ATV

Tag: Ballina

  • ​Përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    ​Përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Pas takimit, Vuçiq në një prononcim për media ka thënë se takimi ka përfunduar pa sukses.

    Ai tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan rel, transmeton KosovaPress.

    Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

    “Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

    I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

    “Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, tha Vuçiq.

    Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Pas kësaj, ka nisur takimi i dytë i Kurtit me ndërmjetësuesit e BE-së, përfaqësuesit të lartë Borrell dhe emisarit për dialogun Lajçak.

    Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me diplomatët. Takimet filluan rreth orës 09:00, ndërsa takimi trepalësh, nisi rreth orës 11:00, dhe zgjati afërisht dy orë.

    Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt. Do të flitet gjithashtu edhe për çështjen e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Pas përfundimit të takimeve do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të njoftojë nëse ky takim ishte pozitiv apo jo.

    Borrell postoi në platformën X, e njohur më herët si Twitter, disa foto nga Brukseli ndërsa tha se sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi.

    “Jam duke pritur Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, tha Borrell.

    Analistë të ndryshëm megjithatë, i shohin të pakta mundësitë që edhe kjo përballje të prodhojë rezultatet e shpresuara nga BE-ja e SHBA-ja.

  • EULEX po kryen bastisje në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtar i UÇK-së

    EULEX po kryen bastisje në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtar i UÇK-së

    Njësitë e Policisë së EULEX-it janë duke e bastisur një shtëpi banimi në Kodër të Trimave në Prishtinë.

    Sipas burimeve, shtëpia është e Behar Berishës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.Sipas këtyre burimeve, supozohet se do të ketë edhe arrestime.

    Përndryshe dje me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, zyrtarë të EULEX-it ia kanë konfiskuar telefonin Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës – Calit.

    Lajmin e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, i cili tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00.

    “Po është e vërtetë. Ka ndodhur sot rreth orës 16:00. Telefonin e ka konfiskuar policia e EULEX-it. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë”.

    “Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale ‘pengim i drejtësisë’. Për momentin vetëm ky hap procedural është marrë, pra konfiskimi i telefonit”, tha Shala.

    Tutje, Shala tha se pas ekzaminimit të telefonit të Mustafës atëherë do të vërtetohet se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e Prokurorisë.

  • Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Sot është dita kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Takimi i sotëm është i pari pas tensioneve në veri të Kosovës në fund muajit maj dhe ne fillim muajin qershor.

    BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.

    “Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Pasi të përfundojnë takimet, Borrell ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt.

    Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

    Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.

    Dje, një ditë para takimit “të madh” janë ulur edhe pritjet e mëdha. Kurti ka kritikuar BE-në për sanksionet e padrejta, ShBA dhe BE kanë paralajmëruar masa të reja nëse nuk ka përparim në dialog dhe nëse palët nuk tregohen të përgjegjshme. Çfarë pritet nga takimi i 14 shtatorit?

    Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur gjerman “Duetche Welle”.

    Kurti për DW ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun me Serbinë, takimin e radhës në Bruksel dhe masat e BE-së. Në intervistën e gjatë, Kurti ka vlerësuar se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën.

    Tutje, shefi i ekzekutivit vlerësoi se BE ka dëmtuar dialogun me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    “Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.” – theksoi Kurti.

    “Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.” – shtoi Kurti

    Ndërsa, emisari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, si disa ditë me parë presidenti francez, Emanuel Macron, ka paralajmëruar dy vendet se do të këtë pasoja nëse nuk shënojnë përparim në kuadër të dialogut.

    Escobar për Zërin e Amerikës, ka përmendur si masa ndëshkuese ndaj Kosovës, çështjen e njohjeve të reja, konferencë donatorësh, dialogun strategjik me SHBA-në, dhe marrëdhëniet më të afërta me NATO-n.

    “Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë Escobar.

  • Me urdhër të Speciales i konfiskohet telefoni vëllait të Salih Mustafës

    Me urdhër të Speciales i konfiskohet telefoni vëllait të Salih Mustafës

    Me urdhër të Speciales i është konfiskuar telefoni Arben Mustafës, vëllait të ish-komandant Calit. Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, sipas së cilit klienti i tij nuk ka kryer ndonjë vepër penale e as pengim të administrimit të drejtësisë.

    Ai ka bërë të ditur se telefoni i është konfiskuar sot në bazë të dyshimit për kryerje të veprës penale të pengimit të drejtësisë.

    “Po, i është konfiskuar telefoni. Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale dhe është bërë në bazë të urdhëresës së gjykatës së Dhomave të Specializuara. Bëhet fjale për pengim të drejtësisë. Prokuroria do të bëjë ekzaminimin këtij telefoni dhe në bazë të rezultateve do të rezultoi a mbështetët ai dyshim apo jo, për çka unë besoj që nuk ka me u vërtetu ai dyshim. Aq sa kam unë informata nuk besoj që klienti im Arben Mustafa ka kryer ndonjë vepër penale, por as pengim të drejtësisë”, ka thënë Shala.

    Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Speciale e ka dënuar në shkallë të parë Salih Mustafën më 26 vjet burg pasi është shpallur fajtor për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

  • Kurti takon ambasadorin e Francës, flasin për takimin e sotëm në Bruksel

    Kurti takon ambasadorin e Francës, flasin për takimin e sotëm në Bruksel

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi mbrëmë një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Ambasadori Guerot e uroi Kryeministrin për kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ofroi ndihmën dhe përvojën e Francës nga organizimi i këtyre lojërave në vitin 1993.

    Kryeministri e mirëpriti gatishmërinë e Francës për mbështetje dhe tha që ne synojmë të mësojmë nga Franca dhe të bashkëpunojmë për organizim sa më të mirë.

    “Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet një njoftimin e qeverisë.

  • ShBA: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht obligimet nga Marrëveshja për normalizim

    ShBA: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht obligimet nga Marrëveshja për normalizim

    Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e raporteve.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e obligimeve përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Ne i kërkojmë Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshje për normalizim, të cilët e kanë arritur më herët gjatë këtij viti dhe të nisin të lëvizin përpara edhe në obligimet ekzistuese dhe të mëhershme të dialogut dhe të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

     

     

    Nga ambasada thanë se SHBA-ja vazhdon “ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një mënyrë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Sipas agjendës së paralajmëruar, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, por edhe për çështje aktuale.

    Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në shkurt në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj.

    Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Takimi i 14 shtatorit do të jetë i teti mes Kurtit dhe Vuçiqit. Në shtatë takimet e kaluara, ata nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje, përfshirë edhe atë për normalizim në shkurt, e cila është arritur vetëm gojarisht.

    “Angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet në mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët, përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë rajonal”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

    Disa ditë para takimit të Brukselit, Kurti bisedoi me të dërguarin e e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar, “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

    Ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar tha më 13 shtator se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga Kurti për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

  • Ekskluzive: Të enjten Kuvendi Komunal i Leposaviqit voton për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    Ekskluzive: Të enjten Kuvendi Komunal i Leposaviqit voton për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tridhjetepesë komunave që janë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, pritet t’i shtohet edhe një tjetër.
    Pak kohë pasi ky mekanizëm e pranoi Mitrovicën e Veriut, një kërkesë e njëjtë pritet t’i bëhet nga një tjetër komunë veriore.

    Fjala është për komunën e Leposaviqit, Kuvendi Komunal i së cilës, në bazë të vendimit të siguruar nga ATV-ja, të enjten e 14 shtatorit, do të mblidhet për ta votuar një pikë të rendit të ditës.

    Propozim-vendimi: Komuna e Leposaviqit, t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Në rast se vendimi për t’iu bashkuar shtëpisë së Komunave të Kosovës, miratohet nga anëtaret e kuvendit komunal, me pas do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    Megjithëse procedura merr kohë, anëtarësimi i Leposaviqit po mirëpritet nga Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave.

    Me 22 gusht, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të kuvendit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, anëtarësoi Mitrovicën e Veriut. Komunë kjo e cila se bashku me Leposaviqin, udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Shefja e BE-së njofton reforma, ndërsa blloku pritet të zgjerohet me anëtarë të rinj në vitet e ardhshme

    Shefja e BE-së njofton reforma, ndërsa blloku pritet të zgjerohet me anëtarë të rinj në vitet e ardhshme

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zyra që ajo drejton do të fillojë një rishikim tërësor të politikave për t’u siguruar se blloku 27 anëtarësh do të vazhdojë të funksionojë si duhet, ndërkohë që fton shtete të reja në radhët e tij në vitet e ardhshme.

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerim të mëtejshëm, duke e çuar numrin e shteteve në bllokur në mbi 30 anëtarë.

    Duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian, në Strasburg të Francës, ajop tha se blloku gjendet para një momenti historik.

    “Dhe historia tani po na thërret ta plotësojmë bashkimin tonë. Në një botë ku disa po përpiqen të qërojnë hesape me shtete një nga një, ne nuk mund t’i braktisim evropianët tanë prapa. Në një botë ku madhësia dhe pesha kanë rëndësi, është qartazi në interesin strategjik të Evropës ta plotësojmë bashkimin tonë,” deklaroi zonja Von der Leyen.

    Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në mesin e kandidatëve për anëtarësim.

