Deputeti, Arben Gashi, ka bërë të ditur se janë dorëzuar nënshkrimet për themelimin e Komisionit Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se e vërteta është e duhura për të gjithë e për të gjitha, është pikënisje për gjithçka.
“Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat në pajtim me ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme”.
“Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!”, ka thënë Gashi.
Në mungesë kuorumi, seanca e jashtëzakonshme për librat në Kuvendin e Kosovës nuk ka filluar, raporton EO.
Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë një përjashtim duke i lejuar kryetarët e partive të flasin.
“Nuk ka numra që të fillojmë me seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo, po e bëjmë një përjashtim. Le të flasin vetëm kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konfjuca.
I pari fjalën e mori kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka quajtur të turpshëm dhe të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë për librat. Ai ka pyetur ministren Nagavci nëse ka përfitime personale nga trefishimi i kostos së librave.
Krasniqi, po ashtu ka thënë se për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë.
“Është për keqardhje që po na imponohet për shkak të papërgjegjësisë së kësaj shumice paralametnare që cdo sesion parlamentar ta fillojmë me seancë të jashtëzakonshme sepse gabimet, veprimet e vendimet e kësaj qeverie po e sjellin situatën të jashtëzakonshme.
“Sot do të duhej të diskutonim për reformën në arsim, në një situatë normale, për mundësitë e reja që i ka krijuar kjo qeveri për nxënësit tonë, por si opozitë e kemi thirrur këtë seancë për diçka që askush s’e kishte paramenduar, që për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë”.
“Kjo është e turpshme, e për më tepër është shkelje e ligjit. Përtej përgjegjësisë politike, këta njerëz e kjo ministre ka përgjegjësi penale. E kanë shkelur ligjin, e kanë trefishuar koston e librave duke u thirrur në kursime. Në vend se t’iu kushtonte 4.8 milionë, sot po i shpenzojnë 12 milionë euro”, është shprehur ai.
Ai shtroi pyetje për ministren Nagavci dhe për qeverinë se çfarë plani kanë që t’i kompensojnë humbjet e orëve që I kanë shkaktuar.
“Do ta imponojnë humbjen e kohës, humbjen e orës për vitin e dytë me radhë. Vitin e kaluar i kanë fajësuar mësimdhënësit, duke i quajtur të paaftë e po prodhojnë analfabetë funksionalë, e sivjet prindërve ua kanë qit edhe një barrë të re, të vrapojnë poshtë e lart që t’i blejnë librat. A di kjo ministre të na tregojë se a ka interesa personale, financiare apo tjerë, që prej 4.8 milionë euro e ka bërë koston 12 milionë euro, që t’iu japë pikërisht atyre që i kritikonte, shtëpive botuese”.
“A mund të na tregojë kjo ministre e kjo qeveri se çfarë plani ka që t’i kompensojë humbjet e orëve që e kanë shkaktuar tashmë. A mund të na tregojë se si do ta trajtojnë pabaraziën fundamentale që po e krijojnë për herë të parë në Kosovë duke i bërë disa nxënës pa libra e disa nxënës me libra. Dhe, a mund të na tregojë se kush po aplikon tek e-Kosova, sa kanë aplikuar dhe a janë krejt të Kosovës apo edhe ka të tjerë që s’janë rezidentë fare këtu”.
“100 pyetje është dashur të bëhen në këtë seancë, unë e di që asnjë përgjigje s’e kishim marrë prej këtyre njerëzve, por a ka diçka më të turpshme sesa ikja e shumicës. Nuk jeni duke ikur prej nesh, por prej qytetarëve”.
“Turp ju qoftë”, ka përfunduar ai.
Në seancë nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i Vetëvendosjes, ndërsa nga kabineti, prezente ka qenë vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Kuvendi i Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Kuvendit.
“Kuvendi mban debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”, njofton Kuvendi i Kosovës.
Ndryshe deputetët e opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, të premten e kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për 4 shtator.
Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.
“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.
Çështje e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, ka qenë temë debati ditët e fundit, për shkak se MASHTI ka vendosur të bëj subvencionimin e librave deri në 80 euro për nxënës.
Viteve të kaluara, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, është bërë direkt nga qeveria e Kosovës përmes shtëpive botuese.
Seancën e fundit të sesionit pranveror e mbyllën me dështim.
Në seancën që dështoi për shkak të kuorumit, shumica e deputetëve që munguan ishin të pozitës.
Këtë e konsideruan të qëllimshme, partitë opozitare.
