ATV

Tag: Edi Rama

  • Dënohet dhuna në Kuvend

    Dënohet dhuna në Kuvend

    Dëm të madh ndaj institucioneve demokratike, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, përdorimin e dhunës fizike në parlamentin e Kosovës.

    Sipas presidentes, dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

    “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
    Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, tha Osmani.

    Grushtet në Kuvend i ka dënuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke shtuar se në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës.

    “Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, tha Hovenier.

    Me tone kritikuese ndaj opozitës, për ngjarjet në Kuvend reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama.

    Derisa dhuna u dënua edhe nga shoqëria civile, partia opozitare, Lidhja Demokratike, është distancuar nga përleshjet në Kuvend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahja në Kuvendin e Kosovës, reagon kryeministri Rama

    Rrahja në Kuvendin e Kosovës, reagon kryeministri Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas përplasjeve fizike që ndodhën këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës.

    Në një postim në Twitter, Rama ka thënë se shprehja e kundërshtisë ndaj kryeministrit Kurti përmes gjuajtjes me ujë është jodemokratike.

    “Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, tha Rama.

    “Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”.

  • Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka njoftuar se ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në kuadër të Samitit të NATO-s që po mbahet në Vilnius të Lituanisë.

    Rama tha se temë e takimit me të do të jetë situata në rajon me theks Veriu i Kosovës.

    “Vilnius, Lituani – Me Presidentin Erdoğan, në takimin bilateral për situatën në rajonin tonë dhe veçanërisht në Veriun e Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook, duke i bashkëngjitur edhe disa fotografi të takimit.

    Në Vilnius janë mbledhur liderët e shteteve anëtare të NATO-s me temë kryesore Ukrainën.

  • ​Rama: Veriu, parajsë për aktivitete kriminale dhe përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale

    ​Rama: Veriu, parajsë për aktivitete kriminale dhe përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se veriu i Kosovës është bërë si një vend parajsë për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave por një përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale, gjë që mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese.

    Rama gjatë qëndrimitnë Vilnius të Lituanisë ku po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ka thënë se është koha që të kombinohet rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s, nëpërmjet KFOR-it.

    Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, ka thënë se Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7% deri në 1.2% dhe pyetja e madhe që gjithmonë shtrohet, është se si demokracitë mund t’i bëjnë ballë një diktatori ose një regjimi diktatorial në një konflikt sepse demokracitë duhet të luftojnë dhe në të njëjtën kohë duhet të dëgjojnë njerëzit. Ndërsa Vladimir Putin nuk ka kë tjetër të dëgjojë.

    Rama ka theksuar se problemi i Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme.

    “Çfarë po ndodh, diçka që është me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e Kosovës së veriut që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë pikërisht grupet ekstreme në Kosovën e veriut ku është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe aty ku kjo amalgamë, kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies, përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut, mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese dhe prandaj mendoj se është koha që të kombinojmë tashmë këtë dialog të lehtësuar nga BE, këtë rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it”, tha ai.

    Rama është pyetur edhe për sulmet kibernetike në Shqipëri, ku ka thënë se Shqipëria strehoi grupin MEK, grup opozitar iranian, por marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit.

    “Praktikisht ne na u kërkua që të ndihmojmë me grupin MEK, grupin opozitar iranian që janë një kafshatë e fortë me thënë të drejtën sepse përndryshe ata do të ishin masakruar në Irak nga shërbimet sekrete iraniane dhe na u kërkua që të shpëtojmë jetët e tyre dhe shpëtimin e jetëve shqiptarët e kanë në ADN-në e tyre dhe kjo është parë në histori dhe i vetmi vend në Europë me popullatë më të madhe hebreje, sepse të gjithë ata u ndjenë të sigurt në Shqipëri. Ne vend që të largoheshin nga vendi, po vinin gjithnjë e më shumë në Shqipëri dhe asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve dhe ne ishim shumë të lumtur që të prisnim 500 mijë refugjatë që i shpëtonin pikërisht spastrimit etnik në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit, i hapëm dyert për afganët nga Kabuli. Mijëra prej tyre erdhën dhe u shpëtuan në Shqipëri. Pra, ne bëmë po të njëjtën dhe me këtë grup opozitar iranian, por nuk është e njëjta në sensin, në kuptimin e rrezikut sepse janë opozita iraniane, megjithëse marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit. Fatkeqësisht, disa gjëra ndodhën dhe ne u sulmuam me një sulm në shkallë të gjerë, shumë i avancuar sa i përket shërbimeve kompjuterike dhe tashmë ishim një vend kryesor në Europë që jepnim shërbime online dhe ne u prekëm dhe për të rritur pikërisht sigurinë tonë kibernetike, na kërkohet më shumë mbështetje nga Kongresi dhe nga Senati, por kjo nuk është tashmë në lajme dhe kur nuk je në lajme, nuk je më problem dhe ne po përpiqemi që të bëjmë gjithçka për të fuqizuar sigurinë tonë kibernetike por nuk është e lehtë”, tha ai.

    E sa i përket anëtarësimit të vendeve të ballkanit Perendimor në BE, Rama shtoi se vendet e rajonit tonë janë të bekuar që kanë aleatë SHBA-të dhe BE-në.

    “Të shtosh 6 dhe nga Ballkani që sjellin shumë entuziazëm dhe gëzim, por jo durim nuk do ta bëjë procesin e vendimmarrjes më të lehtë, supozoj. Pra duhet të jetë diçka e kombinuar, por në përfundim mund të themi çfarë të duam për BE-në, por një gjë është e sigurt, pa BE-në ne nuk do të ishim në gjendje të bënim as 90% të atyre që kemi kryer në 30 vitet e fundit dhe pa SHBA-të që kanë dhe ata gjithashtu problemet e tyre dhe ne mund të themi çfarë të duam, por ne nuk do të ishim në gjendje të mbijetonim si komb shqiptar, pra nëse sot jemi të vendosur kaq mirë sa kemi kaq shumë progres të prekshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovën e lirë dhe të pavarur, pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në jetën politike të Maqedonisë së Veriut apo të shqiptarëve në Malin e Zi që përfaqësohen mirë dhe meqë ra fjala, 6 vende ballkanike, 3 kryeministra shqiptarë, diçka mund të mos shkojë mirë, por gjithsesi është diçka që të vjen mirë. Mendoj se nuk duhet asnjëherë ta harrojmë që ne jemi të bekuar që të jemi në zemër të Europës dhe të kemi këto dy aleanca strategjike të mëdha si SHBA-të dhe BE-ja dhe sigurisht pasi të kemi kryer detyrat gjatë ditës, në mbrëmje mund të tallemi me ta sepse pa shakatë dhe humorin, Ballkani do të kishte vdekur me kohë.

  • Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Kryeministrit të Shqipërisë nuk i ka mbetur hatri që homologu i tij nga Kosova nuk e priti në takim gjatë të enjtes.

    Edi Rama thotë se nuk i ngatërron mosmarrëveshjet politike me ato personale.

    “Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin. Nuk ndihem i fyer si një dhëndër. Shkova në Prishtinë siç erdha këtu. Në asnjë mënyrë nuk kam problem personal me kryeministrin Kurti. Kemi vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë ndryshe. Unë e shoh si situatë ku duhet të takohemi e të bisedojmë, Kurti e sheh ndryshe”, tha Rama.

    Madje, gjatë vizitës në Mal të Zi, kryeministri shqiptar njoftoi se Kurti do të jetë i ftuar në Samitin e Tiranës për Procesin e Berlinit.

    “Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, përkundër faktit që në vende të tjera mund të mos e ftojnë, në Tiranë është në shtëpinë e vet. Përkundër që mund të garojë të bëhet zot i asaj shtëpie”, tha Rama

    Megjithatë, Rama kritikoi politikën e Kurtit lidhur me qëndrimin e kryetarëve brenda objekteve komunale. Derisa, Lulzim Hetemin e Leposaviqit sërish e quajti Oso Kuka.

    Gjatë konferencës për media fjalën e mori edhe nikoqiri Dritan Abazoviq, i cili i komentoi raportet Kosovë – Serbi.

    “Çdo konflikt me ndërkombëtarët nuk mund të jetë i mirë. është harxhuar kohë e madhe për propozimin i cili nuk është perfekt, por është i mirë. Mendoj se do ishte mirë të shkohej drejt firmosjes së kësaj marrëveshjeje. Kështu i shoh punët. Ajo do të ishte shtytje e mirë për rajonin, si mesazh për afrimin mes palëve”, tha Rama.

    Gjatë ditës Rama qëndroi edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndaj udhëheqësve të së cilës kërkoi zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

    Edi Rama të shtunën do të qëndrojë në Beograd, për takim me presidentin Aleksandër Vucic. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama sot viziton Sarajevën

    Rama sot viziton Sarajevën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot Bosnje e Hercegovinën, në kuadër të turit të tij ballkanik në përgatitje për Procesin e Berlinit.

    Rama, i cili dje qëndroi në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ka njoftuar se sot do të jetë në Sarajevë.

    Gjatë qëndrimit në vendin tonë ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Një takim me kryeministrin Albin Kurti mbeti pa u realizuar, ani pse Rama u shpreh optimist se do të ketë një të tillë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, veprim ky përmes të cilit, siç tha ai, ia ka hequr ‘merakun’ homologut të tij.

    “MIRËMËNGJES

    dhe me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke zhvilluar një tur nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Pjesën e parë të ditës së enjte ai e kaloi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pjesën e dytë e kaloi në Kosovë, me ç’rast u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

    Sot në mëngjes ai do të udhëtojë për në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me kryeministrin Dritan Abazoviq.

    Në mbrëmje, ai do të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Kujtojmë se këto vizita Rama po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

    Më poshtë e gjeni agjendën për sot të kryeministrit Rama.

  • Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanii është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Prishtinë.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kanë diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit

    ”Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit“, ka shkruar Osmani.

    Gjithashtu njoftoi se është folur edhe për raportet në mes dy shteteve.

    “Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike“, ka thënë ajo.

    Nuk dihet nëse do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Ramës.

  • ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur optimist se homologu i tij në Kosovë do ta pres në takim sot.

    Ai nga Maqedonia e Veriut tha se shpreson se kryeministri Albin Kurti nuk e ka harruar kanunin se kur vjen mysafiri në shtëpi, qoftë edhe ai “hasëm” duhet t’i hapet dera.

    “Unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin se kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar të nxjerrësh deri kur ai të mbaroj fjalën”, tha ai.

    I pyetur për Ballkanin e Hapur, Rama tha se edhe njëmijë herë të kthehej prapa do ta bënte të njëjtin.

    “Ballkanin e Hapur një mijë herë të kthehesha prapa, njëmijë herë do ta bëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që ka ky rajon, për të cilat ju ndoshta nuk keni dëgjuar fare, sikur unë vet kur e kam dëgju këtë jam habitur. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit, përveç të mirave. Cilat janë ato, merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve”, shtoi Rama.

    Ai nga Shkupi refuzoi të flas për tensionet e fundit Kosovë-Serbi, derisa tha se për të njëtën do të ketë qëndrim pasditën e sotme në Kosovë./kp/

  • Rama e publikon agjendën e takimeve, thotë se është në pritje të konfirmimit nga Kurti

    Rama e publikon agjendën e takimeve, thotë se është në pritje të konfirmimit nga Kurti

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar agjendën e takimeve qëe do t’i nis sot në kuadër të turit të tij ballkanik. Kjo në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

    Rama turin do ta nis në Maqedoninë e Veriut, e pasdite pritet që të vij në Kosovë.

    Deri më tani është konfirmuar takimi i Ramës me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Galuk Konjufca.

    Ndërsa tha se është në pritje të konfirmimit për takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Kryeministrin Albin Kurti, të mërkurën tha se është i gatshëm ta presë Ramën në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, përndryshe jo.

    Më 13 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte anuluar mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.