ATV

Tag: Ballina

  • Më 14 qershor mblidhen dy qeveritë në Gjakovë

    Më 14 qershor mblidhen dy qeveritë në Gjakovë

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ & FATLUM JASHARI 

    Në gjysmën e muajit qershor do mbahet mbledhja mes dy qeverive: asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, konfirmoi për ATV-në Qeveria e Kosovës. Ministrat e të dy qeverive pritet edhe t’i nënshkruajnë disa marrëveshje të reja, derisa shumë prej të vjetrave, konsiderohet se tashmë janë zbatuar.

    Gjakova do jetë nikoqire e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për mbledhjen e radhës e cila do mbahet më 14 qershor. Atë ditë, pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të reja në disa fusha.

    Mbledhja e dy qeverive është planifikuar të zhvillohet në datën 14 qershor në qytetin e Gjakovës. Në këtë takim palët do nënshkruajnë marrëveshje të reja ndërmjet tyre. Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen përfshijnë fusha të tilla si arsimi, drejtësia, shëndetësia, bujqësia dhe të tjera.

    Derisa shumica e marrëveshjeve të vjetra të arritura në dy mbledhjet e fundit sipas Qeverisë së Kosovës, thuhet se janë zbatuar.

    Në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive (data 26 nëntor 2021 dhe 20 qershor 2022) janë nënshkruar 41 marrëveshje (qeveritare, ndërministrore dhe ndërinstitucionale), implementimi i të cilave është me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë si dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite. Përveç dy marrëveshjeve që janë të fazën finale të implementimit të gjitha marrëveshje tjera kanë gjetur zbatim të plotë.

    Por, sipas njohësve të marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri, zbatimi i marrëveshjeve në përgjithësi lë për të dëshiruar.

    “Një qeveri mbahet përgjegjëse edhe për marrëveshjet tjera që kanë nënshkruar qeveritë e kaluara… nuk mund të ndahen me mandate…”

    Në 8 mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare që kanë filluar nga viti 2014, sipas koordinatorit të dy qeverive, Gentian Sala, janë nënshkruar 88 marrëveshje. Të mërkurën e 14 qershorit, do jetë e 9-ta mbledhje.

  • Kurti e Osmani bisedojnë me emisarin gjerman për situatën në veri

    Kurti e Osmani bisedojnë me emisarin gjerman për situatën në veri

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin gjatë vizitës që pati sot në Kosovë ka kritikuar ngjarjet e së premtes në veri duke thënë se për një “budallallëk” sic e quaji, nuk mund të prishet marrëveshja e Ohrit. Gjatë ditës ai takoi edhe presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

    Pa kaluar ende 24 orë nga tensionet në veri, në Kosovë ateroi emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut, politikani gjerman kritikoi veprimet e së premtes.

    “Nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit e ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta”

    Por, para se të nisej në Veri, gjermani, takoi kryeministrin Kurti e presidenten Osmani, të cilët cili ia treguan këndvështrimin për hyrjen e kryetarëve në objektet komunale.

    “Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur. Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”.

    “Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”.

    Krejt në fillim të ditës, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor takoi komandantin e KFOR-it, Angelo Ristuccia për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.

  • Situatë e qetë në veri, Policia vazhdon të qëndrojë tek objektet e komunave

    Situatë e qetë në veri, Policia vazhdon të qëndrojë tek objektet e komunave

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Situata në tri komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku një ditë më parë pati tensione, sot është e qetë. Në punë doli vetëm kryetari i Leposaviqit, derisa njësitë speciale vazhdojnë t’i ruajnë objektet e komunave. Gjatë ditës në veri u pa edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili nuk tregoi se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët e rinj.

    Për dallim nga një ditë më parë situata në veri të Kosovës të shtunën ishte e qetë.

    Derisa gjatë së premtes u hodhën gurë në drejtim të Policisë e pati të shtëna më armë zjarri, qytetarët serbë në Leposaviq u panë më të relaksuar.

    Atyre nuk iu pengoi as prania e kryetarit të ri, ndonëse objekti i Komunës vazhdon të ruhet nga njësitë speciale.

    “Edhe pse ditë e shtunë, kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, erdhi në vendin e tij të punës.”

    Gjatë qëndrimit gati dy orësh në zyre, ai e priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas takimit, Sveçla u tregua i bindur se situata e krijuar do të tejkalohet.

    “I dëshirova punë të mbarë, shpreha mbështetjen tonë dhe u pajtuam që të gjitha institucionet të punojnë për të mirën e qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjitha vështirësitë do ti tejkalojmë”.

    I pyetur se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët, ministri i Brendshëm nuk u përgjigj. Kurse, i shoqëruar nga mbrojtja e afërt, kryetari Lulzim Hetemi ndihet shumë i sigurt.

    Ndërkohë, pjesëtarë të Policisë, kanë hequr edhe kamerat ilegale, të vendosura afër komunës së Leposaviqit.

    Situatë e qetë ishte edhe në komunën tjetër veriore me shumicë serbe. Veçse kryetari i Zveçanit, Ilir Peci gjatë ditës nuk doli në punë. Por, pavarësisht kësaj, dikush u përkujdes që flamujt serb të vendosur para objektit të komunës, të zëvendësohen me atë Republikës së Kosovës.

    Në punë nuk doli as kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqri i cila tha se është ditë pushimi. Njësitet speciale vazhdojnë ta ruajnë edhe objektin e kësaj komune, derisa situata po monitorohet edhe nga KFOR-i.

    Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë u betuan më 25 maj, derisa një ditë me vonë nën tensione hynë brenda hapësirave komunale për herë të parë.

  • Von Cramon në Kosovë: Dënoj dhunën dhe veprimet në veri, duhet frenim nga dyja palët

    Von Cramon në Kosovë: Dënoj dhunën dhe veprimet në veri, duhet frenim nga dyja palët

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është duke qëndruar në Kosovë, ku pritet të takohet më liderët shtetërorë, me përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it dhe me serbët e Kosovë në Mitrovicë.

    Von Cramon, gjithashtu, nga Kosova ka dënuar “dhunën dhe veprimet në veri”, duke kërkuar që të gjitha palët duhet të përmbahen dhe të zbatohen menjëherë të gjitha marrëveshje e ariut mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Kam filluar vizitën në Kosovë me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe me mediat për të marrë më tepër informata për situatën e djeshme në veri dhe zhvillimet aktuale, para se të takohem me zyrtarët qeveritarë, me KFOR-in, EULEX-in dhe serbët e Kosovës në Mitrovicë”.

    “I dënoj dhunën dhe veprimet në veri. Duhet frenim nga dyja palët dhe përkushtim i plotë ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si dhe zbatim i menjëherë i marrëveshjeve të arritura. Përkrahje e plotë për Miroslav Lajçak në angazhimin e tij”, ka shkruar Von Cramon në Twiter.

    Ndryshe, situata në veriun e Kosovës duket e qetë të shtunën, një ditë pasi grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

    Policia hodhi gaz lotsjellës të premten në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë grupet e serbëve lokalë që hodhën gurë e shashka mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine. Policia tha se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.

    Po ashtu pati dëmtim makinash të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

    Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës.

  • Gjendje e qetë në Leposaviq, Policia heq kamerat ilegale

    Gjendje e qetë në Leposaviq, Policia heq kamerat ilegale

    Situata e qetë sot ka qenë në Komunën e Leposaviqit. Aty është parë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili vizitoj kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemi. Ndërkohë, është parë një numër i shtuar i zyrtarëve policor të cilët kanë hequr edhe kamerat ilegale, të vendosura afër komunës.

    Në këtë komunë gjithçka është qetë derisa flamuri i Kosovës, i cili është vendosur dje, po valëvitet në objektin e komunës.

    Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.

    “Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

  • Sarrazin: Nuk lejojmë që për ndonjë budallallëk të hidhen poshtë marrëveshjet

    Sarrazin: Nuk lejojmë që për ndonjë budallallëk të hidhen poshtë marrëveshjet

    Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ndodhet për një vizitë në Kosovë, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, një ditë pas tensionimit të situatës në veri.

    Sarrazin ka pohuar sot se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që për ndonjë “budallallëk” të hidhen poshtë të arriturat nga Marrëveshja e Ohrit.

    Sipas emisarit gjerman Kosova me qasjen e djeshme nuk mund t’i afrohet BE-së.

    “Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin, e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku…

    E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit të ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta…”, tha ai.

    Ndryshe, të premten në veri u tensionua situata pasi kryetarët tentuan të hyjnë në zyrat e tyre të punës. Ata u asistuan nga Policia e Kosovës për të hyrë në objektin e komunave, derisa grumbull i qytetarëve serbë tentonin t’i pengonin.

  • Sarrazin niset drejt veriut

    Sarrazin niset drejt veriut

    Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka qëndruar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë.

    Ndërkaq, tani ai është nisur drejt veriut të vendit.

    Ndryshe, në deklarimin e tij, Sarrazin është shprehur se dje ka vendosur spontanisht që të vijë në Kosovë.

  • Deputeti gjerman mbështetje Kosovës: Ju keni mbrojtur territorin tuaj!

    Deputeti gjerman mbështetje Kosovës: Ju keni mbrojtur territorin tuaj!

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka treguar se deputeti gjerman, Knut Abraham nga radhët e CDU-së, ka shprehur mbështetjen e tij për sundimin e ligjit që Qeveria e Republikës së Kosovës që synon të zbatojë.

    “… duke rikujtuar se „nuk duhet harruar se një shtet po përpiqet të zbatojë të drejtat e tij në territorin e tij për’, ka shkruar ai.

     

  • Lista Serbe i kërkon Vuçiqit të pezullojë dialogun me Kosovën

    Lista Serbe i kërkon Vuçiqit të pezullojë dialogun me Kosovën

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka folur sot pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, ku kryetarët e rinj e komunave kanë kryer detyrat sipas ligjeve të vendit.

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut ka thënë se pas situatës në veri ka kërkuar prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndërprerjen e dialogut deri siç tha në tërheqjen e “kryetarëve fiktivë të Kurtit” nga veriu i Kosovës dhe tërheqjen e forcave speciale.

    “Duke pasur parasysh të gjitha, ne përfaqësuesit politikë të popullit serb nga Kosova, si dhe i gjithë populli serb, kërkojmë nga presidenti ynë, Vuçiq dhe nga e gjithë lidershipi shtetëror që të pezullojnë menjëherë çdo pjesëmarrje të mëtejshme të Beogradit në dialog me Prishtinën. Ne besojmë se çdo bisedë e mëtutjeshme me Prishtinën në rrethanat aktuale është jo vetëm e palogjikshme, por edhe kundërproduktive. Me fjalë të tjera, vazhdimi i bisedimeve me regjimin e Kurtit pas terrorit të djeshëm do t’i dërgonte atij një mesazh se një veprim i tillë është mjaft fitimprurës”, pohoi fillimisht ai, raporton b92.

    “Nga kjo perspektivë, në veçanti kërkojmë nga lidershipi shtetëror që vendimi për ndalimin e përkohshëm të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë në dialog të hiqet vetëm pas Prishtina të tërheq të gjitha forcat speciale të policisë ROSU nga veriu i Kosovës dhe të tërheq të gjitha organet dhe forcat e saja si dhe të largohen nga ndërtesat e administratave komunale në veri të Kosovës”, tha ai.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në orët e mëngjesit iu drejtua qytetarëve, një ditë pas situatës së tensionuar në veri të vendit.

    Kurti në një postim në Facebook bën të ditur se të gjitha rrugët që dërgojnë në veri të vendit janë të lira, ndërsa thekson se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme dhe se objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës.

  • Sveçla pas takimit me kryetarin e Leposaviqit: Jemi të bindur se do t’i tejkalojmë të gjitha vështirësitë

    Sveçla pas takimit me kryetarin e Leposaviqit: Jemi të bindur se do t’i tejkalojmë të gjitha vështirësitë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar për media pas takimit që ka pasur me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

    Sveçla ka pohuar se me kryetarin Hetemi janë pajtuar që të punojnë për të mirën e qytetarëve.

    “I dëshirova punë të mbarë, shpreha mbështetjen tonë dhe u pajtuam që të gjitha institucionet të punojnë për të mirën e qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjitha vështirësitë do t’i tejkalojmë”, tha Sveçla.

    Ministri Sveçla edhe ditën e premte ka deklaruar se kryetarët e katër komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre dhe do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Gjithashtu, ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar.

    “Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihe

    Ndryshe, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë sot në objektin e komunës pa ndonjë problem, gjersa situata u tha se është e qetë.

    Hetemi ka hyrë në komunë rreth orës 10:00, ndërkaq i shoqëruar ishte nga Policia e Kosovës.

    Ndryshe, të premten u tensionua situata në veri të vendit pasi kryetarët e rinj tentuan të hyjnë në zyrat e tyre të punës.

    Pas tensionimit të situatës në veri pati edhe reagime të ndërkombëtarëve.