ATV

Tag: Ballina

  • Hovenier: ShBA-ja, e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit

    Hovenier: ShBA-ja, e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.

    “Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.

    Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt.

    Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

  • Rama për Financial Times: Kosova është një pikë e nxehtë, NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri

    Rama për Financial Times: Kosova është një pikë e nxehtë, NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri

    NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri të Kosovës, thotë kryeministri shqiptar Edi Rama i cili u bën thirrje liderëve perëndimorë të zgjidhin ‘çmendurinë e pafundme’ midis vendeve të Ballkanit.

    “NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”.

    Rama, vendi i të cilit është anëtar i aleancës ushtarake, foli për Financial Times pasi terroristët serbë morën peng një manastir në Kosovën veriore, duke marrë të paktën katër jetë, duke përfshirë atë të një polici etnik shqiptar.

    “Kosova është një pikë e nxehtë”, tha Rama.

    “Me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, u shprej ai për Financial Times.

    NATO tha se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe që tashmë kanë premtuar qindra ushtarë në krye të forcës ekzistuese prej 4500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.

    Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj dhe të qetësojë tensionet. Kosova ka fajësuar Serbinë për sponsorizimin e sulmit dhe për lëvizjen e njësive të ushtrisë afër kufirit të Kosovës, në atë që tregonte qëllime luftarake. Beogradi mohoi të kishte plane të tilla, por po strehon udhëheqësin e milicisë, Milan Radojiçiq, i cili kreu rrethimin e manastirit.

    Pas sulmit të atij manastiri, autoritetet e Kosovës gjetën një depo të madhe armësh, duke përfshirë eksplozivë, artileri të rëndë dhe automjete ushtarake. Ju lutemi përdorni mjetet e ndarjes që gjenden nëpërmjet butonit të ndarjes në krye ose në anën e artikujve.

    Shqiptarët përbëjnë grupin etnik më të madh në Kosovë, i cili u shkëput nga Serbia në vitin 2008. Beogradi nuk e ka njohur atë si një komb të pavarur – një hap i ndërmarrë nga SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së.

    Një pakicë etnike serbe është e përqendruar në pjesën veriore të Kosovës dhe ka refuzuar autoritetin e Prishtinës, duke organizuar protesta dhe bllokada të shumta gjatë vitit të kaluar.

    BE, SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore janë përpjekur të ndërmjetësojnë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, por pavarësisht se ishin afër një marrëveshjeje në mars, propozimet u shpërbënë si rezultat i zgjedhjeve të diskutueshme komunale në veri të Kosovës.

    Pas kësaj kryeministri i Shqipërisë Edi Rama avokoi për një “konferencë të nivelit të lartë” që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe riangazhimin e SHBA.

    “Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund”, tha Rama.

    Udhëheqësi shqiptar tha se ai kishte tërhequr tashmë vëmendjen për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë gjatë një samiti të NATO-s në korrik.

    Qëllimi, tha ai, ishte “njohja e plotë e Kosovës në BE dhe në Kombet e Bashkuara.

    Nuk është e lehtë të ndryshosh rrjedhën e historisë, kjo kërkon lidership. Por nëse Franca dhe Gjermania mund ta bëjnë atë [pas Luftës së Dytë Botërore], nëse Arabia Saudite dhe Izraeli mund ta bëjnë atë, atëherë ne e dimë se mund të ndodhë.” Rama për një kohë të gjatë u përmbajt nga përfshirja në konfliktin e Kosovës, në vend të kësaj ndërtoi lidhje të përzemërta me Beogradin teksa kërkonte të bënte përparim në rrugën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor. Por duke pasur parasysh kërcënimin në rritje të sigurisë jo vetëm për shqiptarët në Kosovë, por edhe për rajonin në tërësi”, tha Rama.

    Sipas tij, jostabiliteti në Ballkanin Perëndimor i shërben interesave të Moskës.

    “Rusia e ka mbështetur prej kohësh Serbinë dhe nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pas pushtimit të Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, Beogradi i rezistoi thirrjeve perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kremlini do të dëshironte gjithashtu të shihte një Donbas të vogël në Kosovë dhe të ndezte një zjarr separatizmi në mes të Evropës”, ​​tha Rama.

  • Kuvendi e miraton Projektligjin për shëndetin riprodhues

    Kuvendi e miraton Projektligjin për shëndetin riprodhues

    Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Në votim morën pjesë 63 deputetë nga 85 sa ishin në sallë. 58 votuan për, një kundër dhe katër abstenuan. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka konstatuar se projektligji ka kaluar.

    Projektligji parasheh që shërbimi IVF të aplikohet edhe në sektorin publik, pasi deri tash mundësohej vetëm në klinikat private në Kosovë dhe jashtë vendit.

  • KFOR-i për situatën në Veri: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës

    KFOR-i për situatën në Veri: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës

    Misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.

    Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”.

    Më tej kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.

    200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.

    “Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.

    Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.

    “Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.

    Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.

    Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

    “Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.

    Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.

    “Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.

    Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.

    Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.

    Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.