    “Duhet t’i shikojmë me kujdes gjithë politikat dhe të shohim se si mund të ndikohen ato nga zgjerimi. Kjo është aryseja pse Komisioni Evropian do të fillojë të punojë për një mori rishikimesh të politikave para zgjerimit, për të parë se si institucionet tona do të punojnë, se si Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian do të punojnë. Duhet ta diskutojmë të ardhmen e buxhetit tonë. Dhe na duhet të kuptojmë se si duhet të sigurojmë përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë në një botë ku çështjet e parandalimit janë më të rëndësishme se kurrë,” tha ajo.

    Bashkimi Evropian aktualisht dhe pa zgjerimin e radhës, e ka të vështirë të marrë disa vendime, sidomos ato që kërkojnë miratim të njëzëshëm.
    Megjithatë, trysnia mbi Evropën po shtohet për të hapur dyert e saj përballë ndikimit keqdashës rus në Ballkanin Perëndimor.

    Shumë shtete duan që anëtarësimi të realizohet deri në vitin 2030, por Von der Leyen theksoi se anëtarësimi duhet të bëhet në bazë të meritave.

    “Anëtarësimi është në bazë meritash dhe Komisioni gjithmonë do ta mbrojë këtë parim. Duhet shumë punë dhe udhëheqje e mirë. Por, tashmë është bërë shumë përparim. Kemi parë përpjekjet e mëdha, që ka bërë Ukrain,a që kur i kemi dhënë statusin e kandidatit, dhe kemi parë vendosmërinë e shteteve tjera kandidate për t’u reformuar. Andaj, anëtarë të nderuar, tani është koha që ne t’i përgjigjemi kësaj vendosmërie”, tha presidentja e Komisionit Evropian./VOA/

  • Takimi Kurti-Vuçiq, njohësit presin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

    Takimi Kurti-Vuçiq, njohësit presin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

    Takimi i nesërm (e enjte) në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq po konsiderohet nga njohësit politikë si një mundësi e mirë për të zhbllokuar procesin e dialogut. Sipas tyre, të dy palët, por veçmas Serbia duhet të zotohet për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

    Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë hapin e madh në takimin e 14 shtatorit për të ecur përpara në dialog.

    “Dialogu është bllokuar dhe situata në veri i ka ndihmuar shumë këtij bllokimi. Tash takimi i 14 shtatorit shihet si një mundësi e mrekullueshme për të zhbllokuar këtë gjendje dhe për të shkuar përpara. Nëse vazhdojmë me këtë tempo dhe këtë largim dhe zgjerim të hendekut mes palës kosovare asaj serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, atëherë nuk do të ketë asnjë pikë optimizmi që dialogu të përfundojë me sukses”, thotë ai.

    Më skeptik për takimin e nesërm (e enjte) është analisti tjetër Seb Bytyçi, i cili thotë për KosovaPress se nuk pret që të ketë progres të madh duke parë qëndrimet e deritanishme të dy palëve.

    “Sa i përket takimit nuk pres që të ketë ndonjë përparim të madh, por pres që të diskutohen çështjet madhore sikurse edhe ato konkrete që kanë të bëjnë me veriun. Mund të presin një ri-përkushtim për mbajtjen e zgjedhjeve por nuk besoj se mund të pritet një pajtim për çështje madhore”, thekson Bytyçi.

    Në anën tjetër, analisti Muhaxhiri kërkon një dinamik të re në procesin e dialogut për zbatimin e ujdive ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Pas takimit të Ohrit është pritur që të ketë një dinamizëm shumë më të madh të dialogut, pasi është konsideruar si një arritje e madhe politike. Por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur kështu dhe tani duhet të gjenden mënyra që të rikuperohet situata dhe të rigjenerohen pozicionet dhe të kemi një rikthim në trajektoren që është planifikuar. Pra duhet të kemi efekte konkrete pozitive, duhet të ketë ndryshime të prekshme, pasi pa këto ndryshime dhe pa këta hapa konkret nuk mund të ketë shpresë për ndonjë përfundim të dialogut”, shton Muhaxhiri.

    Bashkimi Evropian të martën ka publikuar agjendën e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, fillimisht palët do të kenë takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak dhe pastaj do të jetë takimi trepalësh.

    Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj të këtij viti, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Ndërkaq vendosja e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale në veri është kundërshtuar përmes protestave në veri, e cila kulmoi me 29 maj me lëndimin e disa ushtarëve të KFOR-it.

    Institucionet kosovare kanë miratuar Udhëzimin Administrativ që do të mundësojë shkarkimin e kryetarëve në veri përmes peticionit. Mirëpo bashkësia ndërkombëtare vazhdon të insistojë se zgjidhja më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve në veri është dorëheqja e kryetarëve atje./KP