ATV

Tag: Ballina

  • Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën

    Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën

    Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike.

    Këto janë vendimet që janë marrë:

    Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.10/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Miratuar në parim Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për Lojërat Mesdhetare 2030.

    Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

    Miratuar vendimin për t’ia propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për shtatë (7) pozita për drejtorë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

  • Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: Mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës

    Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: Mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës

    Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar shifrat e radhës nga aksioni i madh i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që nisi pas shtimit të rasteve të vdekjeve në vendin e punës.

    Aksioni i gjerë i Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, po vazhdon me ritëm të shtuar në sektorin e ndërtimtarisë, pas rritjes së rasteve të aksidenteve dhe vdekjeve në vendin e punës.

    Vetëm gjatë 48 orëve të para të raportimit, rezultatet e publikuara tregojnë për një gjendje shqetësuese në shumë punishte ndërtimore në Kosovë.

    Sipas të dhënave zyrtare, janë inspektuar gjithsej 110 vendpunishte, ndërsa në 50 prej tyre është marrë vendim për ndalim të menjëhershëm të punimeve për shkak të shkeljeve të konstatuara në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 33 vërejtje ndaj subjekteve të ndryshme.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se aksioni po fokusohet në sektorët me rrezikshmëri të lartë, ndërsa në këtë fazë vëmendja kryesore është përqendruar te ndërtimtaria, sektor i cili konsiderohet ndër më problematikët sa i përket kushteve të punës dhe numrit të aksidenteve fatale.

    Në raportin e fundit thuhet se vetëm në ditën e gjashtë të aksionit janë realizuar 41 inspektime të reja, të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë. Nga këto kontrolle, 16 raste kanë përfunduar me vendim për ndalim të punimeve.

    Sipas ndarjes rajonale, dy ndalime janë shqiptuar në Pejë, 11 në Prizren dhe tri në Prishtinë.

    Në të njëjtën ditë, inspektorët kanë shqiptuar edhe 13 vërejtje ndaj kompanive ku janë gjetur parregullsi që kërkojnë përmirësim të menjëhershëm, ndërsa në 13 raste të tjera nuk është konstatuar nevoja për ndonjë masë ndëshkuese.

    Ndërkohë, në tetë raste është lejuar vazhdimi i punimeve, pasi kushtet janë vlerësuar të pranueshme, ndërsa në 12 raste subjektet kanë eliminuar parregullsitë e evidentuara gjatë kontrollit dhe kanë përmirësuar kushtet e sigurisë.

    Inspektorati ka sqaruar se kolona ku figuron numri i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje që do të procedohen ndaj kompanive përkatëse.

    Në njoftim bëhet e ditur se në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve do të procedohen automatikisht në Gjykata për kundërvajtje, në përputhje me shkeljet e konstatuara gjatë inspektimeve.

    Po ashtu, është paralajmëruar edhe faza e riinspektimeve, e cila do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim sipas afateve të përcaktuara nga inspektorët përgjegjës.

    “Procesi i Riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullësive. Eleminim të parregullësive nënkupton procesin kur subjekti inspektuar ka ndërmarrë veprime në përmirësim të gjendjes së Sshp-së.”, thuhet në njoftim.

    Sipas sqarimit të Inspektoratit, eliminimi i parregullsive nënkupton rastet kur subjekti i inspektuar ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Sa i përket shpërndarjes së inspektimeve në komunat kryesore të vendit, raporti tregon se në Prishtinë janë inspektuar 12 vendpunishte, në Fushë Kosovë 10, në Ferizaj 13, në Gjilan 12, në Mitrovicë 13, në Lipjan 12, në Podujevë 11, në Drenas 11 dhe në Gjakovë 16.

    Për gjendjen në këtë sektor ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka vlerësuar se mungesa e vigjilencës dhe pakujdesia e pronarëve të kompanive ndërtimore mbeten ndër arsyet kryesore të vdekjeve në vendin e punës.

    Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me mungesën e kushteve teknike, por edhe me dënimet e buta që shqiptohen ndaj kompanive që shkelin rregullat e sigurisë.

    Azemi ka deklaruar se edhe dënimet nga gjykatat dhe nga inspektorët janë shumë të lehta dhe nuk krijojnë efekt parandalues.

    Ai ka theksuar se kur një punëtor humb jetën në vendin e punës, shpeshherë pronari apo menaxheri i kompanisë ndalohet vetëm për 48 orë dhe më pas lirohet, gjë që sipas tij nuk përkon me seriozitetin e pasojave.

    “Edhe dënimet e gjykatave edhe të inspektorëve janë aq të buta sa që s’mund të marrësh me mend. Kur e shohim që një punëtor vdes në vendin e punës, një pronar ose menaxher i kompanisë mund të mbahet për 48 orë në stacionin e policisë dhe pastaj është i lirë. Mendoj që Inspektorati Qendror i Punës duhet të pajiset më shume me inspektorë të punës, inspektorë që dinë të zbatojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në rend të parë. Në rend të dytë, të jenë më vigjilent dhe rastet që i shohin se janë me rrezikshmëri duhet t’i mbyllin deri në një kohë të caktuar”, theksoi Azemi.

    Kreu sindikal ka kërkuar që Inspektorati Qendror i Punës të pajiset me më shumë inspektorë profesionalë, të trajnuar për zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    Po ashtu, ai ka kërkuar që rastet me rrezikshmëri të lartë të mbyllen menjëherë deri në eliminimin e plotë të rreziqeve.

    Sipas Azemit, rreth 70 për qind e rasteve të vdekjeve në vendin e punës në Kosovë vijnë pikërisht nga sektori i ndërtimtarisë, ndërsa mosha mesatare e viktimave është vetëm 38 vjeç.

    Sipas tij, nëse respektohet Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, shumë prej këtyre rasteve tragjike mund të shmangen dhe numri i aksidenteve do të binte ndjeshëm.

    Aksioni i nisur në fillim të kësaj jave do të zgjasë gjithsej 15 ditë dhe do të shtrihet në shtatë rajone të Kosovës, me synim identifikimin e shkeljeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe parandalimin e rasteve të reja fatale në vendpunishte.

  • Haxhiu: Bordi i Paqes më 27 prill në Kuvend

    Haxhiu: Bordi i Paqes më 27 prill në Kuvend

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se është vendosur që më 27 prill të mbahet seancë plenare, por se kjo nuk do të jetë për presidentin.

    Ajo, ka thënë se në seancën e 27 prillit do të adresohen çështje me rëndësi, përfshirë këtu edhe shqyrtimin e Projektligjit nr.10/L-007 për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes

    “Do të doja të ishte ashtu, por ende jemi në pritje të një konsensusi sa i përket çështjes së presidentit”, tha ajo.

    “Kryesia e Kuvendit vendosi që më 27 prill në orën 10:00 të mbajë një seancë të re, për t’i adresuar disa çështje shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim është anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes”, u shpreh Haxhiu.

  • Ilir Kërçeli reagon me një video pasi Gecët thanë se ai ia ka dhënë Fatosit fjalimin për Thaçin

    Ilir Kërçeli reagon me një video pasi Gecët thanë se ai ia ka dhënë Fatosit fjalimin për Thaçin

    Deputeti i Vetëvendosjes Ilir Kërçeli, i ka reaguar familjes Geci, të cilët mbrëmë thanë se fjalimin të cilin e lexoi deputeti tjetër i VV-së Fatos Geci, ishte shkruar nga ai.

    Nëpërmjet një videoje në Facebook, Kërçeli tha se deklaratat e familjes Geci, i lexoi sot në mëngjes.

    “Deputeti në fjalë, Fatos Geci ka deklaruar se fjalimin e ka shkruar vet. Sa më përket mua për qëndrimin tim për krerët e UÇK-së në Hagë, dihet publikisht”, ka thënë deputeti Kërçeli.

    Ai thotë se ka qenë në vizitë në Hagë si dhe ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

    “Para disa jave në Komisionin për Buxhet dhe financa, kam votuar për buxhet shtesë për të akuzuarit në Hagë”, ka vazhduar Kërçeli.

    E lutem sot e dje e çdo ditë që sa më parë ata të lirohen e të kthehen tek familjarët e tyre. E ndjeva obligim moral këtë sqarim edhe pse dihet botërisht”, tha ai.

  • Çmimet tavan të derivateve për sot në Kosovë: Nafta 1.64€, benzina 1.39€, gasi 0.87€

    Çmimet tavan të derivateve për sot në Kosovë: Nafta 1.64€, benzina 1.39€, gasi 0.87€

    Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), janë përcaktuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për sot.

    Bazuar në këtë vendim, çmimi tavan për një litër naftë (dizel) është 1.64 euro, për benzinë 1.39 euro, ndërsa për gas 0.87 euro për litër.

    Këto çmime kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për të gjitha pikat e shitjes së derivateve në territorin e Kosovës.

  • Gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama: Fola me Trumpin, nuk kam marrë përgjigje akoma

    Gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama: Fola me Trumpin, nuk kam marrë përgjigje akoma

    Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delphit në një bisedë me kryeredaktorin e Kathimerini, Alexis Papahelas, foli edhe për çështjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe proceset e lidhura me ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    Rama u shpreh se ai ja ka ngritur këtë çështje edhe presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar vëmendje ndaj asaj që ai e cilësoi si një proces të bazuar në një raport fantazish.

    “Pata privilegjin të isha me presidentin Donal Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i thashë diçka që e kam shumë për zemër, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare dhe konkretisht me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjykata është krijuar duke u mbështetur në një raport fantazish, i sponsorizuar nga rusët, nga delegacioni i Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës, që mbështet një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krimet e UÇK-së, dhe specifikisht trafikimin e organeve njerëzore.

    Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë raport fantazish në një proces kundër udhëheqësve dhe morën nga zyra një president që ishte në detyrë dhe e sollën në Hagë, duke e burgosur përpara një akuze zyrtare, si edhe kryetarin e parlamentit. Më pas, i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër, pasi nuk kishte ndodhur asnjë trafikim i organeve njerëzore.

