Ka përfunduar me sukses të jashtëzakonshëm Java e Sportit e organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit i Kolegjit AAB. Në garat të cilat u zhvilluan në futsall, volejboll, pingpong dhe streetball pati numër të madh të pjesëmarrësve me mbi 200 studentë nga të gjitha fakultetet e Kolegjit AAB me gjithsej 40 ekipe.
Fitues të kësaj gare dolën studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në të gjithë disiplinat, ndërsa në fund u ndanë shpërblimet si mirënjohje, kupa dhe medalje për ekipet dhe individët fitues.
Shpërblimet u ndanë nga rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa, prorektori Shemsedin Vehapi dhe dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit Fatmir Pireva.
Aktiviteti i radhës i këtij fakulteti do jetë ngjitja në malet e Sharrit (Majën e Lubotenit) me 23 qershor për nder të ditës olimpike.
Shumë nxënës pasi që kanë përfunduar edhe shkollimin e mesëm, disa prej tyre nuk kanë arritur të regjistrohen në institucionin e arsimimit të lartë për shkak të provimit të maturës. E për të qenë më të përgatitur, Kolegji AAB, me degët në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë, organizon shkollën përgatitore falas për testin e maturës 2023.
Diana Prebreza nga Kolegji AAB, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se këto kurse organizohen në këtë institucion tash e 15 vite, të cilat edhe kanë dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm të arritshmërisë së kalimit të testit të maturës nga nxënësit që kanë ndjekur këto kurse.
“Kolegji AAB për më shumë se 15 vite tani më i organizon këto kurse pa pagesë për testin e maturës. Këto kurse kanë dhënë një kontribut të madh në arritshmërinë e maturantëve në këtë test. Për disa vite me radhë ne kemi pasur qindra mijëra maturantë, të cilët i kanë ndjekur këto kurse. Këtë vit kurset mbahen në tri lëndë, është gjuhë shqipe, gjuha angleze dhe matematika. Kolegji AAB është përkujdesur në përzgjedhjen korrekte të elitës së profesorëve në tri qendrat ku ne i kemi kampuset dhe ku do të vijojmë me kurset për testin e maturës. Kemi zgjedhur profesorë elitarë nga shkollat e mesme të cilët do të përkujdesen maksimalisht që të bëjnë një përmbledhje të gjithë mësimeve që i kanë bërë gjatë periudhës së shkollës së mesme edhe do të përkujdesen që ta kenë nxënësit një rifreskim të të gjithë asaj që e kanë kaluar gjatë tri viteve të shkollës së mesme. Interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh nga të gjithë nxënësit e të gjitha qyteteve të Kosovës. Vetëm vitin e kaluar, mbi 6000 maturantë kanë marrë pjesë në këtë shkollë përgatitore, e që ka rezultuar të jetë një sukses shumë i madh për të gjithë ata që i kanë ndjekur këto kurse”, tha Prebreza.
Ajo tregoi se të gjitha informacionet lidhur me kurset do të publikohen në faqet e Kolegjit AAB në rrjetet sociale, në facebook dhe instagram, nga ku të gjithë nxënësit e interesuar mund ta gjejnë edhe formën e aplikimit si dhe numrat kontaktues për secilën degë të AAB-së, po ashtu edhe për formën e transportit të të trija qytetet, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.
Këto kurse përgatitore do të jenë një mundësi e mirë edhe për maturantët, të cilët vitin e kaluar nuk kanë arritur ta kalojnë testin e maturës.
“Është mundësia për të gjithë nxënësit. Ky do të jetë një kontribut i veçantë edhe për ata nxënës, të cilët nuk kanë mbërri me e kalu testin e maturës, sepse siç e dimë është edhe një test shumë i rëndësishëm që të njëjtën kohë nxënësit gjatë tërë kohës e marrin me stres këtë pjesën e testit dhe sigurisht, jo ndoshta për shkak që ata nuk kanë qenë mjaftueshëm të mirë, por ndoshta për shkak të stresit që e kanë përjetu, nuk kanë mbërri me kalu testin e maturës. Ne i mirëpresim të gjithë ata nxënës, të cilët vitin e kaluar e kanë përjetu me stres këtë pjesë dhe kanë pasur mangësi në të dy afatet”, tha Prebreza.
Ajo njoftoi se pos degës së Kolegjit AAB në Prishtinë, kurset e njëjta do të jenë edhe në dy degët e saj, në Ferizaj dhe në Gjakovë.
“Do të nisim njëkohësisht në tri kampuset tona. Unë e shfrytëzoj rastin t’ju them të gjithë maturantëve, të cilët po na ndjekin edhe prindërve që t’i informojnë fëmijët e tyre që të bëhen pjesë e këtyre kurseve. Historiku i ecurisë së këtyre kurseve ka tregu që gjithçka deri tash ka ecë shumë mirë edhe krejt ata maturantë që kanë marrë pjesë në këto kurse, kanë pasë arritshmëri të lartë në testin e maturës”, tregoi Prebreza.
Edhe këtë vit transporti do të jetë i organizuar nga Kolegji AAB prej secilit qytet të Kosovës.
“Ne e kemi nëpër secilin qytet një përgjegjës prej Kolegjit të AAB që do t’i ndihmojë maturantët dhe do t’i informojë ata gjatë tërë kohës, për mënyrën e transportit, kohën, vendin prej ku do të bëhet nisja, e që është në kontakt të vazhdueshëm me secilin maturantë. Mësimi do të jetë një përmbledhje, kështu që besoj që do të jetë një rifreskim shumë i mirë për secilin nxënës që do të hyjmë testin e maturës dhe jam e sigurt që secilit prej tyre do t’ju ndihmojë shumë”, theksoi Prebreza. /atvlive.tv
Në Kolegjin AAB, nga dje ka filluar ekspozita kolektive studentore, e cila mbanë titullin “Asgjë nuk është e vështirë kur je i preokupuar në dije”.
Kuratori i kësaj ekspozite, njëherësh edhe profesor në Kolegjin AAB, Eroll Murati, tha për ATV-në se realizimi i saj ka qenë një ide e përbashkët me studentët e Fakultetit i Shkencave Sociale, që këta të fundit të nxjerrin në pah talentin e tyre.
“Gjatë procesit të ekspozitës ka qenë një ide e përbashkët si me mua, ashtu edhe me studentët që të nxjerrim diçka në pah prej talentit të tyre. Ky është Fakulteti i Shkencave Sociale, realisht në departamentin e artit figurativ, ku veç se kanë dalë shumë studentë të mirë dhe me talentë siç edhe po shihet nga punimet e tyre. Jam shumë i lumtur që ka studentë të tillë edhe AAB-ja edhe Fakulteti i Shkencave Sociale me këtë ekspozitë”, tha Murati.
Ekspozita do të vazhdojë edhe nesër në objektin e Kolegjit AAB, ku studentët do t’i ekspozojnë punimet e tyre. /atvlive.tv
Me një konferencë për media nisi dita e dytë e Prishtina International Theater Festival, ku edhe u prezantua shfaqja e dytë në radhë në kuadër të edicionit të shtatë.
Fituesja e çmimit për aktoren më të mirë në vitin 2021 në PITF, Burcu Görek, edhe kësaj radhe do të jetë pjesë e këtij festivali por me një shfaqje tjetër.
“Marrja e çmimit si aktorja më e mirë ishte shumë e rëndësishme për mua dhe Dilarën, sepse ju si staf i festivalit, nuk keni bërë dallim mes gjinive, mes grave e burrave. Ndërsa këtë vit, ne presim prapë diçka të mirë. Nuk e di akoma si do të shkojë, mirëpo unë gjithmonë them se do të jem prezente këtu mjafton, sepse sa i përket çmimeve nuk e di se çka mund të fitojmë, por gjithsesi do të jemi të lumtura thjesht si pjesëmarrëse”, tha aktorja Burcu Görek në konferencën për media.
Shfaqja turke e “Boxes” mblodhi artdashës në Teatrin Kamertal në Kolegjin AAB.
Drama solli emocione të mëdha e gërshetuar me copëza komedie, ku në bosht kryesor pati marrëdhëniet njerëzore, veçanërisht ata që zhvillohen midis dy të huajve.
Gjatë gjithë shfaqjes, hulumtohen temat e cenueshmërisë, lidhjes njerëzore dhe mënyrat e papritura, në të cilat njerëzit mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, pavarësisht dallimeve të tyre.
Loja e tre aktorëve u duartrokit nga publiku derisa ata u shprehen të jenë të lumtur me pritjet dhe komentet pozitive që morën pas shfaqjes.
“Unë po ndihem shumë mirë dhe takimi me këtë audiencë ishte diçka shumë e mirë, sepse reagimi i tyre më bëri të ndihem shumë e gjallë, andaj po ndihem kaq mirë”, tha aktorja Burcu Görek pas shfaqjes.
Burcu Görek
“Po ndihem shumë i relaksuar, sepse para shfaqjes isha shumë i emocionuar mirëpo pasi përfundoi, gjithçka ishte në rregull dhe çliruese”, tha aktori Ekremcan Arslandağ.
Ekremcan Arslandağ
“Puna e pandalshme dhe motivimi nga ana e regjisorëve na ka bërë që të arrijmë kiminë që e transmetuam sonte tek ju. Ne i ndjekim rregullat e duam njëri-tjetrin, edhe pse ne të tre jemi takuar për herë të parë në këtë projekt, nuk jemi njohur me herët. Emrin shfaqjes “Boxes” e kemi vendosur në fakt së bashku, por ne mendojmë se kutitë janë diçka që ne fshehim në brendësi, diçka që ndodhet brenda nesh si njerëz dhe thjesht e hapin njëjtë si kutitë kur zbulojmë diçka të thellë në vete, andaj kutitë në shfaqje zbulojnë diçka të tillë. Personazhi sapo është shpërngulur në një shtëpi të re, një fillim të ri në një festë mikpritëse dhe është shumë e mirë për të që të fillojë atje me një person të ri që në të ardhmen mund të jetë i dashuri i saj. Skenat me festën, pirjen e duhanit, pijet dhe puthjet janë shumë të zakonta shumë normale, janë diçka që shumica prej nesh mund ta kenë përjetuar dhe në teatër mund ta bësh kot ndryshe nga filmat”, tha aktorja Burcu Görek.
“Unë e dua Prishtinën edhe është shumë e bukur. Kam qenë edhe para dy viteve këtu kur kemi fituar çmimin si aktoret më të mira dhe ka të njëjtën pamje të bukur si atëherë”, tha aktorja Dilara Gul.
Ndërsa regjisorët Balim Kar dhe Semih Degirmenci thanë se ia kanë arritur qëllimit të tyre për ta sjellë shfaqjen në mënyrë sa më origjinale.
“Ne kemi punuar së bashku për dy vite tashmë kështu që jemi një ekip tash e shumë kohë, andaj të punuarit bashkë na erdhi shumë lehtë. Në fakt ka qenë ideja e tij të cilën e kemi adaptuar nga një shfaqje tjetër që quhet “Beginning”, ndërsa Burcu e ka shkruar dhe e ka përshtatur duke punuar bashkë me neve”, tha regjisorja Balim Kar.
Balim Kar
“Unë e kam pyetur Balimin se a dëshiron të punojmë bashkë dhe ajo më tha po, kështu që së bashku filluan të gjenim aktore për shfaqjen edhe pse në fakt Burcu na ka gjetur neve dhe na kërkoi të krijojmë shfaqjen bashkë si një e re dhe besoj që ishte e mirë për ne, në përgjegjësi”, tha regjisori Semih Degirmenci.
Semih Degirmenci
“Ne ishim shumë të lumtur sonte. Absolutisht, ata bënë një punë të mrekullueshme. Ishte një performancë e mrekullueshme dhe jemi shumë krenare me ta”, tha regjisorja Balim Kar.
“Ishte hera e parë që kjo shfaqje u dha para publikut, të cilët ishin shumë të mirë dhe ndanë me neve energjinë dhe gëzimin e tyre”, u shpreh regjisori Semih Degirmenci.
“Simboli i titullit “Boxes” ka të bëjë për fillimet e reja dhe për njerëzit shumë të vetmuar që krijojnë një lidhje brenda natës. Është një koncept që e kam pëlqyer shumë” , tha regjisorja Balim Kar.
“Ky titull ka të bëjë me idenë kur lëviz diçka nga vendi i vjetër dhe fillon diçka të re, me energji të re, të takosh dikë të mirë me të cilën krijon lidhje të mira”, tha regjisori Semih Degirmenci.
Me muzikë u mbyll suksesshëm nata e dytë e PITF2023, derisa nata e tretë do të vazhdojë me shfaqjen mysafire nga Shqipëria “Now You See Her”, me regji të Klaudja Piroli, duke filluar nga ora 20:00, po ashtu në Teatrin Kamertal brenda objektit të Kolegjit AAB. /atvlive.tv
Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.
“Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.
Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.
“Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.
Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.
Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.
Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:
-Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë.
Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:
Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
– Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
– Bislim Muçaj, aktor;
– Zijad Meheiç, producent.
Juria e medias:
Lumira Kelmendi, RTK
Xhejlane Terbunja, aktore dhe
Erona Salihu, ATV.
Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.
PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.
Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.
Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv
Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.
Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.
Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.
Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.
“Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.
Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv
Si asnjë institucion tjetër, Kolegji AAB sot ka nisur panairin dy ditor që u mundëson bizneseve më të mëdha në Kosovë, promovimin e punës së tyre nën hapësirat tejet moderne.
Në edicionin e dytë të panairit të punës dhe karrierës, është parë interesim i jashtëzakonshëm i bizneseve vendore, duke kërkuar punëtorë profesionistë që dalin nga Kolegji AAB.
Drejtues të Kolegjit, edicionin e parë e kanë quajtur mjaftë të suksesshëm duke siguruar studentet e Kolegjit AAB, për garanci në punë.
“Është moment i përshtatshëm për rendësin e këtij organizimi edicioni i dyte pasi edicioni i parë ka qenë shumë i suksesshëm. Na gëzon fajti se panairi i punës ka bërë jehonë të madhe. Kjo tregon për besueshmërinë në vazhdimësi të komunitetit kjo është garancë që të diplomuarin tanë të kenë garanci në punsushmëri, tha Vehapi”
Ndërsa Arian Zeka, nga bordi këshillues industrial në Kolegjin AAB, tha se numri i kompanive pjesëmarrëse është shtuar.
“Ne emër te bordit me vjen mirë që numri i kompanive është shtuar.sa i përket rëndësisë se ndjekjes së mundësive praktike. Vehapi e tha por do e përsërisë kjo ka rendësi jo vetëm në zhvillimin profesional por edhe t’i japim shpirt të gjitha njohurive qe kemi mundësi ti kapin studentet”, tha Zeka.
Falënderues për hapësirën e dhënë janë shprehur edhe bizneset.
Kolegji AAB, në vazhdimësi ka qene institucion që ka mbështetur bizneset, si dhe ka krijuar mardhënie bashkëpunimi. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Me afro 60 kompani pjesëmarrëse në Kolegjin AAB ka filluar edicioni i dytë me radhë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2023. Në fjalën hyrëse të panairit zv/rektori i Kolegjit AAB Shemsedin Vehapi tha se edicioni i parë ishte mjaft i suksesshëm kështu duke treguar rëndësinë që paraqet një organizim i tillë, ndërsa falënderoi kompanitë pjesëmarrëse dhe ftoi studentët të bashkangjiten e të krijojnë kontakte me këto kompani.
Nga Bordi Këshillues Industrial i Kolegjit AAB drejtori Arian Zeka shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij panairi, teksa shtoi se është i gëzuar për rritjen e numrit të kompanive pjesëmarrëse. Ai tha se ky panair do jetë edhe një lloj reflektimi për rafinimin e programeve studimore në mënyrë që t’i përshtaten tregut të punës.
Edhe drejtori i institucionit financiar PriBank Fatos Krasniqi, tregoi se janë të lumtur që do ndihmojnë studentët të bëjnë zgjedhjen për të ardhmen e tyre profesionale. Ai tha se ata mund të punësohen dhe të krijojnë një perspektivë të mirëfilltë dhe të qëndrueshme në Kosovë. Ky panair vlerësohet si një nga mundësitë më të mira për studentët e Kolegjit AAB që të takohen me punëdhënësit e tyre potencial, derisa njoftohen në detaje me kërkesat e tyre duke siguruar kështu realizimin e praktikës profesionale por edhe punësimin.
Kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse në këtë panair përkojnë me programet studimore që ofron Kolegji AAB si nga fusha e ekonomisë, drejtësisë, psikologjisë, shkencave sociale, sportive, kompjuterike, gjuhëve të huaja, edukim etj.
Për të gjithë të interesuarit panairi mbahet në datat 19 dhe 20 maj, nga ora 10:00 – 15:00.
Me aktivitete të shumta në fushën akademike, të shkencës dhe fushën e kulturës, në Kolegjin AAB po shënohet Java Ndërkombëtare për Staf.
Venera Llunji, prorektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin AAB, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tha se për këtë javë, pos aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen në këtë kolegj, kanë ftuar edhe partnerët e tyre nga shtete të ndryshme evropiane.
“Këtë javë e kemi javën ndërkombëtare për staf, me ç’rast kemi ftuar partnerët tanë dhe jo vetëm dhe planifikimi i kësaj jave nënkupton që kemi të bëjmë me aktivitete të ndryshme siç janë seminaret, tryezat e rrumbullakëta dhe përveç kësaj, edhe pjesa kulturore sepse qëllimi i javës ndërkombëtare është pikërisht ky, që të njihemi pak më mirë me partnerët, me të cilët kemi bashkëpunim të përditshëm, me të cilët i kemi lidhjet si në shkencë si në fushën e akademisë po ashtu edhe në fushën e kulturës”, tha Llunji.
