ATV

Tag: Ballina

  • Gjykata i ndërpret masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari

    Gjykata i ndërpret masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari

    Gjykata Supreme i ka ndërprerë masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarëve.

    Pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, avokati Jashari do të mbrohet në liri.

    “Me pranimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të pandehurit Hamdi Jashari, ndryshon aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, të datës 7.9.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 15.9.2023, ashtu që të pandehurit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të siguruar nga ATV.

    Ndërkohë mbrojtja e Jasharit e ka mirëpritur vendimin, pasi sipas avokatit Florim Shefqeti, vendimi paraprak nuk ka pasur bazë ligjore.

    Kujtojmë se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari. /atvlive.tv

  • Orban kundër kërkesës së Osmanit për t’i vënë sanksione Serbisë

    Orban kundër kërkesës së Osmanit për t’i vënë sanksione Serbisë

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dalë kundër kërkesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sanksionuar Serbinë pas sulmit terrorist, që grupi i udhëhequr nga Milan Radojiçiq kreu në Banjskë, më 24 Shtator. Në një deklarim para takimit jo-formal të liderëve të BE-së në Spanjë, kryeministri hungarez tha se është Kosova ajo që duhet të ndryshojë, teksa vlerësoi se Serbia është faktor stabiliteti në Ballkan.

    “Jo, jo, është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë vuajtur nga provokimet e rregullta në dy vjetët e fundit, kështu që duhet ta kuptojmë që kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje, kjo rezulton në jo-stabilitet. Pa Serbinë, nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që unë definitivisht argumentoj që të ndihmojmë Serbinë të stabilizojë rajonin”, ka thwnw Orban./atvlive.tv

  • Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, me të cilin folën për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.

    Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për agresionin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Theksova domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për aktin e saj terrorist dhe aktin e agresionit kundër Kosovës, i cili paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin”, tha Osmani.

    Kujtojmë se e para e shtetit përveç Ruttes, gjatë ditës së djeshme i ka kërkuar edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit britanik, Rishi Sunak, e liderëve të tjerë evropianë që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës.

    Osmani ka refuzuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përpara se të vendosen sanksione ndaj shtetit serb.

  • ​Delegacione të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit mblidhen sot në Tiranë

    ​Delegacione të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit mblidhen sot në Tiranë

    24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit do të mblidhen sot (e premte) në Tiranë, në takimin e ministrave të Jashtëm.

    Ky takim i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

    Sipas njoftimit, takimi do të ketë dy sesione të mbyllura. Pas përfundimit të tyre, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe komisioneri për Zgjerim i KE-së, Oliver Varhelyiu do të mbajnë konferencë për media.

    Tema të këtij takimi janë: forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçantë të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE, përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbërt dhe atë Digjitale; përfarimi me Tregun Unik të BE-së, ruajtja e momentit rivitalizues të arritur në samitin e vjetshëm në Berlin; zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian.

    Takimi do të ketë dy sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund Ministri Hasani, Ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

  • Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

    Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Sanksione ndaj Serbisë për agresion ndaj Kosovës më 24 Shtator, para gjithçkaje tjetër, kërkoi presidentja Vjosa Osmani në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Granada të Spanjës.

    Teksa vlerësoi se sanksionet do ta mbronin paqen dhe stabilitetin, presidentja Osmani theksoi nuk ka asnjë arsye të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vucic, pa sanksionimin paraprak të Serbisë.

    “Këto janë kohëra të vështira për tërë kontinentin evropian, veçanërisht për vendin tim, pasi së fundmi u përballëm me një akt agresioni nga Serbia, i cili u krye përmes grupeve terroriste dhe paramilitare. Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë për ta sanksionuar Serbinë, në mënyrë që ajo të mos inkurajohet dhe të marrë guxim për të kryer akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë sërish e sërish”, tha Osmani.
    Krahas kësaj, presidentja kërkoi garanci të sigurisë për Kosovën dhe ndryshim të qasjes së perëndimit ndaj Vucicit, të cilin e bëri përgjegjës për agresion përmes sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Për çfarë të takohemi? Do të bënte, sikur nuk përballesh me një agresor që ka kryer një akt agresioni, një akt terrorist, vetëm një javë më parë. Besoj që fatkeqësisht bisedimet për normalizim, në vend se për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë keqpërdorur nga Vucici për të normalizuar fytyrën e tij para bashkësisë ndërkombëtare – i cili nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në vitet e ‘90-ta, kur ishte ministër i Propagandës i Milloshevicit, i cili ende mohon gjenocidin, i cili teksa po flasim ka baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën, sepse duan ta marrin territorin e Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë atë të ketë një fotografi të mirë nga këtu, që të mund të vazhdojmë njësoj. Ky nuk është biznes i zakonshëm, sepse 25 shtatori ka ndodhur, askush nuk duhet t’i japë atij mundësinë të duket si lider evropian normal, sepse ai është një agresor”, tha Osmani.

