ATV

Tag: Ballina

  • ​Rama: Veriu, parajsë për aktivitete kriminale dhe përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale

    ​Rama: Veriu, parajsë për aktivitete kriminale dhe përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se veriu i Kosovës është bërë si një vend parajsë për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave por një përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale, gjë që mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese.

    Rama gjatë qëndrimitnë Vilnius të Lituanisë ku po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ka thënë se është koha që të kombinohet rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s, nëpërmjet KFOR-it.

    Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, ka thënë se Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7% deri në 1.2% dhe pyetja e madhe që gjithmonë shtrohet, është se si demokracitë mund t’i bëjnë ballë një diktatori ose një regjimi diktatorial në një konflikt sepse demokracitë duhet të luftojnë dhe në të njëjtën kohë duhet të dëgjojnë njerëzit. Ndërsa Vladimir Putin nuk ka kë tjetër të dëgjojë.

    Rama ka theksuar se problemi i Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme.

    “Çfarë po ndodh, diçka që është me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e Kosovës së veriut që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë pikërisht grupet ekstreme në Kosovën e veriut ku është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe aty ku kjo amalgamë, kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies, përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut, mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese dhe prandaj mendoj se është koha që të kombinojmë tashmë këtë dialog të lehtësuar nga BE, këtë rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it”, tha ai.

    Rama është pyetur edhe për sulmet kibernetike në Shqipëri, ku ka thënë se Shqipëria strehoi grupin MEK, grup opozitar iranian, por marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit.

    “Praktikisht ne na u kërkua që të ndihmojmë me grupin MEK, grupin opozitar iranian që janë një kafshatë e fortë me thënë të drejtën sepse përndryshe ata do të ishin masakruar në Irak nga shërbimet sekrete iraniane dhe na u kërkua që të shpëtojmë jetët e tyre dhe shpëtimin e jetëve shqiptarët e kanë në ADN-në e tyre dhe kjo është parë në histori dhe i vetmi vend në Europë me popullatë më të madhe hebreje, sepse të gjithë ata u ndjenë të sigurt në Shqipëri. Ne vend që të largoheshin nga vendi, po vinin gjithnjë e më shumë në Shqipëri dhe asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve dhe ne ishim shumë të lumtur që të prisnim 500 mijë refugjatë që i shpëtonin pikërisht spastrimit etnik në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit, i hapëm dyert për afganët nga Kabuli. Mijëra prej tyre erdhën dhe u shpëtuan në Shqipëri. Pra, ne bëmë po të njëjtën dhe me këtë grup opozitar iranian, por nuk është e njëjta në sensin, në kuptimin e rrezikut sepse janë opozita iraniane, megjithëse marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit. Fatkeqësisht, disa gjëra ndodhën dhe ne u sulmuam me një sulm në shkallë të gjerë, shumë i avancuar sa i përket shërbimeve kompjuterike dhe tashmë ishim një vend kryesor në Europë që jepnim shërbime online dhe ne u prekëm dhe për të rritur pikërisht sigurinë tonë kibernetike, na kërkohet më shumë mbështetje nga Kongresi dhe nga Senati, por kjo nuk është tashmë në lajme dhe kur nuk je në lajme, nuk je më problem dhe ne po përpiqemi që të bëjmë gjithçka për të fuqizuar sigurinë tonë kibernetike por nuk është e lehtë”, tha ai.

    E sa i përket anëtarësimit të vendeve të ballkanit Perendimor në BE, Rama shtoi se vendet e rajonit tonë janë të bekuar që kanë aleatë SHBA-të dhe BE-në.

    “Të shtosh 6 dhe nga Ballkani që sjellin shumë entuziazëm dhe gëzim, por jo durim nuk do ta bëjë procesin e vendimmarrjes më të lehtë, supozoj. Pra duhet të jetë diçka e kombinuar, por në përfundim mund të themi çfarë të duam për BE-në, por një gjë është e sigurt, pa BE-në ne nuk do të ishim në gjendje të bënim as 90% të atyre që kemi kryer në 30 vitet e fundit dhe pa SHBA-të që kanë dhe ata gjithashtu problemet e tyre dhe ne mund të themi çfarë të duam, por ne nuk do të ishim në gjendje të mbijetonim si komb shqiptar, pra nëse sot jemi të vendosur kaq mirë sa kemi kaq shumë progres të prekshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovën e lirë dhe të pavarur, pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në jetën politike të Maqedonisë së Veriut apo të shqiptarëve në Malin e Zi që përfaqësohen mirë dhe meqë ra fjala, 6 vende ballkanike, 3 kryeministra shqiptarë, diçka mund të mos shkojë mirë, por gjithsesi është diçka që të vjen mirë. Mendoj se nuk duhet asnjëherë ta harrojmë që ne jemi të bekuar që të jemi në zemër të Europës dhe të kemi këto dy aleanca strategjike të mëdha si SHBA-të dhe BE-ja dhe sigurisht pasi të kemi kryer detyrat gjatë ditës, në mbrëmje mund të tallemi me ta sepse pa shakatë dhe humorin, Ballkani do të kishte vdekur me kohë.

