ATV

Tag: Ballina

  • Situata në veri, mërgimtarët s’po i përdorin pikat kufitare me Serbinë

    Situata në veri, mërgimtarët s’po i përdorin pikat kufitare me Serbinë

    Pas ngjarjeve që i karakterizuan dy javët e fundit në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bëri thirrje qytetarëve ta shmangin kalimin nëpër Serbi.

    Thirrja e Ministrisë po respektohet, pasi që për 2 orë sa ekipi i ATV-së qëndroi në Merdarë, vetëm një mërgimtar e përdori këtë pikë kufitare për të ardhur në Kosovë.

    “Jo, gjithçka ka qenë në rregull, nuk kemi pasë asnjë problem në Serbi”, tha Aziz Tafaj, qytetar.

    Përveç në pikat kufitare me Serbinë, numri i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë nuk ka pësuar ngritje edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    “Ne vazhdimisht kemi rritje të numrit të udhëtarëve, po ashtu tremujorin e parë e kemi përmbyllur me 10 për qind më shumë të numrit të udhëtarëve, gjithashtu edhe muajin e kaluar kemi pasur 13 për qind më shumë numër të udhëtarëve. Për momentin nuk është se kemi pasur ndonjë rritje enorme”, tha zëdhënësja në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara.

    Megjithatë, sipas Raportit të Departamentit për kufi të Policisë së Kosovës, gjatë dy javëve të fundit 124.732 qytetarë i kanë përdorur pikat kufitare të Serbisë për të hyrë në Kosovë, ndërkaq 113.276 qytetarë i kanë përdorur pikat kufitare të Serbisë për të dalë nga Kosova. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pula: Kosovarët nuk mund të jenë anti-amerikan

    Pula: Kosovarët nuk mund të jenë anti-amerikan

    Njohësi i marrëdhënie ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një intervistë në emision DIREKT në ATV, tha se kosovarët nuk mund të jenë anti-amerikan, pasi që sipas tij, Kosova nuk ka kapacitete t’i kundërvihet SHBA-së.

    “Në diskursin tonë politik të përditshëm, prej shumë vitesh, figura politike të caktuara në Kosovë e kanë përdorë këtë diskursin “anti-amerikanizëm, -pro-amerikanizëm”. Nëse i japim një përshkrim se çfarë mund të jetë se çfarë mund të jetë një anti-amerikanizëm, është nëse ndonjë prej figurave politike në Kosovë do të ndërmerrte veprime të cilat do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA-ve dhe vlerave që i përfaqëson demokracia amerikane. Në këtë rast, ne nuk kemi kapacitete të bëjmë veprime të tilla për të qenë anti-amerikan”, tha Pula. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidentja Osmani deklarohet pas takimit me Escobar dhe Lajçak

    Presidentja Osmani deklarohet pas takimit me Escobar dhe Lajçak

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák.

    Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

    Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

  • Krasniqi: Asnjëherë s’i kam parë më të shqetësuar e zhgënjyer ndërkombëtarët, Kurti e Osmani po krijojnë kriza

    Krasniqi: Asnjëherë s’i kam parë më të shqetësuar e zhgënjyer ndërkombëtarët, Kurti e Osmani po krijojnë kriza

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se asnjëherë nuk i ka parë më të shqetësuar dhe të zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë se sa tani, raporton Ekonomia Online.

    Ai pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nga ta janë informuar në detaje për gjendjen dhe kërkesat.

    Ndryshe edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, mesditën e së martës janë takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.T

  • Serbët vazhdojnë protestat derisa peshohet opsioni i zgjedhjeve

    Serbët vazhdojnë protestat derisa peshohet opsioni i zgjedhjeve

    Protestat e qytetarëve serbë kundër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, hynë të hënën në javën e dytë.

    Derisa zgjedhjet e reja lokale diskutohen si mundësi për shtensionimin e situatës, edhe Qeveria e Kosovës, edhe serbët lokalë kanë fillimisht kushte për mbajtjen e tyre.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur kur më 26 maj Policia e Kosovës ka ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të hyjnë në objektet komunale – gjë të cilën popullata vendase serbe e ka kundërshtuar ashpër.

    Në ndërtesat e këtyre tri komunave deri më tani kanë funksionuar autoritetet e përkohshme komunale që punojnë në sistemin serb, e që janë ilegale për Kosovën.

    Vetëm në veri të Mitrovicës, objekti i komunës është i ndarë fizikisht sipas sistemit të Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë arsye, atje nuk kishte protesta.

    Bashkimi Evropian tha se pret që Kosova t’i ulë tensionet dhe t’i pezullojë menjëherë operacionet policore pranë ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

  • Mësohet ora e takimit midis Osmanit me Escobar dhe Lajçak

    Mësohet ora e takimit midis Osmanit me Escobar dhe Lajçak

    Pak minuta më parë,Gabriel Escobar e Mirosllav Lajçak kanë nisur një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Ndërsa gjatë ditës së nesërme qysh herët në mëngjes ata do të zhvillojnë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Takimi pritet të nis nga ora 09:45 minuta.

    ‘’Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar’’ thuhet në njoftim.

    Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

    Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.

    Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.

    Kurse, disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.

    Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.

    Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar.

  • Escobar: Duam më të mirën për Kosovën

    Escobar: Duam më të mirën për Kosovën

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripërsëritur përkrahjen e madhe ndaj Kosovës duke thënë se kërkesa e vetme është që të dëgjohet komuniteti ndërkombëtar.

    Kështu ka deklaruar ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ka potencuar se se duan më të mirën për Kosovën.

    “Është një unitet i madh transatlantik, mes SHBA-së, BE-së e NATO-s, që ka paraqitur kërkesat e njëjta. Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.

  • Ndërhyrja e OSBE në zgjedhjet në veri, kthim mbrapa

    Ndërhyrja e OSBE në zgjedhjet në veri, kthim mbrapa

    Ndërhyrja ndërkombëtare, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës javën e kaluar, ishte e domosdoshme.

    Gjendja e tensionuar shtyu Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që të dalë me një udhëzues 9 pikësh, për shtensionim e normalizim të situatës.

    Ajo çka po konsiderohet shqetësuese është pika e 7-të e këtij propozimi, e cila flet për zgjedhjet e reja në 4 komunat veriore.

    Partia më e madhe opozitare PDK vlerëson se ky është kthim mbrapa dhe nuk bën të pranohet.

    Sipas AAK-së, Organizimi i votimeve nga OSBE-ja i takon të shkuarës e heqje dore nga shtetësia.

    Opozita thekson se organizimi i çfarëdo procesi zgjedhor në Kosovë është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nuk mund të jetë ndryshe.

  • Kurti pas takimit me emisarët: Rruga përpara, ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga grupet kriminale

    Kurti pas takimit me emisarët: Rruga përpara, ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga grupet kriminale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, ka shprehur gatishmërinë “e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët në shtensionimin e gjendjes dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

    Kurti ka thënë se rruga para është ndalimi i sulmeve nga ekstremistët e dhunshëm e grupet kriminale. Kurti tha se vetëm sundimi i ligjit mund ta hapë rrugën e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore.

    “Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Ëashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj. Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimi ne Zyrës së Kryeministrit.

  • Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

    Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

    Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    “Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit.

    Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

    Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

    “Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

    Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.

    “Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku.