ATV

Tag: Ballina

  • Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok, konfirmohen mbetje mortore të 23 personave

    Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok, konfirmohen mbetje mortore të 23 personave

    Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

    Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve. Me këto gjetje, në tri lokacionet e shqyrtuara janë konfirmuar mbetje mortore të gjithsej 23 personave, të dyshuar si viktima të zhdukjes me forcë.

    Gjatë katër javëve të punës në terren janë kryer gërmime vlerësuese, zhvarrosja e mbetjeve mortore, dokumentimi mjekoligjor dhe vlerësimi i plotë i hapësirave me interes.

    Në këtë proces kanë marrë pjesë ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.

    Procesi është zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, pas kërkesës së prokurores së rastit në Departamentin për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Në proces kanë kontribuar edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.

    Pas përfundimit të punës në terren, procedurat do të vijojnë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së. Qëllimi është konfirmimi i identitetit të viktimave dhe më pas ndërmarrja e hapave të mëtejmë, përfshirë informimin zyrtar të familjeve.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet dhe institucionet e angazhuara në këtë proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.

  • Rihapja e Urës së Ibrit për automjete, NATO: Çdo vendim të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

    Rihapja e Urës së Ibrit për automjete, NATO: Çdo vendim të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

    NATO-ja ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale nga prania e përhershme në urën e Ibrit duke e lidhur këtë proces me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

    Për Klankosova, një zyrtar i Aleancës Veri-Atlantike ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual nga prania e përhershme në urë, transmeton Periskopi.

    Sipas NATO-s, ky proces po zhvillohet për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë dhe do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe i kthyeshëm nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt të rregullt me ​​Presidentin Vuçiç. KFOR-i ka filluar kalimin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit për optimizimin e qëndrimit të KFOR-it, i cili po kryhet me transparencë të plotë të të gjithë palëve të interesuara të përfshira dhe nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Gjeneral Major Ulutas, Komandant i KFOR-it.

    KFOR-i thotë se procesi do të jetë gradual, i kushtëzuar dhe i kthyeshëm, në varësi të zhvillimeve të sigurisë. Procesi po koordinohet me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    NATO thekson se edhe Lista Serbe është informuar dhe se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ulutash, është takuar me përfaqësuesit e saj më 11 gusht.

    KFOR-i garanton se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe i kthyeshëm nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse të sigurisë. Ai po koordinohet ngushtë me të gjithë palët e interesuara përkatëse, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Palët e interesuara lokale janë angazhuar dhe informuar gjithashtu rregullisht, përfshirë Listën Serbe, të cilën Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ulutas, e takoi më 11 gusht, me kërkesën e tyre. Gjeneral Major Ulutas vazhdon të mbajë kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në të gjitha institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura Serbe. Personeli ynë është i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it në OKB. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Jug dhe Veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës dhe do të vazhdojë kontributet e tij për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Sa i përket hapjes së urës për automjete, NATO thotë se çdo vendim duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale, ndërsa për statusin e urës i referohet BE-së dhe institucioneve të Kosovës.

    NATO gjithashtu thekson se KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, por vazhdon bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë.

    KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban një prani të fortë dhe të dukshme në veri të Kosovës, për të mirën e të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb. Gjithashtu, Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese të KFOR-it vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme në të gjithë Kosovën, përmes angazhimeve të rregullta me të gjitha komunitetet lokale. Kjo ndihmon të sigurohet që KFOR-i të mbetet i pozicionuar mirë për të adresuar nevojat lokale të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së.

  • Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

    Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

    Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar të pandehurin N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter të tipit “NAS”.

    Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, atij i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale. Më pas është kontrolluar edhe një vilë e një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e marihuanës.

    Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1.063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë në disa qese.

    Po ashtu, janë sekuestruar një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike, për të cilat ekziston dyshimi se kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.

    Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorit dhe shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka caktuar ndaj N.B. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ashpërson rregullat në burgje, ndryshojnë kriteret për pushimet e të dënuarve

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vendosur rregulla të reja për sjelljen dhe sigurinë në institucionet korrektuese, ndërsa janë përcaktuar edhe kritere më të qarta për shfrytëzimin e pushimeve jashtë burgut.

    Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, ka nënshkruar Kodin e Mirësjelljes së personave të burgosur dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues.

    Kodi përcakton standardet që duhet të respektojnë të dënuarit dhe të paraburgosurit gjatë qëndrimit në institucion, duke përfshirë respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin, shmangien e dhunës dhe kërcënimeve, si dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të personave të tjerë.

    Ndërkohë, pushimet jashtë institucionit do të vlerësohen në mënyrë individuale dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe nivelin e rrezikut.

    Në vlerësim do të përfshihen vepra penale për të cilën personi është dënuar, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.

    Gjithashtu, do të shqyrtohet historiku i tentimeve për arratisje, rrethanat familjare dhe mbështetja që personi i dënuar ka jashtë institucionit.

    Vlerësimi do të kryhet nga një ekip multidisiplinar, i cili pas shqyrtimit të kritereve dhe intervistimit të personit të dënuar do t’i rekomandojë drejtorit të institucionit aprovimin ose refuzimin e kërkesës.

    Vendimi përfundimtar do të merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.

    Sipas SHKK-së, këto masa synojnë forcimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës, krahas rehabilitimit dhe përgatitjes së të dënuarve për riintegrim në shoqëri.

  • Sveçla: Arsenali i armëve u gjet pranë varrezave masive në Zubin-Potok

    Sveçla: Arsenali i armëve u gjet pranë varrezave masive në Zubin-Potok

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se arsenali i armëve i prezantuar nga Policia e Kosovës është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin-Potok.

    Në konferencën për media, Sveçla ka deklaruar se armët, municionet dhe pajisjet ushtarake janë gjetur në afërsi të zonave ku janë zbuluar mbetjet mortore të 23 personave.

    “Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve… u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.

  • “Ngërçi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura”, ShBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

    “Ngërçi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura”, ShBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

    “Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

    Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

    Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

    Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.

    Edhe në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për konsultime me partitë, por pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas këtij incidenti kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.

    Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet vetëm si formalitet.

    Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm; pas takimit, të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për president.

    PDK-ja dhe Aleanca, në anën tjetër, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.

    Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

    Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

    Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

    Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe qasjen në financime të jashtme./REL

  • “Respektojeni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”, deputetët e PDK-së u lënë letra atyre të LVV-së

    “Respektojeni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”, deputetët e PDK-së u lënë letra atyre të LVV-së

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u kanë lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Letrat janë vendosur gjatë seancës së thirrur nga PDK, në kuadër të kërkesës së saj që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

    Deputetët e LVV-së nuk morën pjesë në seancë, ndërsa PDK përsëriti akuzat se partia që ka marrë shumicën në zgjedhjet e fundit, po refuzon ta marrë përgjegjësinë kushtetuese për krijimin e institucioneve.

    Në letrën drejtuar deputetëve të shumicës, PDK u kërkon atyre që mandatin ta ushtrojnë në emër të qytetarëve dhe jo sipas interesave apo urdhrave partiakë.

    “Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet ndër të tjera në letër.

    PDK u ka bërë thirrje deputetëve të shumicës që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se një detyrim kushtetues nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet politike.

    Në letër përmenden edhe pasojat që bllokada institucionale po ua shkakton qytetarëve, në një periudhë kur familjet po përballen me përgatitjet për vitin e ri shkollor, shpenzimet e dimrit, çmimet, tatimet dhe problemet ekonomike.

    “Qytetarët tanë nuk mund të presin pafundësisht. Për këto probleme duhet të punojnë institucionet dhe për këto nevoja duhet të flasë Kuvendi”, thuhet në mesazh.

    Letra përfundon me një thirrje të drejtpërdrejtë për deputetët:

    “Respektoni betimin tuaj. Respektojeni mandatin tuaj. Respektojeni Kushtetutën. Konstituojeni Kuvendin. Bëjeni detyrën tuaj.”

    PDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë mbajtjen e seancës konstituive sipas afateve procedurale, deri në funksionalizimin e Kuvendit.

    Ndryshe, paraprakisht deputetët e PDK-së për të gjashtën ditë me radhë kanë bllokuar hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës, në përpjekje për ta takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

  • Aktakuzë ndaj tre personave për kontrabandim me migrantë

    Aktakuzë ndaj tre personave për kontrabandim me migrantë

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre personave nën dyshimet se kanë kryer veprën ‘’kontrabandim me migrantë’’.

    Në njoftim shtohet se, i dyshuari S.D, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.

    ‘’ Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej’’, thuhet në njoftim.

    Njoftimi:

    Aktakuzë kundër tre personave për kontrabandim me migrantë

    Prizren, 20 Gusht 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 5 i KPRK-së, ndërsa B.D., dhe A.F, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D., ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.

    I akuzuari S.D., kishte marrë me qira një automjet, të cilin më pas ua kishte dorëzuar B.D., dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë – Serbi. Për realizimin e këtij qëllimi, të pandehurit ishin nisur në drejtim të zonës kufitare, ndërsa S.D., kishte komunikuar me B.D., dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën e pritjes së migrantëve.

    Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej.

    Sipas aktakuzës, 10 migrantët kishin paguar në total 25,000 euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.

    Veprimet e dyshuara janë ndërprerë nga zyrtarët policorë, me ç’rast B.D.,

    dhe A.F., janë ndaluar, ndërsa S.D., është larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Nafta shtrenjtohet për 1 cent, publikohen çmimet e reja

    Nafta shtrenjtohet për 1 cent, publikohen çmimet e reja

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të MINTI-t, nafta do të shitet me çmim maksimal prej 1.78 euro për litër, duke u shtrenjtuar për një cent krahasuar me një ditë më parë.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës mbetet 1.49 euro për litër, ndërsa gazi 0.62 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

    Një ditë më parë, çmimi maksimal i naftës ishte 1.77 euro për litër.

  • Aksident me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, vdesin dy të rinj

    Aksident me fatalitet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, vdesin dy të rinj

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një rast të aksidentit të rëndë në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekonicë, ku si pasojë, dy të rinj kanë humbur jetën.

    Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:53.

    “Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, në aksident është përfshirë një veturë, në të cilën ndodheshin shoferi dhe pasagjeri. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, trupat e pajetë të viktimave, meshkuj të moshës 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Njësia Rajonale e Trafikut, në koordinim dhe nën udhëheqjen e prokurorit kompetent, është duke ndërmarrë veprimet hetimore për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /Telegrafi/