  • Publikimi i përgjimeve/ Kusari-Lila thotë se sot është takuar me Kurtin – Ja çfarë kanë biseduar

    Publikimi i përgjimeve/ Kusari-Lila thotë se sot është takuar me Kurtin – Ja çfarë kanë biseduar

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas publikimit të përgjimeve ka pasur takime me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Kurti, por që temë e takimeve nuk kanë qenë përgjimet.

    “Me kryetarin e Kuvendit jam taku, me kryeministrin kam bisedu, jo për këtë çështje, me thanë të drejtën. Nuk ka qenë me aq urgjencë që ka mujt me shkaktu diçka e cila.. Me Kurtin jam taku sot. Jo nuk kanë qenë, besoni ose ndaç mos e besoni, nuk kanë qenë temë bisedimet”, tha Kusari-Lila.

    Ajo tha se temë e bisedimeve gjatë takimit me kryeministrin Kurti ka qenë për koordinim të agjendës legjislative.

    “Me kryeministrin takohemi për koordinim të agjendës legjislative në raport me atë çfarë ne duhet të angazhohemi ne projektligjet që kanë mbetur për deri në fund të këtij sesioni pranveror. Jemi duke u mundu me e pasë një seancë goxha të ngjeshur, do me thanë sot është ftuar seanca me disa projektligje, një numër i konsiderueshëm disa prej të cilave janë në lexim të dytë, pastaj ka edhe votime dhe natyrisht që neve na duhet të jemi të mobilizuar që këto javë të mbetura, t’i kryejmë me sukses ato ligje që na kanë mbetur”, tha Kusari-Lila.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila paralajmëroi padi, reagon Buzhala

    Kusari-Lila paralajmëroi padi, reagon Buzhala

    Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, në emisionin CONTEXT në ATV, akuzuar se e ka manipuluar bisedën. Madje, ajo paralajmëroi edhe një padi ndaj gazetari Buzhala për nxitje, fyerje dhe cenim të integritetit e personalitetit të saj.

    “Sot biseda e lëshuar, të cilën e kam dëgjuar para se të vija në studio te ju, për dallim të asaj mbrëmë që e kam dëgju ten në studio, në kuptimin e përmbajtjes kur kam lexu titujt, e kam kuptu që sot përveç që është e prerë, dmth është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq. Si e parë e punës është incizimi i pa autorizuar prej Slavko Simiq, si e dytë e punës është mos marrja e asnjë konfirmimi nga unë lidhur me këto incizime nga Berat Buzhala, dhe si e tretë e punës është komentet, nxitja, fyerja dhe cenimi i integritetit e personalitetit tim” – theksoi ajo në ATV.

    Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar edhe gazetari Buzhala, i cili deklaroi se Kusari-Lila po gënjen dhe se nuk ka asnjë montazh.

    “Prape po rren Mimoza. Nuk ka montazh. Ne asnje moment – ne asnje – nuk i eshte montu as heq kurrgjo. Po rren per veteranet. Para perfaqesuesit te Milan Radojcicit e ka shajte Ramushin per veterane.” – shkroi Buzhala.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila paralajmëron padi për ish-deputetin e Listes Serbe dhe gazetarin Berat Buzhala

    Kusari-Lila paralajmëron padi për ish-deputetin e Listes Serbe dhe gazetarin Berat Buzhala

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se audio incizimi i sotëm i publikuar nga gazetari Berat Buzhala, është prerë dhe cunguar dhe se mban interpretime e komente.

    Ajo thotë se lidhur me këto, do të ballafaqohet në gjyq me ish-liderin e Listes Serbe dhe gazetarin Berat Buzhala.

    “Sot biseda e lëshuar, të cilën e kam dëgjuar para se të vija në studio te ju, për dallim të asaj mbrëmë që e kam dëgju ten në studio, në kuptimin e përmbajtjes kur kam lexu titujt, e kam kuptu që sot përveç që është e prerë, dmth është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq. Si e parë e punës është incizimi i pa autorizuar prej Slavko Simiq, si e dytë e punës është mos marrja e asnjë konfirmimi nga unë lidhur me këto incizime nga Berat Buzhala, dhe si e tretë e punës është komentet, nxitja, fyerja dhe cenimi i integritetit e personalitetit tim”, deklaroi Kusari-Lila.

    Ajo tha se asnjëherë tjetër nuk ka pasur komunikim me Radoiçiqin, pos atyre tre minutave të cilat i ka konfirmuar edhe vetë.

    “Ajo krejt çfarë është duke u propagandu, përfshirë edhe atë materiak i cili ka dalë për pesë herë, e kontestoj me çdo gjë të mundshme dhe e sfidoj secilin. Unë mund të konfirmoj me krejt vërtetësinë sa është e vërtetë që sonte jam në studio te ti se nuk ka asnjë bisedë tjetër përveç të asaj që e kemi dokumentu ose e kemi konfirmu në fakt atë tre minutshin që e kam dëgju Radoiçiqin duke u anku për hapësirën e ngushtuar nga kryeministri Kurti për të qendru në Kosovë, as edhe një tjetër të vetme”, tha Kusari-Lila. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shefi i BIA-s, në listën e sanksioneve amerikane

    Shefi i BIA-s, në listën e sanksioneve amerikane

    Listës së sanksioneve amerikane, pasditen e së martës, iu shtua edhe një person, është drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë, Aleksander Vulin.

    Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit, thotë se ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, është përfshirë në afera korruptive, për t’i çuar përpara agjendat e tij politike dhe interesat personale, duke u thirrur në paqe dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Aktualisht, shefi i inteligjencës serbe dyshohet se është përfshirë në krim të organizuar transatlantik.

    “Marrëveshjet korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus, në Serbi dhe rajon. Vulin ka mbajtur raporte që kanë pasur përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiq, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij, të mundë të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë”, thuhet në njoftimin nga Thesari Amerikan.

    Aleksandër Vulin, përmes autoritetit të tij, ka mbështetur Rusinë në aktivitetin e saj për cenimin e stabilitetit në Ballkanin perëndimor, thuhet mes tjerash në deklaratën e Thesarit amerikan.

    “Veprimet e Vulinit kanë rritur korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, si dhe përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozitat e tij publike për ta mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që minojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë, për të avancuar më tej ndikimin e saj në rajon”, thuhet më tej në njoftimin nga Thesari Amerikan.

    Gjatë vitit 2022, si ministër i Brendshëm, Aleksandër Vulin, zhvilloi një vizitë me takime të rëndësishme në Moskë, duke anashkaluar kërkesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa fillimisht ishte pritur nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

    Vendosja e sanksioneve nënkupton që të gjitha pronat që Vulini mund të ketë në SHBA, apo që kontrollohen nga qytetarë amerikanë, do të bllokohen. Po ashtu, atij i ndalohet që të bëjë transaksione me shtetasit amerikanë.

    Aleksandër Vulin, më herët, ka qenë edhe drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Vulin është njëri prej disa serbëve, që kohëve të fundit ka përfunduar në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Amerika sanksionon Vulinin, reagon presidentja Osmani

    Amerika sanksionon Vulinin, reagon presidentja Osmani

    Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur mirë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta futur në listë të zezë Drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.

    “Vulini me bashkëpunëtorë e kanë dëmtuar demokracinë dhe e kanë kërcënuar paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    “Ai u shërbeu interesave dashakeqe ruse dhe krimit të organizuar transnacional, duke minuar kësisoj stabilitetin rajonal”.

    “U duartrokas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendimin për ta sanksionuar atë”.

    “Bashkë me aleatët tanë do ta luftojmë ndikimin e akterëve të tillë kaq të këqij”.

  • Aleksandar Vulin, kukulla e Rusisë që është bërë sinonim i korrupsionit

    Aleksandar Vulin, kukulla e Rusisë që është bërë sinonim i korrupsionit

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon ka reaguar pas vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit i cili ka futur në listën e sanksioneve amerikane, Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Serbe – BIA, duke shkruar se më në fund Vulin është bërë sinonim i korrupsionit, kukullës së Rusisë dhe trafikut të narkotikëve.

    Ajo ka shkruar në Twitter se ky është një vendim shumë i rëndësishëm i thesarit amerikan për të sanksionuar ata që mundësojnë dërgimin e paligjshëm të armëve, promovojnë Putinin dhe nacionalizmin.

    “BE duhet ta ndjekë atë”, ka shkruar ajo.

  • ​Deputeti britanik: Vuçiq na kërcënoi, ta thërrasim ambasadorin serb për të shpjeguar

    ​Deputeti britanik: Vuçiq na kërcënoi, ta thërrasim ambasadorin serb për të shpjeguar

    Parlamenti i Britanisë së Madhe ka reaguar ndaj kërcënimeve që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka bërë deputetes së këtij parlamenti, Alicia Kearns, duke thënë se kërcënimet që kanë për qëllim frikësimin e deputetëve janë të papranueshme. Ai madje ka kërkuar që të thirret ambasadori serb për të shpjeguar qëllimin e asaj deklarate.

    Deputeti britanik Anthony Mangnall gjatë një debati në Parlamentin e Britanisë së Madhe, lexoi deklaratën e presidentit serb, Vuçiq, duke thënë se jo është deklaratë e papranueshme e një kreu të shtetit.

    “U alarmova thellësisht kur pashë se e nderuara deputete për Rutland-in, Kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, u kërcënua nga presidenti i Serbisë, i cili në përgjigje të fjalimit të saj, tha se tashmë po bëjmë një hetim kundër jush për të parë se çfarë po bëni, për të parë kush ju paguan dhe për të parë pse po e vendosni Republikën e Serbisë në një pozitë të tillë. Nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë, nuk është problem. Ne do të detyrohemi të reagojmë. Kjo është një deklaratë e papranueshme e një kreu shteti. Dhe nuk është thjesht një kërcënim për deputeten e Rutland-it, por një taktikë frikësuese për të gjithë deputetët. A mund të më qetësojë kryetari, ju lutem, se asnjë presion i ushtruar jashtë këtij vendi, veçanërisht nga qeveritë e huaja, nuk do të rrezikojë kurrë sigurinë ose privatësinë e deputetëve dhe se fuqia e plotë e Parlamentit, do të përdoret për të parandaluar taktikat e bullizmit dhe për të siguruar që deputetët mund të thonë të vërtetën. A nuk mendon edhe kryetari se ky është një moment në të cilin duhet thirrur ambasadori serb për të shpjeguar këtë qëndrim dhe deklaratë”, tha ai.

    Ati iu ka përgjigjur kryetari i dhomës në parlamentin britanik, Lindsay Hoyle, duke thënë se është parim themelor kushtetues që deputetët të mund të flasin lirshëm në seancat e kësaj Dhoma.

    “Kërcënimet ndaj deputetëve që kryejnë punën e tyre janë krejtësisht të papranueshme, kushdo që i bën ato. Dhe përtej kësaj, i kujtoj deputetit të nderuar se çështjet e sigurisë operacionale nuk i diskutojmë publikisht dhe nuk duam që ato të shkojnë më tej. Ajo që unë do të thosha është sigurisht që ne e marrim seriozisht, dhe sigurisht që kushdo qoftë, çfarëdo pozite, qoftë ai një mbështetës, qoftë Komiteti i Përzgjedhur Gjerman, duhet të jetë në gjendje të flasë hapur dhe lirshëm pa frikë dhe rikujtoj shtetet e huaja se ata nuk kanë të drejtë të kërcënojnë askënd nga kjo Dhomë dhe jam i sigurte se kërkesa për të thirrur ambasadorin është dëgjuar, kjo nuk më përket mua siç e di, por unë sigurisht që kam ngritur zërin që kjo të ndodhë”, tha ai.

  • Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Në samitin e sivjetmë të NATO-s që po mbahet në Vilnus të Lituanisë, një ndër temat kryesore do të jetë lufta në Ukrainë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanez ku po mbahet ky samit.

    “Në një kohë të kritike për sigurinë, ende po zhvillohet lufta nga agresioni rus në Ukrainë, presidenti Volodimir Zelenski, do të jetë pjesë e këtij samiti dhe pritet të inaugurojë këshillin NATO-Ukrainë. Ky këshill ka një rëndësi të madhe për Ukrainën, duke i dhënë mundësi të organizojë takime dhe të ngritë çështje të ndryshme, megjithëse nuk është anëtare e NATO-s. Një kërkesë tjetër e Ukrainës është të bëhet anëtare e NATO-s sa më shpejtë. Shtetet anëtare të NATO-s po e marrin parasysh këtë kërkesë, por nuk ka ende një marrëveshje në lidhje me këtë çështje. Sot, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u pajtua me deklaratat e Jens Stoltenberg-ut, në të cilën thuhet se do të mundohen të bëjnë më të mirën për të mbështetur Ukrainën, por duhet të presin deri në një moment të qetësohet situata”, njoftoi Vitaku.

    Vitaku tregoi se në këtë samit, është diskutuar edhe mbrojtja e Ukrainës nga çdo lloj agresioni që mund të vijë.

    “Shtetet e tjera në nivel botëror po ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar ndihmë financiare përveç investimeve të tyre të larta. Në këtë samit është diskutuar për të mbrojtur Ukrainën nga çdo lloj agresioni që mund të vijë”, tha Vitaku.

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.

    Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.

    Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.

    “NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë: