ATV

Tag: Ballina

  • Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja , ka sanksionuar Aleksandër Vulinin, që momentalisht mban pozitën e Shefit të Inteligjencës serbe.

    Sipas njoftimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sanksionimi i Vulinit nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur përgjegjës ata që janë të angazhuar në afera korruptive që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. /atvlive.tv

  • Parlamenti britanik dënon kërcënimet e Vuçiqit ndaj deputetes Kearns

    Parlamenti britanik dënon kërcënimet e Vuçiqit ndaj deputetes Kearns

    Kryetari i Dhomës së Ulët së Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të ka dënuar kërcënimin që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ia ka bërë deputetes konservatore, Alicia Kearns.

    Sir Lindsay Hoyle ka thënë se është “krejtësisht e papranueshme”, përpjekja për të frikësuar anëtarët e parlamentit, kur ngritën shqetësimet mbi sigurinë.

    Deputeti konservator, Anthony Mangnall, ka ngritur alarm mbi kërcënimin që e ka marrë deputetja britanike që kryeson Komitetin e Zgjedhur të Punëve të Jashtme, nga Presidenti serb.

    Deputetja kishte shprehur shqetësimin se po bëhej kontrabandë e armëve nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave dhe se ato po deponoheshin në kisha ortodokse serbe.

    Më pas, Vuçiq kishte thënë se po kryenin hetime ndaj Kaerns, për të parë se çka bën ajo, kush e paguan dhe pse po e vendoste Serbinë në këtë pozitë.

  • Emisioni “n’mal A n’det”, vjen në ekranet e ATV-së nga 17 korriku

    Emisioni “n’mal A n’det”, vjen në ekranet e ATV-së nga 17 korriku

    Nga 17 korriku, emisioni “n’mal A n’det” vjen në ekranet e ATV-së, çdo ditë, nga e hëna deri të premten me Robin, Jetën dhe Emirën, duke filluar nga ora 21:00.

    Ky emision pritet të ketë materiale interesante të përgatitura nga gazetarët e ATV-së, mysafirë në studio, muzikë, rrëfime personale dhe jo vetëm.

    Ky program rekomandohet për të gjitha moshat, derisa për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta ndjekin në orarin e rregullt do të vijë reprizë gjatë ditës, në YouTube dhe në rrjetet e tjera sociale./atvlive.tv/

  • Në ditën e dasmës së saj në Maldive, mori pashteta me vete – kjo është historia interesante e Vesës

    Në ditën e dasmës së saj në Maldive, mori pashteta me vete – kjo është historia interesante e Vesës

    Vesa Morina-Bahtijari e ftuar në emisionin “Libero”, në ATV derisa foli për për pushimet, sidomos ato gjatë stinës së verës, të cilat janë të domosdoshme e të nevojshme për mirëqenien tonë psikologjike dhe fizike, ajo përmendi një eksperiencë të saj në Maldive.

    Vesa tregoi se për dasmë të saj ajo kishte përzgjedhur të shkonte në Maldive, ku shtoi se për këtë udhëtim, kishte marr me vete ushqim nga shtëpia.

    “Unë kam qenë goxha insistuese në raport me martesën, i kam kërkuar burrit që mos me bo as dasmë e as këto traditat në vend që janë blerja e arit etj., por i thash që po shkojmë diku në pushim dhe asokohe u bo trend me shku në Maldive, dhe kështu vendosëm. Gjetëm alternative sepse ka qenë shumë e vështirë për me realizuar dhe përveç kësaj ishte edhe pak njëfarë mungesë e informacioneve se qysh kalon e të tilla dhe po du me tregu që kom marr pashteta me vete, se s’kam ditë por jam edukua, sepse udhëtimi dhe dalja jashtë vendit është një lloj edukimi”, tha ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    LEXONI EDHE:

    “Askush nuk m’i ka pagu, krejt vet i kam bo”, Ana Rrustemi flet për udhëtimet e jashtëzakonshme nëpër botë

     

  • Doktori nga Zvicra zbulon efektet anësore të vaksinës së COVID-19!

    Doktori nga Zvicra zbulon efektet anësore të vaksinës së COVID-19!

    Doktori i shkencave farmaceutike, Ylber Qusaj, i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ka folur rreth pandemisë COVID-19, vaksinës kundër koronavirusit dhe efekteve të saj anësore.

    Ai tha se në fillim ka pasur mendime dhe teori të ndryshme rreth këtij virus, mirëpo falë vaksinës antiCOVID-19, ne tashmë jemi të lirë nga kjo sëmundje.

    “Sidomos në fillim të pandemisë ka pasur konspiracione të ndryshme, mirëpo virusi COVID-19, që e kemi pasur deri tash ka qenë një ndër virus më të rrezikshme dhe më të vështira që kemi pasur. Mirëpo tash me marrjen e vaksinës antiCOVID-19, kemi rritur imunitetin e njerëzimit në përgjithësi dhe tani jemi të lirë nga ky virus. Të gjitha ata që thonë se “ vaksina na kanë lënë me pasoja’, është më shumë një lloj miti se sa që mund të ketë pasoja. Nuk ka pasur asnjë efekt anësore të vaksinës së COVID-19, beso aq të vogla kanë qenë efektet anësore, që vetëm ka qenë mite të njerëzve që kanë dashtë mos me marr vaksinën”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Askush nuk m’i ka pagu, krejt vet i kam bo”, Ana Rrustemi flet për udhëtimet e jashtëzakonshme nëpër botë

    “Askush nuk m’i ka pagu, krejt vet i kam bo”, Ana Rrustemi flet për udhëtimet e jashtëzakonshme nëpër botë

    Prezantuesja shqiptare Ana Rrustemi, e ftuar në emisionin “Libero”, në ATV ka folur rreth eksperiencës së saj, për udhëtimet jashtë vendit.

    Ajo tha se nga udhëtimet, njeriu mëson shumëçka duke përfshirë këtu, kultura të ndryshme, ushqime etj.

    “Secili udhëtim është histori, kënaqësi e eksperiencë në vete dhe secila kulturë ndryshon prej tjetrës, ushqimi, njerëzit. Ata që më njohin e dinë se deri tash kam qenë 6 herë ne Barcelonë, dikush thotë ‘a e ka gjetë kjo dikon atje, a cka po shkon atje aq shpesh ’por jo unë jam dashurua në atë qytet sepse atje edhe dritaret buzëqeshin. Ne si njerëz ndryshojmë dhe udhëtimet janë shkollë në vete, sepse thash që takon kultura të ndryshme, edukohesh. Pra. sh kruaja ime në Barcelonë rezultoi me recetën “PAE’, që është recetë tradicionale e tyre; oriz në tavë që e bëjnë më ndryshe, “kremakatala”të cilën recetë e kam sjellë edhe këtu në Kosovë”, u shpreh ajo.

    Tutje ajo tha se udhëtimet e saja i ka realizuar pa ndihmën e dikujt.

    “Ma s’pari duhesh me dashtë këtë eksperiencë sepse nëse e don ti kursen dhe brenda vitit ti kursen e ja bon vetes ëndrrën realitet, pra, krejt është sa ke dëshirë. Unë kom pas ëndrra dhe unë krejt deri tash i kom realizua vet, kurrkush as nuk m’i ka pagu. A kom shku me kredit kartela, a kom mar borxh, a kom mbledh, unë i kom bo vet”, shtoi tutje ajo./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gjermanët apel Kosovës e Serbisë në prag të Samitit të NATO’s, këto janë kërkesat e tyre

    Gjermanët apel Kosovës e Serbisë në prag të Samitit të NATO’s, këto janë kërkesat e tyre

    Në prag të samitit të NATO-s qarqe qeveritare nga Gjermania kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se po shqyrtojnë edhe mundësinë e masave ndaj Beogradit.

    Në prag të samitit të NATO-s, në Vilnë qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë. Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, në prag të samitit të NATO-s, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve:

    “Fokusi ynë është që të dy palët të zbatojnë atë që kanë premtuar, veçanërisht në Beograd, por edhe në Kosovë”, tha zyrtari duke pasur parsysh planin franko-gjerman dhe darkodimin për të në shkurt dhe mars të ketij viti. “Hapi tjetër është që të dyja palët të jenë të pranishme në bisedimet e udhëhequra nga BE dhe me pas të negociojnë në mënyrë konstruktive për Asociacionin e Komunave të Kosovës së Veriut.”

    Në fokus kryesor të samitit të NATO-s do të jetë mbështetja për Ukrainën. Por sigurisht që çështja e Kosovës dhe siguria në Ballkan do të jenë temë bisedimesh: “Unë besoj se ky samit është një mundësi e mirë për të gjithë për të kujtuar situatën gjeopolitike: Rusia e ka kthyer luftën përsëri në Evropë dhe për rrjedhojë NATO po rrit aftësinë e saj mbrojtëse. “Ajo që me të vërtetë nuk na duhet tani është, që në këtë situatë shumë të tensionuar gjeopolitike të kemi në Ballkan tensione të tilla që besojmë se janë të evitueshme”, tha zyrtari.

    Në shkëmbim intensiv me kryeminstrin e Shqipërisë

    Paralajmërimin e mëparshëm bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se nëse Kosova vijon të vetëizolohet, duke mos përmbushur kërkesat e BE-së, mund të krijohet një “republikë e KFOR-it”, zyrtari tha “se këto vizione të kryeministrit të Shqipërisë janë shumë të largëta”.

    Por ai pranoi se kancelari gjerman “është në shkëmbim intensiv me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjet e përgjithshme të stabilitetit në Ballkan”. Nga ana tjetër, ai bëri thirrje për implementim të marrëveshje së Ohrit: “Është vërtet koha që të gjitha palët e përfshira të zbatojnë atë për çka është rënë dakord. Nëse e bëjnë këtë – dhe sipas nesh nuk ka asgjë që i pengon – nuk ka nevojë për përsiatje të tilla”, tha zyrtari duke iu referuar deklarate se kryeministrit shqiptar Edi Rama.

    Sanksione edhe ndaj Beogradit

    Gjermania e rriti javen e kaluar presionin ndaj Kosoves duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, ne perputhje me vendimin e  marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Siç i konfirmoi DW-së ambasada gjermane në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin, bëhet fjalë për tri projekte që ende nuk kanë nisur akoma. “Janë konsultime dhe formate bashkëpunimi në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit për zhvillimin”, tha ministria gjermane, por shtoi se ndëshkimet nuk prekin “projektet me sektorin e shoqërisë civile si dhe në projektet që tashmë kemi filluar t’i zbatojmë”. Të gjitha projektet e prekura mund të rifillojnë në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme për shtencionimin e situatës në komunat veriore”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme në përgjigje të pyetjes së DW.

    DW e pyeti ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Ujdise se Ohrit.

    Në përgjigjen e ministrisë së jashtme gjermane thuhej gjithashtu se “ashtu si Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në shtensionimin e gjendjes. “Serbia duhet të angazhohet qartazi për zbatimin e Ujdise së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të vërë më në dyshim vlefshmërinë dhe natyrën obliguese të saj”.

    “Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbise, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha ministria e punëve të jashtme.

    Deklaratat e presidentit Vučić (6.7.) tregojnë se si Kosova ashtu edhe Serbia aktualisht po e pengojnë në të njëjtën masë shtensionimin e situatës, thuhej me tej ne deklarate.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte njoftuar javën e kaluar, 6.7.2023 se po shqyrton mundësinë që javën e ardhshme të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme

    Ischinger: Jam kundër sanksioneve

    Politika e sanksioneve ndaj Kosovës është kritikuar shumë nga ekspertë dhe njohës të Ballkanit. Ish- ambasadori gjerman dhe njohës i Ballkanit Wolfgang Ischinger, në një takim zhvilluar me gazetarët e huaj të akredituar në Berlin, u shpreh skeptik ndaj kësaj metode.

    “Unë nuk jam për aksione të tilla ndëshkuese. Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të bëjë kujdes që vendimet tona për sanksione, sikur është vepruar më parë edhe kundër Polonisë apo Hungarisë, të mos sjellin rezultate kundërproduktive.” Ischigner tha se këto mund të sjellin armiqësime të panevojshme për bashkëpunimin në BE. Ai tha se vetë është për shpërblime, në vend të dënimit. Prandaj edhe unë do t’i propozoja zotit Borrel ose Lajçak që të bëjnë një listë me shpërblime për ata që bashkëpunojnë, ata që nuk bashkëpunojnë nuk marrin asgjë.”

    Ischinger tha gjithashtu se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE para Ukrainës.

    “Nuk mund ta dëmtojmë më tej besueshmërinë (që edhe ashtu është e dëmtuar) e rajonit ndaj Bashkimit Evropian”, tha Ischinger, i cili kujtoi se pikërisht  20 vjet më parë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u thamë se bëjnë pjesë në BE. Tani kanë kaluar 20 vjet, asgjë nuk ka ndodhur, zhgënjimi është i madh”, iu përgjigj Ischinger pyetjes së DW.

  • Pasi Turqia u pajtua që Suedia të anëtarësohet në NATO, Osmani: Radhën e ka Kosova

    Pasi Turqia u pajtua që Suedia të anëtarësohet në NATO, Osmani: Radhën e ka Kosova

    Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është gëzuar për pajtimin e presidentit turk, Recep Taip Erdogan që Suedia të anëtarësohet në NATO.

    Ajo ka thënë se radhën e ka Kosova, Ukraina dhe Bosnje dhe Hercegovina në NATO.

    “Radhën e kanë Kosova, Ukraina dhe Bosnje dhe Hercegovina në NATO, për një Aleancë dhe për një Evropë më të sigurt e të qëndrueshme”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Turqia e kishte penguar Suedinë që të anëtarësohet në NATO me arsyetim se “strehon terroristët”.

  • Gërvalla s’tërhiqet nga deklarata, VV e mbron, opozita kërkon të shkarkohet

    Gërvalla s’tërhiqet nga deklarata, VV e mbron, opozita kërkon të shkarkohet

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka hequr dorë nga deklarata në Dubrovnik ku tha se se pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”.

    Gërvallës në krah po i dalin edhe deputetë të partisë në pushtet, ndryshe nga përfaqësues të opozitës të cilët e kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të saj ose edhe shkarkimin për deklaratën të cilën e cilësojnë skandaloze dhe të pa-nevojshme.

    Ministrja e Jashtme po vazhdon të besojë se nuk ka gabuar kur Bashkimin Evropian e ka cilësuar “Tigër prej letre”.

    Kryediplomatja e shtetit që synon anëtarësim në BE përmes një postimi në “Facebook” ka ringritur pyetjen se: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

    Po kësaj pyetje ministrja Donika Gërvalla përmes një teksti të gjatë i është kundërpërgjigjur ashpër opozitës duke i cilësuar pa dinjitet, pa strategji, plan e pa vizion.

    Në linjë me Gërvallen ka qëndrim edhe deputeti i koalicionit, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thotë se edhe brenda BE-së ka vet-kritikë të ngjashme, prandaj kërkon të mirëkuptohen kritikat e Gërvallës.

    “Që në ditën e parë që ka ardhë ka pasur një kërkesë për shkarkimin e Gërvallës. Unë besoj që ju duhet ta kuptoni edhe subjektet politike, të gjithë ata që mendojnë është që Gërvalla përfaqëson ca nga vlerat më të dëshmuara në shoqërinë tonë…Besoj që opozita edhe qarqet tjera duhet ta hedhin vëmendjen tek përmbajtja e politikës së jashtme, jo të tentojnë në çdo kohë të gjejnë ca gjëra të vogla mbi të cilën pastaj ta stigmatizojnë atë”, ka thënë Armend Muja, Deputet i LVV-së.

    Mirëkuptimin të cilin po e kërkon Muja nuk po e ofrojnë nga opozita. Dy partitë më të mëdha opozitare, thonë se dorëheqja me vetiniciativë ose edhe shkarkimin duhet të jenë veprimet pas kësaj paraqitje.

    “Nuk e mendoj që gjuha e tillë të sjellë përfitime, pavarësisht sjelljes së BE-së ndaj Serbisë ne nuk jemi ata që bëjmë vlerësimin dhe nuk jemi ata që duhet të ngutemi me deklarata të tilla, sepse nuk na shërbejnë”, ka thënë Ariana Shoshi-Musliu, Deputete e PDK-së.

    “Përderisa një ministre nuk është më kredibil dhe ngritë dyshime deri në përmasa të themi zbehjes së marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me partnerët tanë është shumë e natyrshme që është në autoritetin e Kryeministrit që të ndërmarrë masa”, ka thënë Anton Quni, Deputet i LDK-së.

    Quni dhe Musliu po kërkojnë shkarkimin e Gërvallës, por kolegu nga partia më e vogël opozitare synon shkarkimin e komplet Qeverisë.

    “Ajo për sekretarin Blinken që është naiv, ka qenë një deklaratë tepër skandaloze e ke deklaratën të ministres së Punëve të Jashtme, dhe së fundmi e ki skandalin më të madh të mos-takimi të Kryeministri (Kurti) me kryeministrin Edi Rama….Shihet se këtu nuk ka as diplomaci publike, as nuk ka ministri funksionale këtu është një katrahurë. Të mjerët ne ku ka rënë Kosova dhe në çfarë deregje është”, ka thënë Besnik Tahiri, Shef i GP-së së AAK-së.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se mocioni për rrëzimin është diskutuar përbrenda bllokut opozitar, të cilët kanë gatishmëri mirëpo brengën e kanë se a bëhen votat.

  • Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

    Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa kritikoi politikanët në rajon që mohojnë gjenocidin e ndodhur në Bosnje.

    Gjatë ceremonisë përkujtimore për 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se “Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e krimeve, ajo asnjëherë nuk u bë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”.

    Sipas kryeministrit kosovar, dënimi me burgim të përjetshëm nga gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, i ish-presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq, për gjenocidin në Srebrenicë, janë tregues se ngjarjet në Bosnje u kryen nga jashtë.

    “Ky është tregues që gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia, por nga jashtë, që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. Prandaj, ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnjën”, tha Kurti.

    Kurti kritikoi politikanët në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska që refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ky mohim, sipas tij, “vë kripë në plagën” e familjarëve të viktimave.

    “Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Por, themelimi i kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e paimagjinueshme se si në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi. Dhe i vetmi dialog i mirë kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, tha Kurti.

    I pranishëm në këtë ngjarje për të kujtuar viktimat e Srebrenicës ishte edhe deputeti nga Bosnje e Hercegovina, Shemsudin Mehmedoviq.

    Ai tha se më 11 korrik, kur bëhen 28 vjet nga kryerja e gjenocidit në Srebrenicë, e gjithë bota demokratike do të bëjë homazhe për mbi 8.000 viktimat.

    “Por, do të ketë edhe të tillë që nuk do të duan të bëjnë homazhe. Ata të cilët sot përkrahin Federatën Ruse, që bënë shkelje të mëdha kundër Ukrainës, kjo është Serbia dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. [Presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq dhe [presidenti i entitetit të Republikës Sërpska] Millorad Dodik, që nuk e pranojnë Kosovën tuaj dhe Bosnjën e Hercegovinën time. Ata nuk na pranojnë as si popuj për shkak të politikave të tyre gjenocidale dhe përsëritjes së krimeve”, tha ai.

    Sipas Mehmedoviqit, politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës, por në të ardhmen do ta njohë Republikën Sërpska si shtet “dhe në këtë mënyrë të tentojë të shkatërrojë pavarësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnje e Hercegovinës”.

    Dy vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që njeh ngjarjet e ndodhura në Srebrenicë si gjenocid.

    Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.

    Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. /REL