“E mbyllën këtë seancë vetëm për vetëm për të na pamundësuar që të diskutojmë rreth çështjes së aferës ‘Zdravo’”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Janë dëme të mëdha që po i bëhen Kosovës, prandaj ne presim që në vjeshtë të kemi në situatë komplet të re, pasi kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Sot jeni dëshmitar të anulimin të qëllimshëm të një seance vetëm e vetëm me i ikë përgjegjësisë të skandalit Zdravo, që tash e ka edhe një mbiemër zejtin”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Të tri partitë opozitare po vlerësojnë që kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë më. Madje, shpresë se do ta përkrahin mocionin e mosbesimit të nisur nga AAK-ja, ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Mendoj se kjo gatishmëri do të jetësohet në shtator dhe pastaj përmes mocionit ta shkarkojmë”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që ata numra të sigurohen, jemi të angazhuar maksimalisht që ky Kuvend të shpërbëhet”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Do të shohim a do të ketë brumë edhe brenda LV-së në vjeshtë, që do të dalin dhe do të votojnë një mocion për me rrezua qeverinë. Përndryshe është e pamundur”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Pavarësisht që opozita që renditi goxha kritika, deputeti nga pushteti, Armend Muja, e vlerësoi punën e Kuvendit të suksesshme.
Në rend dite ishin 24 pika, përfshirë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat po dështojnë të miratohen për disa herë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.
Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.
“Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.
Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.
“Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.
Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.
“Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes… 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.
Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./kp
Seanca plenare ku ishte paraparë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara ka përfunduar.
Dardan Beqiri dhe Radoica Merdinjac janë emrat e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës të cilët sot morën mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për këto pozita.
Dardan Beqiri mori 59 vota, ndërsa Radoica Mërdinjac u votua nga 52 deputetët, derisa në votim morën pjesë gjithsej 75 deputetë.
Nga radhët e komunitetit shqiptar në garë ishin Dardan Beqiri dhe Besnik Aliu, ndërsa nga komuniteti serb, Dragan Stankoviq dhe Radoica Merdinjac.
Duke qenë se opozita nuk ndodhej në sallën e Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që të zhvendoset në njërën nga seancat e sesionit vjeshtor propozim-rezoluta për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës në orën 14:00 do të mblidhet përsëri në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin = për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin.
Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë sot punimet e seancës plenare, ku në rend dite janë pikët që kanë mbetur nga seancat e kaluara.
Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 20 prill, 29 qershor dhe 10 korrik 2023 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kurse pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 4 maj dhe 10 korrik 2023 është votimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Ndërkaq pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023 është votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023 janë: Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023 është votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Kuvendi Kosovës do të mblidhet edhe në një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publikë.
Kur kanë mbetur vetëm edhe një javë deri në përmbylljen e seancave të Kuvendit për sesionin pranveror, një javë ka kaluar edhe pa mbajtjen e seancave të këtij institucioni.
Megjithatë, pavarësisht sfidave të javëve të fundit nga partia në pushtet thonë se puna e Kuvendit nuk do të ndalet, madje sipas tyre, në mënyrë të suksesshme.
“Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndokënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këtë”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.
Veç kësaj, deputeti Muja, akuzoi edhe partinë më të madhe opozitare, PDK-në për shkaktim të tensioneve, pas siç tha ai humbjeve të privilegjeve të dikurshme.
Por, të kundërtën e thonë opozitarët, që kanë fajësuar ekzekutivin se po tenton t’i mbulojë dështimet e veta.
“Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Mospajtimet pozitë – opozitë të përkthyera edhe në dhunë së fundmi, sipas atyre që monitorojnë institucionin e Kuvendit, po e cenojnë punën e rregullt nëpër seanca.
“Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas perfomancës shumë të dobët”, tha Naim Jakaj, monitorues i kuvendit.
Kësisoj deri më tani, puna e kësaj legjislature, nga monitoruesit e Kuvendit po vlerësohet si tejet e dobët. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.
Rreth dhunës në Kuvend foli edhe vetë Mërgim Lushtaku, i cili tha se reagimi i tij ishte kundër Radojçiqit dhe “argatëve të tij”.
“Reagimi im ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve të tij”, shkroi Lushtaku në Facebook.
U deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare, por edhe pas pauzës përsëri pati tensione në Kuvend, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.
Tensionet në Kuvendin e Kosovës vazhduan ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin edhe forcat e sigurimit.
Dhuna që u zhvillua dje në Kuvend u dënua nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila tha se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
Gjithashtu edhe Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi djenë Kuvendin e Kosovës, për çka ka thënë se dhuna nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.
Sipas tij, “është për të ardhur keq të shohësh atë që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës”.
Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën që ndodhi sot në Parlamentin e Kosovës midis qeverisë dhe opozitës.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar duke thënë se skenat e dhunës, janë “imazhe jo të mira”.
Instituti Demokratik i Kosovës që merret me monitorimin e Kuvendit thekson se seanca e së enjtes u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale “Sulmi” dhe ka autorizuar “policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.
Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbrëmë në RTV21 tha se imunitet penal s’ka as kryeministri, as ministri dhe Policia ka të drejtë të hyjë në seancë t’i arrestojë.
“Është njëfarë kundërvajtje penale, që i bjen se mund të dënohen ose do të ketë masa ndëshkuese varësisht prej rrezikshmërisë ose pasojave që kanë pasur deputetët”, tha ai.
Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë kryetemë e mediave botërore.
Më shumë detaje për zhvillimet e ditës së djeshme në kuvenin e Kosovës, i gjeni në videon më poshtë: