ATV

Tag: Edi Rama

  • Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për faktin që i ka dalë në mbrojtje sot gjatë drejtimit të presidencës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    “I dashur Edi Rama, sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Të falënderoj që e drejton Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, shkroi Zelenskyy, i cili postoi edhe një video të shkurtër ku duket Rama duke iu drejtuar përfaqësuesit të Rusisë të pranishëm në sallë.

    “Përderisa e përsëritët shumë herë se shkelja këtu ka të bëjë me fjalimin e presidentit Zelenskyy para anëtarëve të këshillit të mbledhur, ka një zgjidhje për këtë, nëse jeni dakord. Ju ndalojeni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta marrë fjalën”, i thotë Rama kolegut të tij rus.

  • Rama pas intervistës së Thaçit: Gjykimi në Hagë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit demokratik

    Rama pas intervistës së Thaçit: Gjykimi në Hagë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit demokratik

    Pas intervistës së ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Rama ka shpërndarë me mëngjes videon e intervistës dhe ka shkruar se ndaj Thaçit po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.

    “Dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, ka shkruar Rama.

    Thaçi në intervistën e tij nga Haga ka folur edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. I pyetur për marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë shqiptare, ndër të tjera, Thaçi ka rrëfyer edhe vizitën e Ramës te ai në Hagë.

    Ai tregoi se në Ramën kishte një bisedë të ngrohtë dhe vëllazërore, jashtë kontekstit politik dhe procesit gjyqësor.

    Thaçi shprehu respektin dhe admirimin e tij për kryeministrin shqiptar dhe angazhimin e tij në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

  • Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Shqipëri. Pas këtij takimi, ajo deklaroi se dy vendet mund të hapin rrugën për integrim.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kishte një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të të dy vendeve.

    “Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka thënë Osmani.

    Në komunikatën për media thuhet se të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

    “Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

    Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

  • Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”.

    Duke folur në një konferencë për media më 23 gusht, Rama tha se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit qendror të Shqipërisë, Berat.

    “Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se ende nuk është ndeshur në ujë, çka do të thotë se, sipas tij, sasia e naftës do të jetë e madhe.

    Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon.

  • Shqipëria afër të gjejë një burim të madh të naftës në malet e Beratit, Edi Rama jep njoftimin

    Shqipëria afër të gjejë një burim të madh të naftës në malet e Beratit, Edi Rama jep njoftimin

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të martë një postim në Facebook ku flet për gjetjen e naftës në malin e Shpiragut në Berat. Ai shkruan se në 6.1 kilometra thellësi është bërë zbulim i rëndësishëm i cili sipas tij sjell edhe shpresën e nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

    “Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë. Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës”,- shkruan kryeministri Rama.

  • Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Ka zgjatur rreth 1 orë mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila solli ndryshime të rëndësishme në strukturën e drejtuese të partisë, pasi është shkarkuar sekretariati ekzekutiv.

    Asambleja Kombëtare e PS-së ka zgjedhur si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosin, i cili më parë ka mbajtur pozicionin Sekretari Organizativ në parti. Vendin e tij më parë e ka mbajtur që nga shtatori 2021 Damian Gjiknuri. Ky i fundit nuk pranoi që të komentojë vendimin e Asamblesë, por shtoi se “më mirë do të bëhet”.

    Rokadë duket se ka ndodhur mes Blendi Çuçit dhe Taulant Ballës. Ish-ministri i Brendshëm do të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, post të cilin e ka mbajtur më parë Taulant Balla.

    Ndërkohë është konfirmuar se nuk ka pasur ndryshime në kabinetin qeveritar, por gjithsesi mund të ketë, pasi kreu i qeverisë ka paralajmëruar se me këtë do të merret nesër ose pasnesër, thanë burime për Report Tv.

    Asambleja, e cila vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve, do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas.

    Më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri Edi Rama do të mbledh qeverinë në një takim informal. Zyrtarisht thuhet se në këtë takim do të shpallen objektiva të reja për ministritë përkatëse. Gjithsesi asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh SPAK ka urdhëruar arrestimin e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

  • Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në Twitter lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel të kryenegociatorëve me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, takime nga të cilat s’ka pasur pothuajse kurrfarë progresi.

    Rama në reagimin e tij ndaj njoftimit të Mrisoalac Lajcak, ka thënë se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatim të shpejt të Marrrëveshjes Themelore.

    Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij nuk duhet lejuar që veriu i Kosovës të bëhet një “Donbas i Vogël” nga trazirat e nxitura nga Rusia.

    “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës lokale është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga trazirat e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi e Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, ka shkruar Rama në Twitter.

  • ​Përfundon takimi i Ramës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

    ​Përfundon takimi i Ramës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

    Radio Televizioni Shqiptar raportoi se të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

    Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e Tetorit.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

    “Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.

    Ndërsa Klisman Kadiu, këshilltar për media i Besnik Bislimit, ka mohuar lajmin se zëvendëskryeministrit iu është refuzuar pjesëmarrja në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perendimor, pasi sipas tij, pjesëmarrja në këtë takim nuk ka qenë e planifikuar nga vet Bislimi.

    “Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, ka shkruar ai.

    Ndërkohë, mediat në Shqipëri raportuan se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga Qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.

    Mediat atje theksuan se zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt Qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.

  • Dreka joformale në Tiranë, mysafirët nga rajoni i mbërrijnë Ramës, Kurti ndodhet në Greqi

    Dreka joformale në Tiranë, mysafirët nga rajoni i mbërrijnë Ramës, Kurti ndodhet në Greqi

    Kanë mbërritur në ambientet e “Vilës 30”, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, si dhe kryetarja e këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Borjana Kristo, në kuadër të takimit informal që kryeministri Rama do të mbajë me liderët e Ballkanit Perëndimor.

    Pritet të mbërrijnë gjithashtu dhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazavoiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.

    Në këtë takim do të diskutohet rreth Procesit të Berlinit dhe samitit të radhës që është planifikuara të mbahet në mes të tetorit në Tiranë.

    Kryemninistri Rama pritet të shtrojë rreth orës 13:00 dhe një drekë informale me liderët rajonalë.

    Sakaq në takim nuk pritet të ketë asnjë përfaqësues nga Kosova, pasi kryeministri Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Greqi, ndërkohë që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar se nuk do të marrrë pjesë. /euronews/

  • ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

    Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

    “Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.