Ajo tha se të gjitha këto institucione që do të jenë të pranishme këtë javë në Kolegjin AAB, janë institucione me të cilat kanë edhe të nënshkruara marrëveshje
bashkëpunimi.
“Do të marrin pjesë institucione prej disa shteteve, siç janë nga Bullgaria, Çekia, pastaj Spanja, Lituania, do të thotë janë një numër i shteteve me të cilët ne kemi marrëveshje bashkëpunimi, të cilat kanë pritur edhe studentë tanë në kuadër të shkëmbimit të projekteve ERASMUS+, po ashtu edhe stafin akademik të cilët e kanë një javë që shkojnë dhe mbajnë ligjërata në këto institucione. E njëjta vlen edhe për Kolegjin AAB. Studentët dhe stafi i atyre institucioneve po ashtu vijnë si shkëmbim te ne”, tregoi Llunji.
Ajo thotë se në këtë javë, për temë e kanë bashkëpunimin, kulturat pastaj zhvillimin si dhe thellimin e marrëdhënieve të Kolegjit AAB me këto institucione ndërkombëtare.
“Kjo është një lloj marrëveshjeje dypalëshe që kemi me institucione të ndryshme e që normalisht na i hapin dyert për t’u marrë me aktivitete të llojllojshme. Këtë javë e kemi temë bashkëpunimin, kulturat pastaj zhvillimin ose thellimin e këtyre marrëdhënieve që kemi mes veti dhe po ashtu, zhvillimin e shumë projekteve të cilat vazhdimisht janë aty, thirrje të ndryshme që bëhen, e që normalisht na zhvillojnë edhe më shumë edhe ne si institucion, edhe stafin akademik, po ashtu edhe studentët të cilët i kemi pjesë të kolegjit”, tha Llunji. /atvlive.tv
Për herë të parë, Kolegji AAB bëri bashkë ambasadorë amerikanë e shqiptarë, në 101-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri – SHBA dhe në 15-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Kosovë – SHBA.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, e vlerësoi të rëndësisë së veçantë këtë vizitë të ambasadorëve.
“Më lejoni që në emër të Kolegjit AAB, t’i uroj një mirëseardhje të ngrohtë Këshillit të Ambasadorëve me vizitën e tij në shtetin dhe në kolegjin tonë. Shprehim veçanërisht mirënjohjen tonë të thellë me nderin që po na bëni me këtë vizitë. Pra, ne e konsiderojmë këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke na bërë të ndihemi të privilegjuar dhe të bekuar me këtë vizitë, siç është shteti ynë i bekuar, që ka miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Tafa.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Genci Muçaj, duke folur para studentëve të Kolegjit AAB, tha se Kosova është në zemrën e çdo shqiptari.
“Ndihem i lumtur që të jem pjesë e këtij kolegji, i cili është një ndër institucionet jo vetëm më të mira në vend, por edhe në rajon. Ne e kemi vendosur në programin tonë që të qëndrojmë më shumë në Kosovë, sesa në Shqipëri ose në Maqedoninë e Veriut, që do të shkojmë sot, pasi që ne i kushtojmë më shumë vëmendje këtij shteti të ri e të mrekullueshëm, të pavarur, siç është Kosova, pasi që ne e duam Kosovën, aq shumë sa e doni ju”, tha Muçaj.
Për kryetarin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë rektori i Kolegjit AAB, ndau Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim.
“Unë kam qenë gati në të gjitha kontinentet e botës, në Azi, në Afrikë, në Amerikën Jugore, por edhe në atë Veriore, pra në të gjithë botën. Por unë mund të them se nuk është një vend që mund ta kujtoj që na ka mirëpritur aq mirë, aq ngrohtë si këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Ju jeni në Ballkan, ku Shtetet e Bashkuara me të vërtetë kanë bërë një përpjekje të madhe për sukses. Suksesi i Amerikës është Kosova, sepse ky shtet ka fituar një lindje institucionesh demokratike”, tha kryetari i këshillit të ambasadorëve amerikanë, Timothy Chorba.
Për Kosovën fjalë të mëdha tha edhe ish-ambasadorja e SHBA-së në Danimarkë, Laurie Fulton, e cila tregoi se e kishte vizituar Kosovën, para disa vitesh dhe se në këtë vend ajo kishte kaluar një pjesë të jetës së saj. /atvlive.tv
Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë: