ATV

Tag: Ballina

  • Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ndërgjegja kolektive “mund të jetë më e qetë” pas dënimit maksimal të shqiptuar sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Haxhiu, në një shkrim në Facebook, e ka cilësuar të drejtë gjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

    “Gjykim i drejtë për krimin mizor”, ka thënë ministrja. “Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu”.

    Ministrja Haxhiu ka deklaruar se “ndërgjegjja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet.”

  • Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje.

    Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore në Ferizaj, duke i shpallur ata fajtor për veprën penale “Vrasje”, ndërsa i ka liruar ata nga akuza për dhunim, meqë nuk është provuar se është kryer vepra penale.

    Kur gjykatësi ia shqiptoi dënimin Krivaqës u dëgjuan thirrje nga të pranishmit, derisa vendimi u duartrokit.

    Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021.

    Ndërkohë, para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, mbajti aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.

    Protestues me pankarta në duar, kërkuan dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

  • Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot do të fillojë zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind në objektet komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

    Vendimi vjen pas një vlerësimi të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

    Në njoftim thuhet se ekipet e Policisë, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vazhdojnë koordinimin dhe do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në komunat veriore.

    Qysh më 13 korrik është larguar 25 për qind e Policisë nga objektet komunale dhe rreth tyre, në veri.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Gjykata Themelore në Ferizaj sot (e premte) do të mbajë seancën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca do të mbahet në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

    Para fillimit të seancës, në ora 10:30 para objektit të Gjykatës së Ferizajt do të mbahet një protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist “për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”.

    “Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Përndryshe, gjatë kësaj jave është zhvilluar seanca gjyqësore për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, ka kërkuar burg të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

    Në këtë seancë fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.

    Pas tij, fjalën përfundimtare e pati avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, i cili ka thënë se të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm.

    Rexhepi ka thënë se deklaratat e Sejdiut nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra dhe u dhunua Marigona Osmani.

    Avokati theksoi se në video-incizimet e siguruara pamjet janë të tmerrshme.

    Sipas aktakuzës, “I pandehuri Dardan Krivaça, me 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”.

    “Nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.

  • Bislimi njofton për reduktimin e mëtejmë të Policisë, ia përmend BE-së punën e sanksioneve

    Bislimi njofton për reduktimin e mëtejmë të Policisë, ia përmend BE-së punën e sanksioneve

    Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka deklaruar se janë duke e respektuar Marrëveshjen e Bratislavës me Bashkimin Evropian, teksa ka treguar për reduktimin e forcave të Policisë së Kosovë për 25 për qind rreth komunave veriore, gjë që do të ndodh që nga nesër.

    Këtë të enjten e ka konfirmuar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të cilit postimin në Twitter ia shpërndau Bislimi dhe dha sqarime për këtë proces.

    ”Pas Marrëveshjes së Bratislavës, ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit. Situata është e qetë tash e disa javë – konfirmuan dje bashkërisht PK-ja, KFOR-i dhe EULEX-i.Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj nga arrng. & beson se pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

    Për shkak të zhvillimeve në Veri që kaluan në tension që nga maji i këtij viti, Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuee ndaj Kosovës.

    Por Bislimi thotë se masat janë të përkohshme e të kthyeshme, duke nënkuptuar se këto veprime të Qeverisë në planin e deskalimit do të ndikojnë në largimin e atyre masave.

    ”Marrëveshja e 10 korrikut është ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe ka për qëllim të zbatojë deklaratën e BE27 nga 3 qershori. Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për deeskalim”, ka thënë ai.

  • Kurti njoftoi se sot hapet konkursi për inspektorë të tregut

    Kurti njoftoi se sot hapet konkursi për inspektorë të tregut

    Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se nga sot do të jetë i hapur konkursi për 27 inspektorë të rinj të tregut dhe i ka ftuar të interesuarit me kualifikimet e nevojshme që të aplikojnë.

    Kurti ka thënë se deri tani kanë qenë 15 inspektorë të tregut dhe me këtë konkurs ky numër do të shkojë në 42.

    “15 ka qenë numri i inspektorëve deri të tani. Me thirrjen që po e hapim sot, këtë numër po e ngrisim në 42, duke e rritur për gati 3-fish ose 180% numrin e përgjithshëm të inspektorëve të tregut. Angazhimi në fushën e inspektimit bartë përgjegjësi të lartë dhe kontribut të veçantë për vendin, prandaj i inkurajojmë të gjithë të interesuarit me kualifikimet e nevojshme që të aplikojnë”, ka shkruar Kurti.

  • Shefi i Zyrës së BE takon kryetarin e Zveçanit, Ilir Pecin

    Shefi i Zyrës së BE takon kryetarin e Zveçanit, Ilir Pecin

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, njofton se ka zhvilluar takim me kryetarin e Zveçanit Ilir Peci, në zyrën e tij në fshatin Lipë.

    Szunyog tha se në takim u diskutuan sfidat me të cilat po përballen në ofrimin e shërbimeve komunale për popullatën lokale.

    Gjithashtu ka shprehur mirënjohje ndaj kryetarit Peci për kontributin për de-përshkallëzim në veri.

    “Shpreha mirënjohjen time për kontributin e kryetarit të komunës për de-përshkallëzimin në veri të Kosovës”, u shpreh ai.

  • Ministria e Mbrojtjes: FSK ka 1836 ushtarë më shumë për 2 vjet

    Ministria e Mbrojtjes: FSK ka 1836 ushtarë më shumë për 2 vjet

    Ministria e Mbrojtjes ka treguar se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), për dy vjet kanë 1 mijë e 836 ushtarë më shumë.

    Kjo ministri ka publikuar një video ku tregon për rekrutimet në ushtri.

    Në këtë video FSK-ja quhet ushtria e Adem Jasharit.

    Po ashtu, ministria që udhëhiqet nga Armend Mehaj vazhdimisht krenohet se kanë rritur buxhetin për ushtri.

    Së fundmi janë krenuar edhe me blerjen e dronëve “bayraktar” nga ana e Turqisë.

  • Kushtetuesja i hap rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i rrëzon vetëm disa nene

    Kushtetuesja i hap rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i rrëzon vetëm disa nene

    Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së për Ligjin për Zyrtarët Publikë, teksa ka konstatuar se është pjesërisht antikushtetues.

    “Në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata njëzëri ka vendosur që (i) kriteri “i përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Megjithatë, organi më i lartë juridik në vend, i hapi rrugë dekretimit të këtij ligji.

    “Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Reagimi i opozitës në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i menjëhershëm, duke e cilësuar fitore të demokracisë.

    “Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë me radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe ta kthejë në çerdhe të militantëve, familjarëve dhe partisë së tij”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    “Për tri vjet qeverisje, partia në pushtet ka shkelur 4 herë Kushtetutën, derisa janë edhe disa ligje që janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Këto shkelje tregojnë më së miri mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Ligji për Zyrtarët Publikë nga Qeveria u pa si pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të shoqërisë.

    Ndryshe më parë, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim, derisa Ligji për Këshillin Prokurorial ishte rrëzuar.

    Ndërkohë, në shqyrtim, kjo Gjykatë e ka edhe Ligjin për Pagën Minimale, pas dërgimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ka filluar gjykimi për krime lufte ndaj Zlatan Arsiq, keqtrajtoi shqiptarë në Kamenicë

    Ka filluar gjykimi për krime lufte ndaj Zlatan Arsiq, keqtrajtoi shqiptarë në Kamenicë

    “I uniformuar, e ndalon Besim Muhaxherin dhe i drejtohet me fjalët: ku po i dërgon këto cigare? UÇK-së a? Tash të tregoj unë”.

    Kështu përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale se iu drejtua Besim Muhaxherit, duke e kërcënuar edhe me jetë, ish-polici, tani i akuzuar për krime lufte, Zlatan Arsiq.

    Sipas aktit akuzues, Arsiq nuk u ndalua me kaq dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, mori pjesë në dëbimin dhe torturimin e civilëve shqiptarë në Kamenicë dhe në qytetet në rrethinë.

    Por, 42-vjeçari në shqyrtimin fillestar që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka mohuar se mori pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë muajve shkurt – mars të vitit 1999.

    Arsiq i cili u arrestua në mars të këtij viti, punonte në Policinë e Kosovës që nga viti 2006 dhe jetonte në Ajnovc të Kamenicës.

    Ndërkohë, mbrojtja ka kërkuar zbutjen e masës së paraburgimit me arsyetimin se vajza e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, kjo nuk duhet të pranohet nga Gjykata për shkak të peshës së veprës penale dhe mosbashkëpunimit juridik me Serbinë, pasi i akuzuari ka nënshtetësinë edhe të Serbisë dhe ekziston rreziku që ai të arratiset.

    Rasti, sipas Prokurorisë, ka qenë duke u hetuar nga viti 2015, kur EULEX-i kishte në kompetencë hetimin e krimeve të luftës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: