    Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.

    Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.

    Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.

    Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/

  • A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano është pyetur nëse edhe liberalizimi i vizave për Kosovën përfshihet në masat e përgatitura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.

    Ai tha se nuk hyn në detaje, por mohoi se ato masa nënkuptojnë sanksione apo masa kufizuese, por tha se janë të përkohshme dhe reagim i BE-së për mosmarrjen e veprimeve siç kërkon BE nga kryeministri Kurti për të qetësuar situatën në veri të vendit.

    “Nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Ne nuk jemi duke i përdorur këto terme që nënkupojnë se masat që janë të bazuara në legjislacionin për të sanksionuar. Kjo s’po ndodh me Kosovën. Këto masa janë instrumente që po përdoren për të treguar që BE është serioze për shtensionim dhe reagim që shtensionimi s’po ndodh. Ne presim nga kryeministri Kurti që të implementojë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën”.

    Sipas Stanos, këto masa përfshijnë pezullimin e vizitave zyrtare, komitetet, eventet e planifikuara, si dhe bashkëpunimi financiar me Kosovën.

  • A po e rrezikon Kosova liberalizimin e Vizave? – Arbnor Sadiku: Asgjë s’është e pamunduar

    A po e rrezikon Kosova liberalizimin e Vizave? – Arbnor Sadiku: Asgjë s’është e pamunduar

    Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, në emisionin DIREKT në ATV, se në rast që Qeveria nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, as pezullimi i liberalizimit të vizave nuk është i pamundur për bashkësinë ndërkombëtare.

    “Sanksionet plus që do t’i marrë në rast që nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e saj të brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, do të ishin lajme shumë të këqija qoftë për ekonominë e Kosovës, për qytetarët e saj në kuptimin që pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte një ndëshkim i cili nuk e kanë merituar qytetarët e Kosovës, nuk do ta meritonin në rast se ndodh për shkak të këtyre raporteve të keqësuara politike midis kryeministrit Kurti dhe Unionit Evropian dhe SHBA-ve”, tha Sadiku.

    Ai tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare siç janë Unioni Evropian dhe OKB-ja, ndërsa sipas tij, pa pasur bashkëpunim dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, është shumë e vështirë që Kosova të jetë pjesë e këtyre dy organizatave.

    “Asgjë nuk është e pamundur për bashkësinë ndërkombëtare, pasi që Kosova tashmë është një vend, i cili ende nuk e ka të përmbyllur tërësinë e vet. Realisht po bën përpjekje të vazhdueshme për afirmimin e shtetësisë së saj në aspektin ndërkombëtarë dhe kyçjen në organizata ndërkombëtare siç është Unioni Evropian dhe OKB dhe pa pasur një mbështetje dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare është shumë e vështirë që të pritet që Kosova të jetë pjesë e këtyre organizatave”, tha Sadiku. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë

    Gashi: Ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë

    Avokati Tomë Gashi, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka mbetur për 33 vite pa viza për shkak të Serbisë, dhe jo që nga paslufta dhe për shkak të konflikteve se iu ishte vënë regjimi i vizave vendeve të ish-Jugosllavisë.

    “Ne kemi aspekte historike pse jemi në këtë gjendje që jemi dhe tani duket çështje e thjeshtë liberalizimi i vizave kur ne duhet ta dimë, që ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë dhe tani jemi 33 vjet pa viza, jo vetëm kohën e fundit, po për shkak se në ish-Jugasllavi që ishim edhe ne pjesë, në vitin 1991 iu vu regjimi i vizave dhe padrejtësia tjetër që iu hoqën Serbisë para 12 viteve dhe ne na lanë për vitin 2024 është për shkak se i kemi pasur 1 milionë probleme të brendshme, shpesh herë besoj që Evropa e ka ditë se kemi pasur persona që fatkeqësisht rreth 300 që kanë shkuar në Siri, por nuk kanë marrë shumë për të madhe sepse ne e kemi luftuar terrorizimin e tillë dhe shteti i jonë është krejtësisht evropian”, tha Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti: Liberalizimi, pranimi i aplikimit në KiE konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane

    ​Kurti: Liberalizimi, pranimi i aplikimit në KiE konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës konfirmojnë se vendi është në rrugën evropiane dhe se Kosova i përket Evropës.

    Kurti në fjalën hyrëse në mbledhje të qeverisë së Kosovës tha se qytetarët e Kosovës nga 1 janar 2024 do të mund të udhëtojnë në 32 vende të tjera përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.

    “Javën që lamë pas dhe këtë javë çdo qytetar është ndier më evropian dhe më afër Evropës. Liberalizimi i vizave kishte ngecur për 4 vite në agjendën e Këshillit të BE me shumë punë dhe angazhim veçanërisht me vendet hezituese vitin e kaluar arritëm që gjatë presidencës çeke të zhbllokojmë këtë proces…..Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende të tjera evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e Zonës Schengen. Pasaporta do të jetë mëe fuqishme ashtu siç shteti jonë po bëhet përherë e më i fortë“, tha ai.

    Duke folur për pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës, i cili ndodhi këtë të hënë (24 prill), shefi i ekzekutivit kosovar shprehu besimin që si shtet demokratik Kosova do të jap kontribut të çmuar në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në KiE.

    “Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri demokratik dhe paqedashës do të japim kontributin e çmueshëm në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në Këshillin e Evropës dhe natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale të Këshillit të Evropës sa i përket sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kanë ndikuar në këtë arritje të madhe. Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se 1 jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë“, theksoi ai.

    Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Kurti tha se do ta shqyrtojnë edhe projektligjin ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    Sipas tij, çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.

    “Sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kjo iniciativë e aprovuar në parim vite më parë sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur. Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare e cila do të vazhdoj të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij projektligjit sot është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe jo vetëm se jemi në prag të 27 prillit Dita e Personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por është edhe në vazhdën iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizmit të vizave ashtu edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai. /KP

  • Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian.

    Një ditë më herët, PE kishte miratuar vendimit për vizat, veprim ky që kishte përmbyllur proceduat vendimmarrëse.

    Për miratimin e këtij vendimi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

    Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

    Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

    Komisioni Evropian kishte konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.

    Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizin pa viza në Schengen.

  • Zvicra e konfirmon heqjen e regjimit të vizave për kosovarët

    Zvicra e konfirmon heqjen e regjimit të vizave për kosovarët

    Sekretariati Shtetëror për Migrim ka konfirmuar se nga 1 janari 2024, shtetasit kosovarë me pasaportë të vlefshme do të mund të hyjnë në Zvicër pa vizë për 90 ditë

    Siç është raportuar tashmë gjerësisht, më 18 prill Parlamenti Evropian ka miratuar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Kështu, nga viti i ardhshëm, mbajtësit e pasaportës kosovare do të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në zonën Shengen, ku përfshihet edhe Zvicra, dy herë në vit për 90 ditë pa vizë, shkruan SRF.ch.

    Prandaj, të njëjtat rregulla hyrjeje do të zbatohen në të ardhmen edhe për Kosovën, sikur për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton albinfo.ch.

    Sekretariati Shtetëror për Migrim ka konfirmuar për SRF se nga 1 janari 2024, shtetasit kosovarë me pasaportë të vlefshme do të mund të hyjnë në Zvicër pa vizë për 90 ditë.

    Duke qenë se edhe Zvicra është pjesë e Shengenit dhe për më tepër është “shtëpi” e një komuniteti të madh shtetasish të Kosovës, vendimi më i ri preokupon shtetin helvetik në mënyrë plotësuese. Kështu, krahas përkrahjes së këtij vendimi, duke e quajtur madje të vonuar, nga ana e bashkëkryetarit të SP-së, pati edhe reagime negative, si ai i bashkëkryetares (FDP) së Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë, në Parlamentin e Zvicrës.

    Ndërsa redaktori për çështje ndërkombëtare i SRF-së, Janis Fahrländer thotë: “Ky është një hap i madh dhe mbi të gjitha një lehtësim i madh për popullin e Kosovës. Deri më tani, kosovarëve u është dashur t’i nënshtrohen një procesi kompleks vizash me tarifa të larta për çdo udhëtim në zonën Shengen, qoftë për biznes apo privatisht. Pastaj ata shpesh presin me javë të tëra për një vizë, pa asnjë garanci se do të kenë sukses. Kjo i bën të pamundura vizitat afatshkurtra, urgjente për shembull për raste si varrimi i të afërmve.

    Gjithashtu, me heqjen e regjimit të vizave, që nga viti 2024, pritet të lehtësohet puna edhe për kompanitë me klientë jashtë vendit.

    Megjithatë, udhëtimi pa viza është vetëm kushtimisht një hap më afër BE-së, pavarësisht nëse kryeministri Albin Kurti e feston këtë si suksesin e tij. Vendi nuk është as kandidat për anëtarësim – dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë negociuar për më shumë se dhjetë vjet. Përderisa pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk ka perspektivë të BE-së për vendin”.