ATV

Tag: Ballina

  • Rreziku në veri – ekspertët kërkojnë të shkurtohet tranzicioni i FSK-së, të rritet buxheti për armatim

    Rreziku në veri – ekspertët kërkojnë të shkurtohet tranzicioni i FSK-së, të rritet buxheti për armatim

    Ekspertët e sigurisë në vend po bëjnë thirrje që shteti të rrisë buxhetin për shtimin e kapacitete njerëzore dhe materiale në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kjo pas sulmit terrorist në veri të vendit dhe pranisë së ushtrisë serbe në kufi, raporton Ekonomia Online.

    Ata po kërkojnë që të ndahen mjete më të mëdha financiare në mënyrë që të shkurtohet tranzicioni i FSK-së.

    Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, tha se tranzicioni i FSK-së është duke shkuar përtej parashikimeve, me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, armatimit e trajnimeve.

    Madje sipas tij, FSK-ja është ushtri në tranzicion ajo ka marr pjesë në shumë trajnime, e misione paqeruajtëse që sipas tyre është një avantazh për të.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është në fazën e tranzicionit, ngritjes se kapaciteteve njerëzore edhe materiale, gjegjësisht edhe infrastrukturës, armatimit, trajnimeve për shkak të kuadrove të reja. Mendoj që në këtë drejtim është bërë një avantazh i shkëlqyeshëm edhe krejt kjo po shkon në konditat e parashikimeve përtej asaj. Mendoj që FSK-ja gjithashtu ka marr pjesë edhe në misione paqeruajtëse, përveç atyre humanitare në të kaluarën, kjo tregon një avantazh të shtuar”, tha ai.

    Ibishi tha se konformë rreziqeve dhe kërcënimeve të cilat po ndodhin, niveli politik edhe institucional duhet që të veprojnë më shpejt në kuptim të avancimit edhe mundësisë së integrimeve të FSK-së edhe në NATO edhe në aspektin e bashkëpunimit rajonal.

    “FSK-ja po ngrit kapacitete dhe tash mbetet në çështjen e integrimeve rajonale, përshembull karta e Adriatikut, ka mbetur çështja e kësaj fazës të partneritetin për paqe është një domosdoshmëri e kalimit para anëtarësimit në NATO, e cila konformë rreziqeve dhe kërcënimeve çfarë janë, duhet që edhe niveli politik edhe institucional të veprojmë më shpejt në kuptim të avancimit edhe mundësisë së integrimeve të FSK-së edhe në NATO edhe në aspektin e bashkëpunimit edhe rajonal, dhe pjesëmarrja në manovrat e organizuara nga NATO”.

    “Në një situatë hipotetike mendoj që është e gatshme të kryej detyrat ashtu si është e parashikuar me ligjet ekzistuese dhe Kushtetuese të Kosovës”, tha ai.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha se Qeveria e Kosovës duhet që ta shtojë  buxhetin që të shkurtohet faza e tranzicionit të FSK-së deri në vitin 2026 e jo sic është parashikuar në vitin 2028, raporton EO.

    “Mendoj që tani në planin gjithë përfshirës të FSK-së që do të duhet ta përmbyllte në 2028, do të duhet që të shikohet në aspektin edhe financiar që në vitin e ardhshëm buxhetor të kemi edhe një shtim më të madh të pjesës financiare për të ngushtuar, apo shkurtuar pjesën e tarnzicionit që do të duhet që të jetë deri në 2028 po tani duhet ta bëjmë deri në 2026”, tha ai.

    Shala tha se FSK-ja është treguar jashtëzakonisht profesionale, ku kjo sipas tij, po dëshmon faktin që është aletet e denjë e NATO-s.

    “FSK-ja është treguar deri më tani ne kontekstin e asaj të aspektit të balancimit apo ngritjes së kapaciteteve sipas standardeve të NATO-së është treguar jashtëzakonisht profesionale dhe kjo pe dëshmon faktin që NATO-ja ka partner serioz për FSK-në. Sipas asaj që vërehet deri më tani jemi në stazhin dhe drejtimin e duhur”, tha ai.

  • ​Kosova pa fuqi punëtore, punëson qytetarë nga Bangladeshi

    ​Kosova pa fuqi punëtore, punëson qytetarë nga Bangladeshi

    Në mungesë të fuqisë punëtore në vend, kompanitë kosovare po mundohen të bëjnë zgjidhje me punëtorë të huaj. Konsiderohet që së fundmi janë rreth 500 punëtorë nga vendet si Bangladeshi, Pakistani dhe India, të cilët kanë gjetur vetën në Kosovë.

    Ata po punojnë në kompanitë e sektorit privat, pavarësisht që nuk njohin gjuhën, kulturën e as natyrën e punës.

    Sipas njohësve të ekonomisë, kjo situatë është për shkak të politikave të dobëta të Qeverisë. Ata vlerësojnë se është mjerim shkëputja e dialogut publiko-privat.

    Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress, se qytetarët kanë humbur shpresën për punësim.

    “Është një situatë mjaft kaotike, nuk ka të dhëna të mirëfillta, nuk ka komunikim të mirëfilltë me sektorin privat, dhe më shqetësuesja është se njerëzit kanë humb shpresën që përmes rrugëve të rregullta, apo kanaleve zyrtare mund të gjejnë punë dhe të punësohen. Prandaj, vërtete konkurset janë të shumta, është një demotivim masiv dhe sot për fat të keq në Kosovë shumë më tepër shpenzohet kohë për të menduar si të iket nga Kosova, sesa si të qëndrohet në Kosovë… Një ndër parakushtet kryesore për një ekonomi të qëndrueshme është stabiliteti politik dhe kur kjo mungon si mund të flitet për zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim vet fakti që në vitin 2022 por dhe 2023 kemi pas një shkëputje totale të dialogut publiko privat, është një mjerim ”, thotë Gërxhaliu.

    Gërxhaliu thotë se kompanitë në këtë drejtim do të detyrohen të marrin punëtorë nga vendet e ndryshme.

    “Është e vërtetë se sektori privat do të tentojë të gjejë alternativa për fuqi punëtore, mos të mendohet që punëtorët që vinë nga jashtë, qoftë nga India, nga Pakistani apo vendet tjera, do të jenë ato që do t’i zgjedhin problemet e fuqisë punëtore… Në këtë drejtim të punohet më tepër në mbështetje të sektorit privat, kushte më të mira për punëtorët, të rriten pagat për punëtore dhe vërtetë të ketë kampanja vetëdijesuese me të rinjtë që të motivohen për të qëndruar në Kosovë dhe jo për të ikur”, shton Gërxhaliu.

    Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se gatishmëria e qytetarëve për t’u larguar është në rritje e tutje, me ç’rast shton se kompanitë do të vuajnë nga mungesa e punëtorëve.

    “Shqetësimi që është ngritur në vazhdimësi nga njohësit e ekonomisë si duket i erdhi fundi dhe këtu po shihet se ka pas mungesë të politikave ekonomike dhe atyre inevstive të cilat do të parandalimin këtë lloj gatishmërie të largimit, por edhe Qeveritë tjera bashkë me këtë, duket se nuk i ka bërë përshtypje ky shqetësim që ka qenë në vazhdimësi. Në këtë drejtim tani jemi para një akti të kryer që gatishmëria e qytetarëve për t’u larguar është në rritje e tutje. Tash ne do të përballemi me qytetarë dhe punëtore që do të vinë nga vendet e treta, që përveç që nuk do ta njohin natyrën e punës, gjuhën, pra do të ketë probleme jashtëzakonisht edhe ai punëtor që vjen dhe bizneset”, thotë Kadriaj.

    Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi konsideron se mungesa e kushteve të punës në vend, ka shkaktuar që të ketë mungesë të fuqisë punëtore në vend.

    Sipas Azemit, nga janari vitit 2024 pas liberalizimit të vizave, vendi do të vuaj më shumë nga mungesa e punëtorëve.

    “Ne kemi një mungesë shumë të madhe të fuqisë punëtorë, sidomos ata që janë të kualifikuar. Realisht në shumë projekte, shumë programe të shumë kompanive kanë dështuar në mungesë të punëtorëve. Ne veçse jemi çdo ditë në terren dhe i shohim. Fakti që jemi në këtë gjendje, është ajo që nuk i kemi trajtuar dhe nuk i kemi kryer obligimet ndaj punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, ashtu siç thotë ligji. Sidomos do të ketë një mungesë të punëtorëve që nga fillimi i viti të ardhshëm, sepse njerëzve do të ju jepet mundësia që të shkojnë jashtë dhe të kontaktojnë për të nënshkruar ndonjë kontratë me vende tjera për një punë më afatgjate. Kemi një ardhje të punëtorëve nga jashtë. Kemi ardhë në një gjendje që duhet pranuar punëtor nga Bangladeshi, që konsiderohet që në Kosovë për momentin kemi rreth 500 punëtorë të ardhur nga jashtë”, tha Azemi.

    Mes tjerash, Azemi potencon se për ata veçse kanë vendosur të lëshojnë vendin, tashmë është vonë për çdo hap tjetër në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

    “Ne kemi nuhatur herët që do të ketë mungesë të punëtorëve, dhe gjithëherë iu kemi ofruar që së paku si partnerë, sindikatë, punëdhënësve qeveritë të ofrojnë kushte aq sa munden, por Qeveria e Kosovës, në veçanti pronarët e kompanive në një formë e kanë injoruar kërkesën tonë dhe tash për tash është e kotë, sepse nëse sindikata, qeveria dhe punëdhënësi ofrojnë punëtorëve pagë 1 mijë euro, realisht këta e kanë ndarë mendjen dhe këta normal nuk po shohin ndonjë perspektivë”, përfundoi Azemi.

    Kujtojmë se nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

  • 200 ushtarët britanikë arritën në Kosovë

    200 ushtarët britanikë arritën në Kosovë

    Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se përforëcimet nga ky shtet për misioni paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, tanimë kanë arritur në Kosovë.

    Sipas një njoftimi në X, ushtarët e parë britanikë të një dislokimi prej 200 trupash arritën në Kosovë për t’u përforcuar misionin e KFOR-it.

    Edhe Gjermania do të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë si pjesë e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, KFOR, njoftoi të premten një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Mund të konfirmoj se qeveria federale (gjermane) ka vendosur të zgjerojë angazhimin e saj ushtarak në KFOR që nga prilli i vitit 2024, pavarësisht nga ngjarjet e fundit në Kosovë”, tha Mitko Mueller në një konferencë rutinë për shtyp në Berlin

    Përndryshe, Turqia do ta marrë udhëheqjen e KFOR-it në mandatin e ardhshëm dhe Angelo Michele Ristuccia do të zëvendësohet nga gjenerali turk, Ozkan Ulutash. Të martën e ardhshme është planifikuar dorëzimi i detyrave nga komandanti aktual i KFOR-it.

  • Qeveria ndan 3 milionë euro shtesë për rehabilitimin e rrugëve rajonale

    Qeveria ndan 3 milionë euro shtesë për rehabilitimin e rrugëve rajonale

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje, në formë elektronike, në të cilën ka marrë dy vendime.

    Në këtë mbledhje, Qeveria ka ndarë 3 milionë euro shtesë për projektin “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale”.

    Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për të kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh.A. dhe KfË, Frankfurt am Main, për projektin “Programi i Energjisë Solare I (Solar4Kosovo I) – Fotovoltaik.

  • Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën

    Është e rëndësishme që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të hetohet nga një ekip ndërkombëtar, ashtu siç kërkon Kosova, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.

    Ai thotë se ky ekip do të mund të mandatohej nga Kombet e Bashkuara, apo të ishte ekip i përbashkët i disa shteteve.

    Skenari më i mirë, sipas tij, do të ishte edhe sikur Serbia të pajtohej me të.

    “Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, thotë Ellis për REL.

  • Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi 20 milionë euro është shuma që Qeveria detyrohet t’i japë kompanisë “Contour Global” .

    Kjo kompani Amerikane, me të cilën Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vitin 2017, nënshkroi kontratë për ndërtimin e termocentralit, me kapacitet 450 megavat, “Kosova e Re”, fitoi betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

    Kontrata e nënshkruar në fund të viti 2017, u neglizhua nga Qeveria aktuale, duke bërë kështu që kompania të tërhiqet nga projekti në mars të 2020-ës, duke kërkuar 20 milionë euro dëmshpërblim.

    Këtë, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj e vlerësoi skandal tjetër të pushtetit.

    Por, ndryshe mendojnë ekspertë të energjisë. Sipas ish-drejtuesit komercial në Korporatën Energjetike të Kosovës, realizimi i këtij projekti do të pësonte me rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike.

    “Kthimi aq i shpejtë i vlerës së investimeve do të bënte që çmimi i energjisë elektrike të rritej dhe të ishte shumë i lartë… Mënyra se si është lidhur kontrata, kushtet e saj të disfavorshme, besoj që i kanë dhënë të drejtë ta anulojë atë kontratë Qeverisë së Kosovës”, tha Palok Berisha, ekspert i energjisë.

    Sipas tij, qeveritë duhet të kenë kujdes dhe të mos nënshkruajnë kontrata të cilat kryesisht janë në favor të kompanive investuese.

    Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar, duke u konsideruar si projekt i dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët. Jetëgjatësia e Termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur të jetë 40 vjet dhe kishe vlerë mbi 1.3 miliard euro.

  • “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Teatri ”Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, bëri bashkë studentët nga i gjithë vendi, në ceremoninë e pranimit të studentëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e vitit të ri akademik 2023/2024.

    Duke iu uruar mirëseardhje, rektori i Kolegjit, Lulzim Tafa, u foli studentëve për rëndësinë e studimeve në këtë kolegj.

