ATV

Tag: Ballina

  • ZPS kërkon që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim për pengim të drejtësisë

    ZPS kërkon që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim për pengim të drejtësisë

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që ish-presidenti i Kosovës të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Kjo kërkesë iu drejtua gjykatësit të vetëm të rastit, Christopher Gosnell, nga prokurori i specializuar Joshua Hafetz, në fund të fjalës së tij përmbyllëse.

    Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Prokuroria kërkoi që të gjithë të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim.

    Prokuroria kërkoi që Hajredin Kuçi të dënohet me nëntë muaj burgim, ndërkaq, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga tre vjet burgim secili.

    “Akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime. Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha prokurori Hafetz.

    Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

    Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

    Pas Prokurorisë, radhën e ka mbrojtja e Thaçit, shkruan REL.

    Deklaratat përmbyllëse do të mbahen sot, nesër dhe të hënën e 14 shtatorit. Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

  • Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

    Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka paraqitur deklaratat e saj gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke ngritur pretendime për përpjekje për pengimin e procesit gjyqësor.

    Ajo ka thënë se Thaçi, përballë akuzave të rënda dhe mundësisë për një dënim të gjatë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka tentuar të pengojë procesin.

    “Akuza të rënda dhe mundësinë për t’u dënuar me një kohë të gjatë, bashkë me bashkëpunëtorët e tij tentoi ta pengonte këtë proces”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar.

    Sipas saj, gjatë hetimeve janë sekuestruar materiale të shumta, përfshirë dokumente dhe prova të tjera, të cilat, sipas Prokurorisë, dëshmojnë për përpjekjet për ndërhyrje në proces, transmeton Telegrafi.

    “U kap me shumë orë inicizime e dokumente. Kjo na kujton sesa vigjilent duhet të jemi vazhdimisht, sepse është e nevojshme të mbrojmë integritetin e procesit ndaj atyre që tentojnë ta dëmtojnë atë”, ka thënë West.

    Kryeprokurorja ka bërë pretendime edhe për përfshirjen e Thaçit në orientimin e të bashkëakuzuarve lidhur me dëshmitarët.

    “Thaçi urdhëroi të bashkëakuzuarit që të shënjestronin dëshmitarë”, tha kryeprokurorja.

    West ka pretenduar se Thaçi kishte formuar grupe të vogla me të bashkëakuzuarit, të cilët, sipas saj, kishin njohuri për dëshmitarët dhe informacionet që lidhen me ta.

    Sipas Prokurorisë, kjo veprimtari kishte vazhduar për muaj të tërë dhe ishte zhvilluar edhe gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

    “Me muaj të tërë Thaçi vazhdimisht udhëzoi të bashkëakuzuarit gjatë vizitave në objektin e paraburgimit. U tha atyre se çfarë duhet të thonin dëshmitarët ose çfarë nuk duhej të thonin, në mënyrë që të zbehte ose hiqte tërësisht fajësinë e tij”, ka deklaruar Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West.

    Ajo ka thënë gjithashtu se Thaçi u kishte dhënë të bashkëakuzuarve udhëzime të hollësishme lidhur me strukturën dhe hierarkinë e UÇK-së, përfshirë çështjen se kujt duhej t’i atribuohej autoriteti në vend të tij.

    “Ai u dha udhëzime të hollësishme sa i takon hierarkisë së UÇK-së, në veçanti se kujt duhej atribuar autoriteti në vend të Thaçit, strukturën e UÇK-së etj., dhe udhëzime për shumë aspekte të tjera”, tha West.

    Deklaratat e Prokurorisë janë pjesë e fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve për veprat penale që lidhen me administrimin e drejtësisë./Telegrafi/

  • Kreshnik Kaçiu zgjidhet kryetar i Gjykatës Administrative

    Kreshnik Kaçiu zgjidhet kryetar i Gjykatës Administrative

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur gjyqtarin Kreshnik Kaçiu kryetar të Gjykatës Administrative.

    Kaçiu ishte kandidati më i vlerësuar nga Komisioni vlerësues, duke marrë gjithsej 74 pikë. Pas këtij rezultati, Komisioni ia kishte propozuar KGJK-së emërimin e tij në krye të gjykatës së re.

    Propozimi është hedhur në votim para anëtarëve të Këshillit, të cilët kanë votuar në favor të zgjedhjes së Kaçiut.

    Në garë ishte edhe gjyqtarja Liridona Ajeti-Kajtazi, por ajo nuk e kishte arritur pragun e kërkuar prej 70 pikësh dhe për këtë arsye, nuk ishte propozuar për emërim.

    Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga Komisioni i përbërë nga Afërdita Bytyqi, kryetare, si dhe Bashkim Hyseni dhe Fahret Vellija, anëtarë. Ndërsa, Ivana Milenkoviq ishte caktuar anëtare rezervë.

    Procedura e përzgjedhjes është zhvilluar në bazë të Ligjit për Gjykatën Administrative dhe Rregullores 12/2022, e cila përcakton procedurat për përzgjedhjen e kryetarëve dhe gjyqtarëve mbikëqyrës të gjykatave.