    I thashë presidentit Trump se kjo është diçka që ai duhet ta dijë dhe shpresoj që ai të mund të ndërhyjë. Nuk më ka kthyer përgjigje akoma”, tha Rama.

  • Konjufca nga Forumi Ekonomik në Greqi i kërkon BE’së që t’ia japë shpejt Kosovës statusin e kandidatit

    Konjufca nga Forumi Ekonomik në Greqi i kërkon BE’së që t’ia japë shpejt Kosovës statusin e kandidatit

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në panelin “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian: Drejt integrimit të plotë” në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi.

    Në njoftimin e ministrisë thuhet se Konjufca “theksoi nivelin e lartë të përvetësimit për vlerat e BE-së që ka populli i Kosovës dhe progresin që e kemi bërë në rrugën drejt anëtarësimit”.

    “Ai kërkoi veprim më të shpejtë për sigurimin e statusit të kandidatit për Kosovën dhe theksoi se integrimi i rajonit është një investim strategjik për Evropën”, vijon njoftimi.

    Në fjalimin e tij tha se “Kosova është gati për hapa të mëtejshëm dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesë këtë angazhim për të forcuar jo vetëm stabilitetin rajonal, por edhe të Evropës në përgjithësi”.

    “Lënia pas e Kosovës do të rrezikonte të kthente Ballkanin Perëndimor nga WB6 në WB5, duke dobësuar momentumin e rajonit drejt integrimit në BE”, thuhet në njoftim.

  • Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vlerësuar në raportin e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit se ato janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe profesionale.

    Në raport, mes tjerash theksohet se procesi ishte teknikisht i përgatitur mirë pavarësisht afateve të shkurtra dhe në përgjithësi u konsiderua gjithëpërfshirës.

    “Zhvillimet pozitive përfshinin një ton më të butë fushate, mungesën e ankesave zyrtare në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe incidenteve serioze”, u tha më tej në raport..

    Në të, janë ngritur shqetësime për siç u tha politizimin e KQZ-së.

    “Natyra publike e këtyre debateve, e kombinuar me përbërjen e KQZ-së bazuar në parti, përforcoi shqetësimet se konsideratat politike mund të kenë ndikuar në atë që është në thelb një vendim administrative”.

    “Në përputhje me standardet e Komisionit të Venedikut mbi administrimin zgjedhor – të cilat theksojnë se organet e menaxhimit të zgjedhjeve “jo vetëm që duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen sikur veprojnë kështu” – ky episod nënvizoi një dobësi strukturore në modelin aktual: kur vendimet në lidhje me certifikimin në raste politikisht të ndjeshme merren nga “organe të përbëra nga të emëruar partiakë”, ekziston një rrezik në rritje që si siguria ligjore ashtu edhe besimi publik “të mund të minohen, edhe nëse nuk ka ndonjë konstatim formal të paligjshmërisë”, u potencua në raport, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, Asambleja bën thirrje për reforma si dhe depolitizim të KQZ-së.

    “Prandaj, delegacioni inkurajon autoritetet e Kosovës që të adresojnë disa çështje kyçe për të forcuar më tej integritetin dhe përfshirjen e procesit zgjedhor, duke përfshirë: sigurimin e depolitizimit të plotë të KQZ-së, në mënyrë që organet e menaxhimit të zgjedhjeve jo vetëm të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen si të paanshme”.

  • ​Komisioni për Punë të Jashtme i jep “dritën e gjelbër” Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    ​Komisioni për Punë të Jashtme i jep “dritën e gjelbër” Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Për të gjithë anëtarët e komisionit, paraprakisht, komisioni kishte mbajtur një mbledhje të grupit punues ku u vendos që marrëveshja të miratohet siç ka ardhur në Kuvend pa ndryshimet për të cilat ishte diskutuar në mbledhjen e kaluar.

    Mazhoranca synonte të ndryshonte paragrafin dy të nenit dy të ujdisë./kp

  • Tahiri i përgjigjet Kurtit: Proceset serioze s’kryhen me WhatsApp, s’dërgoi letër zyrtare

    Tahiri i përgjigjet Kurtit: Proceset serioze s’kryhen me WhatsApp, s’dërgoi letër zyrtare

    Shefi i deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri i është përgjigjur kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas deklaratave të tij për partitë opozitare dhe refuzimit të tyre për propozimet rreth gjetjes së një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.

    Tahiri ka thënë se PDK-ja nuk ka refuzuar asnjë takim, por sipas tij, Kurti ka refuzuar ta konkretizojë iniciativën e re të tij përmes një letre zyrtare dhe për shkak të këtij refuzimi, sipas Tahirit, nuk janë zhvilluar më takime.

    Ai ka thënë se tashmë kjo çështje është e përfunduar, pasi që Këshilli Drejtues ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.

    “Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Ëhatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharakë. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij.”, ka thënë Tahiri.

    Ndërsa, lidhur me deklaratën e kryeministrit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Tahiri ka thënë se është vetë Kurti ai që thoshte “Shko Hashim” dhe si kryeministër nuk e ka marrë mundin as t’i vizitojë në Hagë.