    Të entuziazmuar që nga e hëna do të fillojnë rrugëtimin e ri, studentët thonë se zgjodhën AAB-në për shkak të rëndësisë që i jep rrugëtimit akademik.

    Studentë të tjerë shprehen të lumtur që këtë vit të ri akademik po e nisin në një kolegj, i cili, sipas tyre, do t’iu ofrojë mundësi të mëdha.

    Ky organizim u përmbyll me fjalime e tregime suksesi të ish-studentëve.

    Kolegji AAB është institucioni më i madh jopublik i arsimit të lartë në trevat shqiptare.

  • Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Sanksionimi i Serbisë, pas “agresionit më 24 Shtator”, BE ja nuk ka qëndrim unik

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Sanksionimi i Serbisë pas agresionit të 24 Shtatorit, ishte kërkesë e presidentes Vjosa Osmani në të gjitha takimet bilaterale me liderë të shteteve të ndryshme dhe krerë të institucioneve të Bashkimit Evropian, në Granda të Spanjës.

    Teksa kërkoi garantimin e sigurisë së kufirit me Serbinë, presidentja ritheksoi se sanksionimi i shtetit fqinj duhet t’i paraprijë vazhdimit të dialogut.

    Por, brenda Bashkimit Evropian nuk ka pajtim të plotë për kërkesën e Kosovës.
    Në samitin jo-formal të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, kryeministri hungarez Viktor Orban doli haptas në mbrojtje të Serbisë.

    “Jo, jo, është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë vuajtur nga provokimet e rregullta në dy vjetët e fundit, kështu që duhet ta kuptojmë që kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje, kjo rezulton në jo-stabilitet. Pa Serbinë, nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që unë definitivisht argumentoj që të ndihmojmë Serbinë të stabilizojë rajonin”, tha Orban.

    Në samitin ku kryetema ishin procesi i zgjerimit dhe migracioni, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, përmendi Kosovën teksa tha se asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur konfliktet.

    Ndërkaq, krerët e institucioneve të BE-së, në deklarimet publike në Spanjë, nuk folën për sanksionim e Serbisë.

    Në margjina të samitit, presidentja Vjosa Osmani takoi homologun e saj Volodymyr Zelenskyy –për çka bëri përshkrim të shkurtë me tri fjalë: qëndresë, stoicizëm dhe shpresë.

  • Ministrja gjermane Baerbock e quan tinëzar sulmin në Banjskë

    Ministrja gjermane Baerbock e quan tinëzar sulmin në Banjskë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Së pari masa ndëshkuese për Serbinë e pastaj dialog, është shprehur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla pas Samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë.

    Por, për një homologe të Gërvallës, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit” mes Kosovës dhe Serbisë është në duart e Prishtinës dhe Beogradit.

    Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç paqes në rajon.

    “Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencave të trupave në kufirin me Kosovën, e kanë nxehur edhe më tej situatën, që edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi, dhe kjo ndodhi pas një sulmi tinëzar kundër policisë kosovare, prej një bande terroriste të armatosur gjer në dhëmbë. Presim prej Qeverisë serbe që t’i çojë përpara proceset hetimore të ngjarjeve të 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave, ashtu sikurse edhe rrethanat e ngjarjes së majit kundrejt ushtarëve të KFOR-it”, tha Baerbock.

    Teksa kërkoi nga Serbia nisjen e hetimit serioz për grupin terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, shtroi se formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ngrihet në nivelin e një konference me planin francezo-gjerman, si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve.

    “Palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar gjithmonë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Hasani.

    Palëve u bëri thirrje për dialog edhe komisionari i BE-së, Oliver Varhelyi.

    Ndryshe, ky samit i Ministrave të Jashtëm u mbajt në prag të samitit të radhës, në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet më 16 tetor në Tiranë.

    Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daqiq, refuzoi të fotografohet krahë homologëve të tij, për shkak të prezencës së flamurit të Republikës së Kosovës.

  • Qeveria ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin e radhës, në kuadër të Procesit

    Qeveria ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin e radhës, në kuadër të Procesit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për herë të parë, samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, më 16 tetor, pret presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët e rajonit.

    Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, sipas këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, nuk kanë ndikim në Samitin e Tiranës.

    Fakti që iniciativa rajonale e njohur si “Ballkani i Hapur” është zbehur, mund të ndikojë që Procesi i Berlinit të shihet si adresa e vetme për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

    Qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë, të cilat u nënshkruan vitin e kaluar si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshje e bllokuar nga Bosnja e Hercegovina.

    Dy të tjera, janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.