ATV

Tag: Ballina

  • Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar nga gjykata me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të gjykatës, Sveçlës i është caktuar dënimi prej një viti burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.

    Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë shpalljes së dënimit.

    Në seancën e sotme, prokurori ka deklaruar se Prokuroria qëndron prapa rrethanave rënduese dhe lehtësuese të paraqitura në fjalën përfundimtare më 28 gusht 2026.

    “Duke qenë se tanimë gjykata të pandehurin Xhelal Sveçla e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, duke pasur parasysh se neni 375 paragrafi 2 i KPRK-së parashihet për këtë vepër penale dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 1-10 vjet”, ka deklaruar prokurori.

    Prokuroria kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

    “Gjykatës i propozojmë që me rastin e dënimit të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro”, ka thënë prokurori.

    Ndërkaq, mbrojtja ka deklaruar se nuk do të paraqesë propozime për dënimin, duke u bazuar në faktin se Sveçla nuk e ka pranuar fajësinë.

    “Duke u nisur nga fakti që i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të paraqesim propozime apo të japim komente rreth rrethanave”, ka deklaruar avokati mbrojtës.

    Në fund, gjykata vendosi që Sveçla të dënohet me një vit burgim me kusht, duke mos e shqiptuar dënimin efektiv nëse brenda afatit të përcaktuar nuk kryen vepër tjetër penale.

  • IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për 9 shtator të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë funksionalizimit të institucioneve të vendit.

    Në një reagim të publikuar të martën, IKD e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e PDK-së dhe LDK-së për të marrë pjesë në seancë, duke theksuar se tashmë përgjegjësia e të gjithë deputetëve është që procesi të mos bllokohet sërish.

    Sipas IKD-së, afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit është tejkaluar dhe kjo përbën shkelje që duhet të konstatohet e të mos relativizohet. Megjithatë, instituti thekson se tejkalimi i këtij afati nuk mund të përdoret si arsye për të vazhduar bllokadën institucionale.

    IKD ka kritikuar veçanërisht veprimet dhe mosveprimet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i bërë përgjegjës për pamundësimin e përfundimit të procesit brenda afatit kushtetues.

    “Shkelja që ka ndodhur nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, thuhet në reagimin e institutit.

    IKD vlerëson se, pavarësisht tejkalimit të afatit, kjo legjislaturë nuk e humb automatikisht të drejtën për të ushtruar kompetencat e saj kushtetuese. Për rrjedhojë, sipas institutit, ekziston rruga ligjore që Kuvendi të konstituohet dhe të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.

    IKD ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës vetëm sa do ta thellonte krizën institucionale dhe do ta mbante vendin pa institucione funksionale.

    “Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në përfundim të reagimit.

    Sipas IKD-së, mbrojtja e Kushtetutës nuk nënkupton vazhdimin e një gjendjeje jofunksionale, por rikthimin e institucioneve në funksion dhe respektimin e detyrimeve kushtetuese.

  • Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur në takim Shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes.

    Ai e uroi Lopesin për detyrën e re dhe i dëshiroi shumë sukses në misionin e tij.

    “Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme janë themel i një Kryeqyteti që zhvillohet dhe ecën përpara”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

    Bëhet e ditur që gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, sfidat në fushën e sigurisë dhe angazhimin e përbashkët për një Prishtinë më të sigurt për të gjithë qytetarët.

    “Kryeqyteti do të vazhdojë të jetë partner i hapur dhe konstruktiv në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit”.

  • AAB përmbyll me sukses samitin më të madh të AI dhe Teknologjisë në vend

    AAB përmbyll me sukses samitin më të madh të AI dhe Teknologjisë në vend

    Pas dy ditësh të mbushura me diskutime, ide, ekspertizë, inovacion dhe perspektiva të reja mbi zhvillimet më të rëndësishme teknologjike të kohës, në Kolegjin AAB është përmbyllur AI & Tech Summit 2026, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kushtuar Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë në vend.

    Samiti mblodhi në një platformë të përbashkët përfaqësues të institucioneve, ekspertë të fushës, akademikë, profesionistë, inovatorë, studentë dhe të rinj, duke krijuar një hapësirë të veçantë për shkëmbim të ideve dhe diskutim mbi mënyrën se si teknologjia po transformon arsimin, ekonominë, biznesin dhe shoqërinë.

    Gjatë dy ditëve të samitit, vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale, inovacionit teknologjik, transformimit digjital dhe mundësive që këto zhvillime krijojnë për gjeneratat e reja. Përmes ligjëratave, paneleve, prezantimeve dhe workshopeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë perspektiva nga emra të rëndësishëm të skenës institucionale, akademike dhe profesionale.

    Prania e figurave të larta publike, politike, amabsadorë dhe profesionistëve të njohur i dha samitit një dimension të veçantë, duke e shndërruar AAB-në për dy ditë në një pikëtakim të ideve, vizionit dhe inovacionit teknologjik.

    Në përmbyllje të samitit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikatat, duke shënuar kështu fundin e një përvoje dyditore të fokusuar në dije, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.

    Për AAB-në, AI & Technology Summit 2026 përfaqëson edhe një dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm për të qenë në hap me zhvillimet globale dhe për t’u ofruar studentëve, profesionistëve dhe komunitetit një hapësirë ku idetë e sotme kthehen në mundësitë e së nesërmes.

    Me përmbylljen e këtij edicioni, AAB dëshmoi edhe një herë se e ardhmja e teknologjisë nuk diskutohet vetëm larg nesh – ajo po ndërtohet këtu.

    AI & Tech Summit 2026 – dy ditë, një vizion: të kuptojmë të ardhmen dhe të jemi pjesë e saj.

  • Fjala e Poetit Lulzim Tafa në Parlamentin e Paraguait

    Fjala e Poetit Lulzim Tafa në Parlamentin e Paraguait

    Fjala e Poetit Lulzim Tafa në Parlamentin e Paraguait:

    I nderuar Kryetar i Parlamentit, z. Raul Luis Latorre Martinez

    I nderuar Zëvendëspresident, z. Hugo Joel Meza

    Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të Paraguait,

    I nderuar z. Peter Tase,

    Të nderuar miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azerbajxhani dhe vende të tjera,

    Zonja dhe zotërinj,

    Ju faleminderit për këtë nderim dhe për këtë mundësi që po më jepni për t’ju drejtuar sot, këtu, në këtë sallë, ku ju bëni shumë punë të mira për qytetarët tuaj.
    Faleminderit që jeni këtu për të dëgjuar mesazhet e një shkrimtari.
    Paraguain dhe gjithë kontinentin tuaj unë i kam njohur shumë herët, përmes letërsisë suaj të fuqishme, përmes shkrimtarëve tuaj. Letërsia juaj, ashtu si e gjithë letërsia e Amerikës Latine, përbën një nga traditat më të fuqishme dhe më me ndikim të letërsisë botërore. Realizmi magjik i kësaj letërsie më ka bërë shumë herët për vete. Në veprat e shumë autorëve latino-amerikanë, e zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja bashkëjetojnë natyrshëm. Ngjarjet fantastike nuk paraqiten si të çuditshme, por si pjesë normale e jetës. Sepse, në fund të fundit, është detyrë e letërsisë që të zakonshmen ta bëjë të duket e pazakonshme e të pazakonshmen ta shndërrojë në të zakonshme.
    Si poet, edhe romanin e lexoj si poezi, prandaj e adhuroj dimensionin poetik të prozës suaj, ajo, edhe pse është prozë, duket si poezi. Për mendimin tim, kjo është një veçori e rrallë e letërsisë suaj, sepse edhe romanet kanë shpesh një gjuhë shumë lirike, me metafora të dendura, ritëm poetik dhe ndjeshmëri të fortë filozofike. Prandaj letërsia juaj është kaq e dashur për lexuesit në kontinentin tonë evropian.

    Zonja dhe zotërinj,

    Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qëndruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, qoftë në pozita menaxheriale, siç është edhe pozita e rektorit, por jam angazhuar edhe në aktivitete në fushën e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve. Megjithatë, duhet ta theksoj se, edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, gjatë gjithë jetës sime kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.
    Vendi im, para pak vitesh, ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen.
    Një ditë, një konvoj militarësh erdhi dhe dogji shtëpinë time. Më dogjën bibliotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë dhe kujtimet. Secili prej jush e di ç’do të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet dhe librat. Unë shkruaja për lirinë. Ata që m’i dogjën librat, një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaja përsëri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
    Vendi im dhe vendi juaj janë mijëra kilometra larg, por largësia është vetëm një fakt gjeografik, afërsia është një zgjedhje e shpirtit. Dy popujt tanë kanë nevojë të njihen më shumë. Le t’i bashkojmë gjuhët, librat, muzikën, universitetet dhe ëndrrat tona. Detet dhe oqeanet nuk janë pengesa për kulturën, por rrugë që presin të përshkohen. Miqësia ndërmjet kombeve është vepra më e bukur që mund të shkruhet nga njerëzit.
    Neve nuk na ndan historia, na ndan vetëm largësia. Dhe largësia është më e vogël se një libër i përkthyer, një dorë e shtrirë apo një bashkëpunim. Le ta bëjmë kulturën urën që gjeografia nuk arriti ta ndërtojë. Është detyra jonë që ta lehtësojmë këtë bashkëpunim.
    Letërsia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në afrimin e dy kombeve që janë gjeografikisht të largëta, sepse ajo krijon afërsi shpirtërore aty ku mungon afërsia fizike. Roli i saj nuk është vetëm të tregojë histori, por edhe të ndërtojë ura mirëkuptimi, imagjinate dhe respekti të ndërsjellë. Përkthimet, festivalet letrare, botimet e përbashkëta dhe takimet ndërmjet shkrimtarëve krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme kulturore. Në këtë kuptim, letërsia bëhet një formë e diplomacisë shpirtërore.
    Pra, le t’i heqim të gjitha barrierat. Këto mesazhe unë i them kudo që më jepet rasti, ngase popujt nuk afrohen vetëm sepse kanë të njëjtën histori, ata afrohen edhe sepse arrijnë ta kuptojnë dhimbjen e njëri-tjetrit. Paraguai e njeh mirë dhimbjen e luftës, humbjen dhe sakrificën. Edhe ne e dimë se çfarë do të thotë të vuash dhe të mbijetosh.
    Unë besoj në fuqinë e poezisë. Gjatë jetës sime si krijues kam pranuar shumë nderime dhe dekorata, ndërsa nderime kam marrë edhe nga Ukraina. Atje më kanë nderuar Akademia, Patriarku i Shenjtë, si dhe organizatat e shkrimtarëve. Ata më nderuan sepse unë u mundova që, përmes poezisë, ta ndalja atë luftë ende pa filluar. Mund ta merrni me mend se deri ku shkon imagjinata e poetit. Poeti asnjëherë nuk ka problem me imagjinatën, poeti ka problem me realitetin, e ky realitet nuk është ai që ne do të dëshironim.

    Zonja dhe zotërinj,

    Ky nderim më frymëzon për ta vazhduar punën time krijuese. Si poet, do të mundohem që, me vargjet e mia, t’u shërbej lexuesve dhe t’u ofroj kënaqësi shpirtërore, kurse si jurist, profesor dhe menaxher, do të punoj që planetin tonë ta bëjmë më të jetueshëm, sepse kemi detyrim ndaj brezave që po vijnë. Të kujdesemi që të hartojmë ligje sa më të mira, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, shpezët, ekosistemin, pra për të gjitha krijesat e Zotit në këtë planet.

    Viva la Poesia

    Ju faleminderit!

  • Prokuroria jep detaje për vrasjen e 14-vjeçarit në Prizren: 17-vjeçari dyshohet për vrasje të rëndë

    Prokuroria jep detaje për vrasjen e 14-vjeçarit në Prizren: 17-vjeçari dyshohet për vrasje të rëndë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja për vrasjen e 14-vjeçarit që ndodhi mbrëmjen e 27 gushtit në Prizren.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:41, ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, hetuesit, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    “Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i mituri 17-vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta të miturin 14-vjeçar, duke e therur me thikë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sipas organit të akuzës, i dyshuari është hasur në vendngjarje, ndërsa nga ai është sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Ndërkohë, 17-vjeçari është ndaluar për 24 orë nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e të miturit në procedurë.

    Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Kryeprokurori kërkon raport për veprimet e Prokurorisë

    Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Kryeprokurori kërkon raport për veprimet e Prokurorisë

    Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë një raport me shkrim lidhur me veprimet e ndërmarra nga kjo prokurori në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

    Kërkesa vjen pasi Gjykata Themelore në Pejë, më 24 gusht 2026, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021.

    Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporti duhet të përmbajë kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga Prokuroria Themelore në Pejë gjatë trajtimit të këtij rasti.

    Në këtë ngjarje, që kishte ndodhur më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.

    Për vrasjen e trefishtë ishin akuzuar Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj. Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për “Vrasje të rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për “Shtytje në vrasje të rëndë”.

    Ndërkaq, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje.

  • Vdes krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

    Vdes krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

    Ratko Mlladiq, krimineli i luftës dhe ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, ka vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, raportojnë mediat shtetërore serbe.

    Mlladiq po vuante dënim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Ai u shpall fajtor për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimi u konfirmua edhe në apel.

    Mlladiq ishte një nga figurat kryesore përgjegjëse për krimet e kryera nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995.

  • Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

    Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

    Shefja në detyrë e BE-së, Eva Palatova, ka zhvilluar takim lamtumirës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Në takim, Palatova, ka përsëritur thirrjen e BE’së, për formimin e institucioneve të Kosovës, dhe tejkalimin e ngërçit politik.

    ‘’Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e 🇪🇺BE-së për formimin e institucioneve të 🇽🇰Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE.

    BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës!’’, thuhet në njoftim.

  • Afërdita Bytyqi zgjidhet zëvendëskryesuese e KGJK-së – fiton përballë Artan Abazit me vetëm një votë diferencë

    Afërdita Bytyqi zgjidhet zëvendëskryesuese e KGJK-së – fiton përballë Artan Abazit me vetëm një votë diferencë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur sot Afërdita Bytyqin në pozitën e zëvendëskryesueses së KGJK-së, pas një gare të ngushtë me anëtarin tjetër të Këshillit, Artan Abazi.

    Bytyqi, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe anëtare e KGJK-së, ka marrë besimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit në votimin e zhvilluar në mbledhjen e së enjtes.

    Në votim kanë marrë pjesë 11 anëtarë, ndërsa rezultati ka qenë tejet i ngushtë: gjashtë vota për Afërdita Bytyqin dhe pesë për kundërkandidatin e saj, Artan Abazi.

    Me këtë rezultat, Bytyqi është zgjedhur zëvendëskryesuese e organit më të lartë përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor në vend.

    Mandati i saj në këtë pozitë nis sot, më 27 gusht 2026, dhe do të zgjasë tri vjet.

    Pas zgjedhjes, Bytyqi ka falënderuar anëtarët e Këshillit për besimin e dhënë dhe është zotuar për bashkëpunim dhe angazhim në avancimin e sistemit të drejtësisë, me fokus edhe në rritjen e transparencës së KGJK-së.

    Gara mes Bytyqit dhe Abazit për këtë pozitë ishte hapur më herët, ndërsa zgjedhja e zëvendëskryesuesit ishte diskutuar edhe në mbledhjen e KGJK-së të mbajtur në korrik. Atëkohë, pasi ishte propozuar që votimi të futej si pikë shtesë e rendit të ditës, propozimi ishte tërhequr.

    Pas votimit të sotëm, Afërdita Bytyqi merr zyrtarisht detyrën e zëvendëskryesueses së KGJK-së për tre vjetët e ardhshëm.