  • Për 24 orë: 23 aksidente me të lënduar dhe 34 me dëme materiale

    Për 24 orë: 23 aksidente me të lënduar dhe 34 me dëme materiale

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e përgjithshme për 24 orët e fundit, ku janë evidentuar dhjetëra raste të aksidenteve, ndërsa numër i madh i gjobave janë shqiptuar për kundërvajtje në trafik.

    Sipas raportit policor, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 23 aksidente trafiku me persona të lënduar, ndërsa 34 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit, Policia ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 241 tiketa trafiku.

    Sa i përket rasteve të arrestimeve, janë 20 persona të arrestuar, prej tyre 4 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person është duke vuajtur dënimin.

    Në raportin 24-orësh nuk është evidentuar ndonjë aksident trafiku me fatalitet.

  • Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

    Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

    Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së re.

    Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve për të udhëhequr Kuvendin.

    “LVV për kryetare të Kuvendit të Kosovës e propozon zonjën Albulena Haxhiu. Është arritur një marrëveshje politike me LDK për presidentin, kështu që konsideroj se mund të procedojmë me këtë propozim”, tha deputeti Glauk Konjufca.

    Ajo mori 62 vota për dhe 13 vota kundër dhe 13 abstenime. Në seancë të pranishëm në momentin e votimit ishin 102 deputetë kurse mungonin 18

    Zgjedhja e saj i hap rrugë përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe procedimit me hapat e tjerë për formimin e institucioneve të reja. /Telegrafi/

  • Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Aktgjykimi është shpallur sot nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani.

    Përveç dënimit me burgim, Gjykata ndaj Lekajt ka shqiptuar edhe dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 3 vjet e 8 muaj, i cili do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.

    Lekaj dhe të tjerët akuzohen në lidhje me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Rasti ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

    LEX – Drejtësia nga Sinjali

  • Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria ka dënuar ashpër nderimet me të cilat u përcoll në Serbi Ratko Mlladiqi, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit si të papajtueshëm me vlerat europiane.

    Reagimi i ministrit Hoxha erdhi pas ceremonisë mortore të Ratko Mlladiqit në Serbi, ku ish-komandanti serb i Bosnjës u përcoll me nderime.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha theksoi se Shqipëria i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Europian dhe udhëheqësve të tij në dënimin e glorifikimit të një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje.

    “Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.”

    “Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar dhe mohimi i gjenocidit bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian.”

    Hoxha tha se akte të tilla nuk rihapin vetëm plagët e së kaluarës, por dëmtojnë edhe marrëdhëniet mes komuniteteve dhe fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit.

    “Akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës. Ato fyejne viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve.”

    Në përfundim, ministri Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, pajtimin, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë.

  • OEK: Rezultatet e PISA 2025 alarm për arsimin dhe ekonominë

    OEK: Rezultatet e PISA 2025 alarm për arsimin dhe ekonominë

    Oda Ekonomike e Kosovës ka deklaruar se rezultatet e PISA 2025 paraqesin alarm për arsimin dhe ekonominë e vendit.

    Sipas OEK-ut, rezultatet tregojnë probleme serioze në njohuritë dhe aftësitë bazë të nxënësve, ndërsa cilësia e arsimit lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.

    OEK ka bërë thirrje për veprim konkret dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat.

    Komunikata e plotë:

    OEK: Rezultatet e PISA 2025 janë alarm për arsimin dhe ekonominë e Kosovës

    Rezultatet e PISA 2025 tregojnë për probleme serioze në njohuritë dhe aftësitë bazë të nxënësve në Kosovë.

    Për OEK-un, kjo nuk është vetëm çështje e arsimit. Cilësia e arsimit lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    Këto rezultate duhet të jenë thirrje për veprim konkret dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat.

    OEK tashmë ka kontribuar në zhvillimin e arsimit dual dhe është e gatshme të mobilizojë bizneset për më shumë praktikë profesionale, mentorim dhe mësim në vendin e punës.

    Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në arsim është investim në fuqinë punëtore, ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës.

  • Gjini: Jemi dakorduar të mos marrim pjesë në seancën e nesërme

    Gjini: Jemi dakorduar të mos marrim pjesë në seancën e nesërme

    Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se janë dakorduar që të mos marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Gjini tha se vendimi është marrë nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës, pasi, sipas tij, nuk duan të legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës.

    “Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha ai.

    Sipas Gjinit, vendi aktualisht ndodhet jashtë normës kushtetuese.

    “Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.

    Ai kritikoi edhe mënyrën se si janë thirrur seancat e Kuvendit gjatë kësaj periudhe.

    “E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve.”

    Gjini e cilësoi situatën si sjellje të papërgjegjshme dhe akuzoi përpjekjet për t’i vendosur institucionet mbi ligjin.

    “Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, tha tutje ai.

    Ai tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën.

    “Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.

    Sipas tij, vendimi për të bojkotuar seancën është një mesazh për institucionet dhe qytetarët.

    “Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.

  • Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime.

    Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.

    Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet.

    Deputetja Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.

    “Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK.

    Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente:

    Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi.

    Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar.

    Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër.

    Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.

    “Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet.

    Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka shkruar tutje Bajrami.