    Në një adresim në mëngjes, para deklaratës së presidentes Osmani, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, tha se shpresoi në diskutime me të dhe presidentin serb.

    “Takimet bëhen për t’i lehtësuar tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe presidenti Vucic, po ashtu. Në Kishinau ne u ulëm së bashku, diskutuam për këtë dhe sot do të bëjmë të njëjtën. Por, situata është shumë më e keqe sot sesa kur ishim në Kishinau”, tha Borrell.

    Për Kosovën dhe Serbinë foli shkurt edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përdori termin konflikt.

    “Besoj sinqerisht se kjo platformë e Komunitetit Politik mund dhe do të duhej, të luante një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, me theks në Kaukazin Jugor dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse konfliktet nuk janë problem vetëm i atyre që janë të përfshirë direkt, por për të gjithë rajonin dhe kontinentin”, tha Michel.

    Në adresimin e saj, presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e ndërsjellë të njohjes eventuale nga Spanja.

    Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic nuk u ndal para gazetarëve duke shmangur pyetjet e tyre.

  • Gjenden mbetje mortore në Matiqan, dyshohet se janë të luftës së fundit

    Gjenden mbetje mortore në Matiqan, dyshohet se janë të luftës së fundit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kthimi në lokacion për gërmime dha rezultat.

    Pasditen e së enjtes, në varrezat e Lagjes Mat, u gjetën mbetjet mortore që dyshohet se janë të një personi të zhdukur nga lufta. Këtë e konfirmoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ndërkohë, Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, po vazhdonin gërmimet edhe në Bishtazhin të Gjakovës, ku një ditë më parë, u gjetën mbetje mortore që dyshohet se i takojnë po ashtu luftës së ‘99-ës.

    “Pjesët kockore që I kemi gjetur dje, konsiderojmë që janë të një individi, por janë të mjaftueshme që të na japin një identifikim të ri. Ne shpresojmë që sot të gjejmë edhe më shumë, ndoshta edhe trupa të plotë të cilët do t’i dërgojmë për identifikim…”, tha Ditor Haliti, antropolog në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Gërmimet disajavore për gjetjen e të pagjeturve nga tri masakrat e Gjakovës, bazohen në një raport analitik të Kryqit të Kuq.

    “Sipas këtij raporti, ka ekzistu dyshimi se këtu mund të ketë ende mbetje mortore, meqë ky lokacion ishte varrezë masive ku ishin vendosur të vrarët e luftës, e më pas nga këtu ishin dërguar në Serbi në një tjetër varrezë masive…”, tha Haliti.

    Kërkimi që pritet të vazhdojë për të paktën edhe 10 ditët e ardhshme, është i pari nga institucionet e Kosovës.

    Por, si ndodhi që lokacioni në Bishtazhin ishte shndërruar në varrezë masive.

    “Kanë qenë gropa të mëdha ku është nxjerrë zhavorr më herët… Serbët i kanë sjellë viktimat aty…”, tha kryetari i Këshillit Lokal Bishtazhin, Augustin Topalli.

    Paraprakisht kah mesi i muajit korrik, në Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut, ishin gjetur mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës.

  • ​Hapet fushata informuese për lëvizjen pa viza

    ​Hapet fushata informuese për lëvizjen pa viza

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen, pa pasur nevojë për vizë, qysh nga janari i vitit të ardhshëm.

    Megjithatë, duhet pasur kujdes të shtuar kur marrin rrugë drejt këtyre shteteve, në mënyrë që t’i shmangen ndëshkimit.

    Andaj, për t’i informuar qytetarët rreth procedurës e rregullave që parasheh liberalizimi, Qeveria nisi fushatë informuese për qytetarët.

    “Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë, duhet të kemi kujdes, sepse ka edhe disa rregulla. Është për vizita afatshkurta, jo për shkollim e për punë. Duhet të keni kujdes, sepse shkeljet e rregullave kur të mblidhen mund të dërgojnë në gjoba dhe në ndalesa për hyrje në Shengen”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Meqë thirrjes për pjesëmarrje në fushatë, nuk iu përgjigjën edhe aq shumë qytetarë, organizatorët u përkujdesën që qytetarët të mund të informohen edhe përmes fletushkave.

    Përtej rregullave, të rinjtë mezi presin që të lëvizin lirshëm për në vendet e Bashkimit Evropian.

    Por dikush që jeton në mërgim, ka një porosi për vendasit.
    Sidoqoftë, fushata për informim rreth lëvizjes pa viza, e nisur në kryeqytet, do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera.

  • Michel flet për Kosovën e Serbinë: Konflikti s’është problem vetëm për ta, por për gjithë kontinentin

    Michel flet për Kosovën e Serbinë: Konflikti s’është problem vetëm për ta, por për gjithë kontinentin

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fjalën e tij në nisjen e takimit të Komunitetit Politik Evropian në Spanjë, foli për konfliktet në Evropë, duke përmendur edhe atë aktual mes Kosovës e Serbisë.

    Ai tha se konfliktet janë problem për gjithë kontinentin dhe jo vetëm për ata që janë të përfshirë, derisa shtoi se ky samit duhet të luajë rol në uljen e tensioneve.

    “Besoj që kjo platformë e Komunitetit Politik Evropian ka një rol të rëndësishëm në uljen e konflikteve dhe ndihmon në zgjidhjen e tyre, në Transcaucasia (Armenia dhe Azerbajxhani) dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sepse konfliktet nuk janë vetëm një problem për ata që janë të përfshirë direkt, por janë probleme për rajonin dhe për kontinentin tonë. Dhe ne duhet të përdorim këtë platformë që të ndërtojmë më shumë besim në mes nesh”.

    Presidentja Vjosa Osmani para se të niste ky takim kërkoi nga vendet europiane që të ndëshkojnë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

  • Sunak do t’i bëjë presion Vuçiqit për agresionin në Kosovë

    Sunak do t’i bëjë presion Vuçiqit për agresionin në Kosovë

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, do t’i bëjë presion Serbisë pas agresionit ndaj Kosovës.

    Siç njofton Qeveria Britanike, Sunak gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, do të ketë takime me shumë liderë tjerë evropianë, ku si temë diskutimi do ta ketë situatën e fundit në Kosovë.

    “Në takimet me një varg liderësh, kryeministri do të theksojë edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për siguri më të gjerë evropiane, përfshirë reagimin ndaj situatës në Kosovë dhe në Nagorno-Karabakh. MB-ja këtë javë ka dërguar 600 trupa britanikë për të përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, dhe Kryeministri pritet t’i bëjë presion Serbisë për t’u siguruar se ata që qëndrojnë prapa sulmeve të fundit ndaj policëve të Kosovës do të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

    Në njoftim thuhet po ashtu se kryeministri britanik do t’i nxisë liderët të bashkojnë forcat për të mbrojtur kufijtë e Evropës nga bandat kriminale dhe për të përballuar agresionin rus, në takimin e Komunitetit Politik Evropian [EPC].

  • Kurti lanson fushatën informuese për liberalizimin – e quan proces të vonuar, kërkon kujdes nga qytetarët

    Kurti lanson fushatën informuese për liberalizimin – e quan proces të vonuar, kërkon kujdes nga qytetarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lansuar fushatën informuese për liberalizimin e vizave, raporton EO.

    Kurti tha se liberalizimi i vizave ka qenë një projekt i tejzgajtur dhe i vonuar për kosovarët. Ai tha se qytetarët duhet të kenë kujdes sepse liberalizmi ka edhe disa rregulla.

    “Përgjatë tetorit dhe nëntorit pritet që fushata të zhvillohet në shumë komuna e anembanë. Siç e dini të gjithë sepse edhe e kemi përjetuar ky projekt ka qenë i tejzgajtur dhe i vonuar për qytetaret e Kosovës”.

    “Nga një janari merr fund regjimi i vizave për Kosovës. Liberalizmi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë duhet të kemi kujdes sepse ka edhe disa rregulla. Është për vizita afatshkurta jo për shkollim e për punë. Duhet të keni kujdes sepse shkeljet e rregullave kur të mblidhen mund të dërgojnë në gjoba dhe në ndalesa për hyrje në Shengen”, tha Kurti.