ATV

Tag: Ballina

  • 18 milionë euro borxhi ndaj “Termokosit”, Osmani: Synojmë shtrirjen në tërë Prishtinën

    18 milionë euro borxhi ndaj “Termokosit”, Osmani: Synojmë shtrirjen në tërë Prishtinën

    18 milionë euro është borxhi i konsumatorëve ndaj Ngrohtores së qytetit të Prishtinës “Termokos”. Borxhi sipas kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Fisnik Osmani është i akumuluar ndër vite dhe se janë duke punuar në uljen e stokut të borxhit, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani ka deklaruar se “Termokosi” arrin të inkasojë më shumë se 90 për qind të të hyrave dhe se kjo po arrihet falë shërbimit që ofrojnë.

    Ndonëse borxhi prej 18 milionë eurove është duke u trajtuar nga organet vendimmarrëse, Osmani është shprehur se kohëve të fundit konsumatorët janë më të përgjegjshëm dhe po i paguajnë faturat, teksa thotë se kjo u mundëson t’i realizojnë projektet.

    “Borxhet ndaj ndërmarrjes e tejkalojnë shumën prej 18 milionë euro. Nuk është borxh i periudhës së fundit, është borxh i akumuluar qysh prej pasluftës. Ne po e trajtojmë edhe me dy organet vendimmarrëse brenda në ‘Termokos’, se si të adresohet tutje. Ajo që zyra jonë po punon pandërprerë është që për shërbimin që e kemi ofruar t’i marrim paratë që i kanë borxh qytetarët dhe këtë po e bëjmë sidomos për periudhën e fundit dhe mund të them se ka pasur efekt. Duhet të jemi korrekt, nuk duhet të ankohemi se ‘Termokosi’ ka kënaqëshmëri me pjesën e inkasimit, pra qytetarët e paguajnë shërbimin, që nënkupton kur merr shërbim qytetari edhe e paguajnë. Pra jemi në shifrat mbi 90 për qind të inkasimit dhe neve kjo do të na ndihmojë shumë që t’i realizojmë projektet e nisura për të ardhmen”, thotë Osmani.

    Kryeshefi i “Termokosit”, ka folur edhe për projektet e nisura dhe ato që janë në përfundim e sipër. Ai thotë se synim kanë shtrirjen e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës dhe se kjo është e papërballueshme për ndërmarrjen.

    “Ne kemi bërë intervenime në disa lagje. Ajo çka kemi ndjek si politikë dhe vazhdojmë ta mbajmë të njëjtën është që zgjerimi i ‘Termokosti’ tentohet të shkon në lagje e jo në objekte të veçanta. Ideja është ne po e mbulojmë pjesën e Arbërisë, po e mbulojmë mbrapa hotel ‘Siriusit’ ose nën parkun e qytetit, kemi bërë intervenime në pjesën dërmuese në rrugën ‘Muharrem Fejza’ dhe natyrisht e kemi mbulu Ulpianën përveç ku ka probleme me pjesën sekondare dhe nuk është obligim i joni”, u shpreh Osmani.

    “Ideja e menaxhmentit tonë në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës nuk është që të ndalemi me kaq. Ne kemi projekt për vitin e ardhshëm edhe zgjerimin në disa lagje tjera dhe jemi në finalizim të detajeve teknike dhe na mbetet diskutime me komunën ose me donatorë. Për shkak se investimet në rrjetin primar të ngrohjes, investimet në bërjen gati të nënstacioneve, instalimin e stacioneve të reja, janë kosto e lartë e të cilat përkundër qëndrueshmërisë, është e vështirë dhe sfiduese me i përballu vetë për shkak se ne edhe aktualisht kemi obligime ndaj projekteve aktuale për shkak në një pjesë të caktuar jemi edhe me bashkëfinancim”.

  • Tri vaksina të reja për fëmijët – Canolli: Njëra parandalon kancerin e qafës së mitrës

    Tri vaksina të reja për fëmijët – Canolli: Njëra parandalon kancerin e qafës së mitrës

    Doktoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF),  Xhevahire Canolli, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se nga tetori i këtij viti kalendarit të vaksinimit të fëmijëve u janë shtuar edhe tri vaksina të reja.

    Ajo tha se me vendosjen e këtyre vaksinave, Kalendari i vaksinave të obligueshme të fëmijëve në Kosovë i përafrohet kalendarit Evropian.

    Sipas Canollit, kalendari i ri është aprovuar nga Ministria e Shëndetësie dhe tri vaksinat e reja janë kundër pneomokokut, rotavirusit dhe humanpapilloma virusit.

    Doktoresha tha se është e rëndësishme të ceket se vaksina kundër pneomokokut mbron  nga streptokoku-spleumonie që është shkaktarë kryesorë i pneomonive të fëmijët e vegjël.

    “Nga data dy tetor kemi filluar më implementimin  e kalendarit  të ri të imunizimit të aprovuar nga Ministria Shëndetësisë. Kalendari i ri përmban edhe tri vaksina të reja, vaksinën kundër pneomokokut, rotavirusit dhe humanpapilloma virusit. Është me rendësi të cekim se vaksina kundër pneomokokit të mbronë nga streptokoku-spleumonie që është shkaktarë kryesorë i pneomonive të fëmijët e vegjël nën 5 vjeç sidomos të ata nën 2 vjeçe”, tha ajo.

    Canolli sa i përket vaksinës kundër rotavirusit tha se ajo mbron fëmijët nga rotavirusi që është një ndër shkaktaret me të shpesh të barkëqitja e fëmijëve, ndërsa sa i përket vaksina kundër humanpapilloma virusit, ajo tha se parandalon kancerin e qafës së mitrës, raporton EO.

    “Vaksina kundër rotavirusit të mbron nga rotavirusi qe është një ndër shkaktaret me të shpesh të barkqitja e fëmijëve dhe vaksina kundër  humanpapilloma virusit të mbrojnë nga humanpapilloma virusi që është shkaktar i infeksioneve dhe sëmundjeve të shkaktuara nga ky virus, siç është shkaktari kryesor i kancerit të qafës se mitrës, pra parandalon kancerin  e qafës se mitrës. Me përfshirjen e këtyre vaksinave në kalendarin e ri të imunizimit, kalendari ynë i vaksinimit iu përafrohet kalendarit Evropian”, tha ajo për EO.

  • ​Rreth 30 persona dyshohet se janë infektuar në Malishevë

    ​Rreth 30 persona dyshohet se janë infektuar në Malishevë

    Dyshohet se mbi 30 persona janë helmuar nga ushqimi, por situata është menaxhuar mirë nga ana e personelit shëndetësor në Malishevë dhe organeve përgjegjëse komunale e organeve tjera përgjegjëse si AUV dhe policisë.

    Sipas drejtorit komunal për Shëndetësi, Hajdin Berisha, situata është menaxhuar më sukses dhe situata është në kontroll të plotë.

    Disa nga të infektuarit janë udhëzuar për QKUK në Prishtinë dhe spitalin e Prizrenit. Me kohë do të informoheni për situatën, thuhet në një postim të Komunës së Malishevës në Facebook.

  • Borrell: Plani për evakuimin e 1.1 milion banorëve të Gazës i pamundur për t’u zbatuar

    Borrell: Plani për evakuimin e 1.1 milion banorëve të Gazës i pamundur për t’u zbatuar

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë në një konferencë shtypi se urdhri i evakuimit të Izraelit për njerëzit në Gazën veriore ishte “krejtësisht i pamundur për t’u zbatuar”.

    Dhjetëra mijëra civilë filluan të ikin në jug të Gazës dje pasi Izraeli u tha njerëzve të largoheshin nga zona përpara një ofensive të pritshme tokësore.

    “Të imagjinosh se mund të lëvizësh një milion njerëz në 24 orë në një situatë si Gaza, mund të jetë vetëm një krizë humanitare”, tha Borrell, në ditën e fundit të një vizite diplomatike tre-ditore në Kinë.

    Pavarësisht shprehjes së mbështetjes së BE-së për Izraelin, ai paralajmëroi gjithashtu se ishte i detyruar të ndjekë ligjin ndërkombëtar humanitar në procesin e mbrojtjes së tij.

    “Pozicioni është i qartë. Por, si çdo e drejtë, ajo ka një kufi. Dhe ky kufi është ligji ndërkombëtar”, u shpreh Borrell.

  • Një javë pas arrestimit të një 16 vjeçari në Pejë, Prokuroria Themelore atje ka filluar të premten

    Një javë pas arrestimit të një 16 vjeçari në Pejë, Prokuroria Themelore atje ka filluar të premten

    Përgatiti: Nora Luta

    Ndryshe nga ditët e tjera, nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani”, orët e para mësimore, të premten, i filluan me një ligjëratë nga prokurorë të Prokurorisë Themelore të Pejës.

    Ato po sigurohen që nxënësit ta kuptojnë, që pavarësisht moshës për kryerjen e veprave penale, sikurse përdorimi i armëve, e substancave narkotike mund të ndëshkohen.

    Pas rastit të fundit të arrestimit të një 16-vjeçari, nën dyshimet për planifikim të vrasjes së shokëve të tij të klasës, Prokuroria do të vazhdojë me ligjërata edhe javën e ardhshme.

    Fokus do ta kenë edhe vetëdijesimin për përdorimin e rrjeteve sociale.

    Përdorimi i rrjeteve sociale, sipas psikologes së shkollës, paraqet shqetësim. Ergita Zajmi u apelon prindërve t’i monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme fëmijët e tyre.

    Sipas Zajmit, që nga viti i kaluar është rritur numri i psikologëve në shkollat e kësaj komune.

    Fundjavën e kaluar organet e sigurisë kanë arritur të parandalojnë një ngjarje që mund të ishte shndërruar, në tragjedi në këtë qytet. Një 16-vjeçar i cili dyshohet se kishte në plan t’i vriste shokët e tij të klasës, tashmë ndodhet në paraburgim. Policia i kishte rënë në gjurmë planit të tij nëpërmjet rrjeteve sociale.

  • Shmanget “takimi i kërkuar”, Kurti shkon në Tiranë e Vuçiq do ta takojë Putinin në Pekin

    Shmanget “takimi i kërkuar”, Kurti shkon në Tiranë e Vuçiq do ta takojë Putinin në Pekin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër përpjekjeve ndërkombëtare, përfundimisht janë shuar gjasat për takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjina të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

    Televizioni merr vesh se ka pasur përpjekje nga Gjermania për organizimin e një takimi të tillë në kryeqytetin shqiptar, por Vuçiq nuk do të jetë në Tiranë.

    Në një adresim në orët e vona të së enjtes, presidenti i Serbisë njoftoi se të dielën do të udhëtojë për në Kinë – ku fillimisht do të ketë një takim bilateral me presidentin Xi Jinping.

    Edhe pse tha se nuk është konfirmuar ende, Vuçiq theksoi se beson se do të ketë një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjina të samitit “Një brez, një rrugë”, që do të mbahet më 17 dhe 18 Tetor në Pekin.

    Ndërsa, në Samitin e Procesit të Berlinit, Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Brnabic.

    Megjithatë, një takim Kurti-Brnabic nuk pritet të ndodhë.

    Para çfarëdo takimi bilateral me palën serbe, Kosova kërkon ndëshkimin e Serbisë për rolin e saj në atë që është cilësuar akt agresioni, nëpërmjet sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë.

    Profesori në Universitetin e Winchesterit në Angli, Seb Bytyçi, vlerëson se Kosova duhet të mos ndryshojë qëndrim në këtë fazë – kur ende nuk është finalizuar hetimi për 24 Shtatorin dhe nuk ka masa ndaj Serbisë.

    “Vetë fakti që Serbia i ka ende dyert e hapura në këto takime rajonale, pas sulmit të 24 Shtatorit, është shumë brengosës për Kosovën dhe paraqet një diskriminim ndaj Kosovës”, tha Bytyçi.

    Profesori përmend edhe zhvillimet e brendshme në Serbi, si arsye shtesë që Kosova të mos nxitojë për t’u rikthyer në tavolinën e bisedimeve.

    “Duhet theksuar se këto takime do të ishin joproduktive apo kundërproduktive, sepse tashmë Serbia është në periudhë zgjedhore dhe duhet të pritet gjithashtu për përfundimin edhe të zgjedhjeve atje”, tha Bytyçi.

    Të hënën, në Tiranë, krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nën lehtësimin e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Urusla Von Der Leyen, pritet të nënshkruajnë marrëveshjen rajonale për njohje të ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

    Në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet për herë të parë në kryeqytetin e një shteti jo-anëtar të Bashkimit Evropian, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

  • Realizimi i aktiviteteve të ministrive në periudhën janar-gusht, MPB ka më së paku aktivitete

    Realizimi i aktiviteteve të ministrive në periudhën janar-gusht, MPB ka më së paku aktivitete

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ministri i Punëve të Brendshme aktualisht është njëri prej ministrave më të përfolur në vend.

    Por, Ministria që ai drejton, konsiderohet si më dembelja në realizimin e aktiviteteve të saj, të paktën në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti.

    Hiç më mirë nuk qëndron as Ministria e Drejtësisë që bashkë me MPB-në, zënë dy vendet e para për mospunë.

    “Nga të dhënat e monitorimit del se MPB-ja nga 12 aktivitete të parapara ka arritur t’i realizojë vetëm 2, ndërsa Ministria e Drejtësisë nga 14 aktivitete të parapara ka arritur t’i realizojë vetëm 6”, tha Albana Hasani, hulumtuese në lëvizjen FOL.

    Ndërkaq, të gjitha ministritë së bashku, nuk kanë arritur ta përmbushin as 50% të asaj që kishin në plan, në këtë periudhë kohore.

    Megjithatë, përtej saj, qeveria së bashku me të gjitha dikasteret, po kritikohet edhe nga njohësit e politikës se nuk kanë punuar si e sa duhet.

    “Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë dështim total, gjithashtu edhe Ministria e Shëndetësisë, e po ashtu kemi një gjendje kaotike edhe në Ministrinë e Arsimit. Por kemi edhe dështime të tjera pothuajse në 80 për qind të ministrive, e përfshirë këtu edhe Ministrinë e Financave, e cila nuk ka treguar rezultat në punën e saj”, tha politologu Fidan Ukaj.

    Sidoqoftë, kryeministri i Republikës i kishte paralajmëruar ministrat e tij qysh herët se nuk janë të përhershëm dhe se u duhet të punojnë për të mbetur në ato pozita, por deri më tani në mbi 2 vjet e gjysmë qeverisje, nuk ka shkarkuar asnjë ministër, përveç atyre të shëndetësisë e ministrit të mbrojtjes që e liruan vetë detyrën.

  • Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

    Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    341 ditë pas braktisjes së institucioneve të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb, siç duket e kanë ndryshuar qëndrimin.

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të premten, tha se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në katër komunat veriore.

    Nga Mitrovica e Veriut, kreu i partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit, theksoi se ky vendim u mor në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Këtë herë, ne do ta dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona, që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rakiq.

    Rakiq, i cili në nëntor të vitit të kaluar, braktisi postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, shtoi se tani i takon Prishtinës të marrë vendim për zgjedhje të reja.

    “Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këta këshilltarë komunalë të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë, të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është t’i ngacmojnë shtetasit tanë”, tha Rakiq.

    Sulmi terrorist i 24 shtatorit, sipas opinionistit Bekim Kabashi, ka ndikuar që Lista Serbe të ndryshojë qëndrim dhe ta kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të 23 prillit, zgjedhje këto që u bojkotuan nga serbët lokalë. Vendosja e tyre në zyrat komunale u përcoll me protesta të ashpra nga serbët lokalë, teksa sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Pasi ndaj Kosovës u vendosën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, ekzekutivi u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, përmes një udhëzimi administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse, përmes një peticioni.

    Bashkësia ndërkombëtare si rrugë më të mirë dhe të shpejtë e sheh dorëheqjen e kryetarëve, por një kërkesë të tillë, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka konsideruar si kërkesë të Beogradit.

  • Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë sot se Gjykata Speciale e ka liruar nga burgu, Hysni Gucatin.

    Megjithatë nga Schveningeni s’kanë dhënë ndonjë konfirmim, duke thënë se nëse do të ketë vendim publik për këtë çështje, ai do të bëhet publik në faqen e Dhomave të Specializuara.

    “Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë një zëdhënës i Speciales për Express.

    Dhomat e Specializuara i kanë shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

    Në dënim atyre iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Çeke, Bohumil Mazánek, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

    Presidenca njofton se Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazánek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve.

    Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

    “Presidentja Osmani e falënderoi për kontributin e dhënë nga Republika Çeke lidhur me liberalizimin e vizave si dhe e njoftoi nga afër ambasadorin lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë”, përfundon kumtesa.