  • Fshati Lebanë për pesë muaj pa ujë të pijshëm, shkak dëmtimi i një gypi

    Fshati Lebanë për pesë muaj pa ujë të pijshëm, shkak dëmtimi i një gypi

    Si pasojë e dëmtimit të një gypi që furnizon me ujë të pijshëm, banorët e fshatit Lebanë të Komunës së Prishtinës tash e një kohë, po përballen me mungesë të ujit.

    Kryetari i Këshillit Lokal në Lebanë, Gani Dobratiqi në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “A LIVE”, tha se për pesë muaj banorët e këtij fshati kanë mungesë të ujit të pijshëm, për çka tha se ky problem po ua vështirëson jetesën.

    “Është muaj I pestë që ballafaqohemi me mungesë të ujit të pijshëm. Kemi biseduar me kompaninë e ujësjellësit, na kanë thanë me bo një kërkesë por tash e një javë s’kemi asnjë përgjigje nga ta. Po ashtu kemi bisdeuar edhe me Komunën por të njëjtit ia kanë hedhë fajin kompanisë së ujësjellësit dhe anasjelltas”, tha ai.

    “Kërkojmë që me urgjencë të rregullohet ky problem pasi nëse dikush nuk ndërmerr ndonjë masa, atëherë do të na detyrojnë që ne të marrim masa konkrete të atilla, si greva “, shtoi tutje ai.

    Përveç kësaj, Dobratiqi përmendi edhe disa problem të tjera që banorët e këtij fshati po përballen tash e sa kohë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Çollakaj: Serbia do të vazhdojë përpjekjen për ta destabilizuar Kosovën

    Çollakaj: Serbia do të vazhdojë përpjekjen për ta destabilizuar Kosovën

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin A LIVE në ATV, tha se tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

    Mirëpo, sipas tij, tani Kosova është në avantazh edhe në kuptimin politik ndërkombëtar, por edhe në atë operativ.

    “Tendencat për të destabilizuar Kosovën dhe për t’u hakmarrë nga ana e Serbisë, do të vazhdojnë. Serbia nuk pushon me kaq. Ka me u përpjekë në forma dhe mënyra të ndryshme për me sfidu seriozisht prapë sigurinë në Kosovë, mirëpo tani ne jemi në avantazh në kuptimin edhe politik ndërkombëtar por edhe në kuptimin operativ, sepse Policia e Kosovës u tregu shumë me aftë dhe të gjitha institucionet tjera të Republikës së Kosovës kanë kry punën e tyre dhe ato që nuk shihen kanë kry punën e tyre maksimalisht mirë dhe ky ishte rezultati që Serbia në këtë rast përmes këtyre njerëzve të këtij grupi terrorist u poshtërua dhe u përkule, iu dhanë një theçafje, shkoni nga keni ardhë, sepse kjo tokë mbrohet nga njerëzit të cilët jetojnë aty”, tha Collakaj. /atvlive.tv

  • “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    Një takim mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë mund të ndodhë të enjten në Granada të Spanjës.

    Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar se ka përpjekje që të aranzhohet një takim mes Vjosa Osmanit dhe Aleksandar Vuçiqit.

    Osmani e Vuçiq do të marrin pjesë në samitin në Granada të 51 liderëve evropianë. Samiti do të mbahet të enjten.

    “Burime thonë se ka përpjekje për të aranzhuar takim mes tyre përkundër armiqësisë politike mes dy vendeve”, ka shkruar “The Guardian”.

    Osmani të martën në një intervistë për “CNN” ka thënë se Kosova është nën sulm. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u inkurajua të sulmonte shkaku i mungesës së drejtësisë në dialog.

    “Ata duan të vazhdojnë planin e tyre të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë, t’i lejojnë Putinit të hapë fronte të reja kundër perëndimit në Ballkan Perëndimor. Ne jemi duke punuar me aleatët dhe partnerët dhe kjo nuk do të ndodhë”, tha Osmani.

  • Milan Radojiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet shkuarja në Kosovë

    Milan Radojiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet shkuarja në Kosovë

    Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.

    Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.

    Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

    Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

    Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

    Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

    Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator./REL/

  • Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se nuk shtetas shqiptarë në radhët e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në Itali.

    Nga ky dikaster kanë shprehur pikëllimin për këtë ngjarje, derisa kanë uruar shërim të shpejtë të të lënduarve të këtij aksidenti tragjik.

    “Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre të Italisë. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik”, thuhet në reagimin MEFA-së.

    Kujtojmë se në aksidentin e mbrëmshëm në Mestre të Italisë humbën jetën mbi 20 persona ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.

  • SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

    SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

    Departamenti amerikan i Shtetit thotë e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”

    Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën dhe nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

    “Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

    Milan Radoiçiq u arrestua dje në Serbi, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, i cili iku për t’u strehuar në Serbi.

    Bashkimit Europian ka kërkuar që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte në hetimet që do t’i bëjë Policia e Kosovës, ndërsa institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sulm.

    Për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiq tha se do të japin llogari në Serbi, u ofrua strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, u shpall ditë zie kombëtare.